spot_img
HomeBUJKUStresi tek bletët

Stresi tek bletët

spot_img

Nga Dr. Agim Nelaj 

Sistemet e mbarështimit të bletëve ndikojnë negativisht në proceset biologjikë normalë të vetë bletëve. Bleta, që të mbijetojë, ka nevojë për një mjedis sa më të përshtatshëm në zgjua. Para ndërhyrjes së njeriut, bletët e egra mjaltëse ishin tepër të përshtatura në habitatin e tyre.

Si “zgjoje”, këto bletë përdornin trungje, zgavra druri dhe të çara toke. Nuk ka banesë më të mirë për bletët sesa ky “zgjua” natyror, ku ato u përshtatën me shekuj. Sistemet e sotme të mbarështimit nuk i plotësojnë kushtet, nuk janë në gjendje t’u bëjnë ballë ndryshimeve të klimës, sëmundjeve, rriqrave, madje edhe sulmeve nga grabitqarë. Duke i futur bletët në zgjua modern (të sajuar nga njeriu), ne u kemi shkaktuar atyre një stres tepër të madh.

Sa herë një familje blete roit nga zgavra e saj natyrale në kërkim të një “shtëpie” të re, në rrethana normale ajo udhëhiqet tërësisht nga instinkti. Në këtë mënyrë ajo kërkon një zgavër tjetër, të përshtatshme për familjen e saj. Aty ajo ndërton hojet sipas aftësive të saj të brendshme, ku ruhet temperaturë e qëndrueshme dhe nivel i lagështirës në raport me mjedisin. Aty, familja rishtare, organizon sistemin mbrojtës kundër armiqve (parazitë, sëmundje, grabitqarë). Ajo mbledh dhe magazinon zahiretë për një të ushqyer të përshtatshëm dhe të balancuar. Kur dështon në këto përpjekje, për një arsye apo një tjetër, atëherë populacioni bie dhe dalëngadalë dështon me shuarje. Pak më vonë vdekjes së familjes, mola e dyllit zë vend duke shkatërruar hojet dhe e kthen zgavrën në gjendjen e mëparshme.

Streha, nën “kujdesin” e grabitqarëve, është e gatshme të presë rojin tjetër, e pastër nga infeksionet dhe mbeturinat. Në këtë skenar natyral janë të dukshëm tri dukuri me natyrë biologjike:

– Stresi mjedisor në këtë bashkësi i është i vogël.

– Familjet me përbërje gjenetike që ulin përshtatshmërinë për mbijetesë, asgjësohen shpejt para se të prodhojnë meshkuj.

– Molat (tenjat) e dyllit janë insektet që përfitojnë kur boshatiset zgavra duke asgjësuar ushqimin e vjetër të mbetur, toksinat dhe organizmat e sëmurë. Kjo përtëritje e zgavrës u mundëson rrëshemëve të tjerë, që zënë vend këtu, të ndërtojnë hoje të rinj dhe të pandotur për rritjen e larvave dhe magazinimin e ushqimeve. Njeriu futet në skenë, por jo aq dashamirës me bletën. I shkakton asaj stres. Bletari mbledh bletët e roitura, i fut në zgjua dhe i detyron të ndërtojnë hoje.

Për të kontrolluar temperaturën dhe lagështirën brenda zgjoit, bleta shpenzon energji. Por një nga arsyet kryesore, për të cilat njeriu nuk është aq dashamirës me bletën, lidhet me vjeljen e mjaltit të parë, që ka sasinë më të madhe dhe cilësinë më të mirë të polenit. Bletari i lë për ushqim familjes së bletës mjaltin e vonë, i cili ka sasi dhe vlerë më të vogël ushqimore. Ne i kemi ndryshuar dietën familjes së bletëve, duke i lënë për ushqim atë më të varfrin, cilësinë më të dobët, që ka pak polen. Jo vetëm kaq, por një pjesë të mirë ia kemi zëvendësuar me ushqim artificial. Gjithashtu, i kemi rritur sasinë e të ushqyerit.

Sistemi i mbarështimit ka nxitur shtimin e larvave, duke sjellë edhe situata të tjera të vështira për bletët: i ka ekspozuar ato ndaj ndikimeve të dëmtuesve, ndaj dimrave të egër, nxehtësive të shkretëtirës apo pesticideve. Në këtë skenar të krijuar nga njeriu, shfaqen disa dukuri:

– Familjet e bletëve shtëpiake i nënshtrohen stresit shumë më tepër se në kushte natyrore.

– Prej të ushqyerit artificialisht për një kohë të gjatë, bletëve shtëpiake u zvogëlohet kapaciteti gjenetik. Kjo sjell trashëgiminë e geneve të padëshiruar.

– Nuk merren masa për t’i kontrolluar në kohë nga sëmundjet dhe pastruar mbeturinat e shkaktuara nga tenja e dyllit etj.

– Toksinat dhe mbeturina të tjera të padëshiruara, por të grumbulluara në pitet e dyllit në zgjua për vite me rradhë, e ulin mbarëvajtjen e familjes së bletëve. Para disa vjetësh më shkruante një bletar: “Çudia nuk është se familjet e bletëve eliminohen për një arsye apo një tjetër, por që shumë prej tyre mbijetojnë pavarësisht nga trajtimi i keq që u bëjmë ne…”.

Bletët, njëlloj si insektet e tjerë, si gjitarët, madje edhe si njerëzit, kanë kujtesë të largët e të afërt, e cila mund të prishet në rast se ndërhyjnë faktorë të tjerë, jo të favorshëm. Ato ndjejnë dhe i përgjigjen ndryshimit të mjedisit me reagime të forta, që lënë pasoja në “kujtesën” e tyre. E ndiejnë menjëherë ndryshimin e temperaturës. Sistemi i tyre imunitar dëmtohet rëndë nga marrja e toksinave. Stresi i mungesës të ushqimit dhe cilësia e dobët e të ushqyerit, e ul ndjeshëm cilësinë e pjelljeve dhe strukturën normale të pjesëtarëve të familjes.

Stresi tek bletët ende nuk njihet mirë. Që të vlerësohen më mirë ndikimet e elementëve stresues, kemi nevojë të dimë akoma më tepër rreth biologjisë së bletëve, nga jeta e tyre e panjohur. Ndërmjet elementëve stresues tek bletët, ai që dëmton më shumë e që vlen më tepër për bletët “shtëpiake” është moti.

“Shtëpiaket” përpiqen të mbijetojnë në dimra të ftohtë dhe në të nxehtin e madh të verës, ndërsa të “egrat”, pavarësisht se edhe këto preken por në shkallë më të vogël nga ndryshimet klimatike stinore, përshtaten brenda zgavrave të tyre natyrore.

Mbijetesa lidhet me mekanizma të fituar në miliona vjet evolucion, për të përballuar vështirësitë e klimës. Familja bletë që jeton në pemë, rrethohet zakonisht nga trashësia e zemrës së trungut, shtuar këtu dhe lëvoren. Duke qenë se këto e izolojnë zgavrën, gjatë dimrit familja ftohet, por nuk ngrin. Në këtë izolim ndikojnë edhe vetë paretet e zgavrës.

Në disa zona të botës ku nuk ka zgavra të mjaftueshme ku mund të zërë vend familja, bletët mjaltëse shfrytëzojnë plasat e shkëmbinjve apo të çarat e tokës. Dheu që rrethon këto hapësira apo plasa, shërben gjithashtu si shtresë izoluese për temperaturën e mjedisit dhe lagështirën. Studimet kanë treguar se temperatura brenda në një zgjua të paizoluar ndryshon pak nga temperatura e mjedisit.

Temperatura brenda zgjoit, në periferi të lëmshit të bletëve, në varësi nga vendndodhja, bart pasoja. Kështu, temperatura nuk ndryshon varësisht kushteve të acarta të dimrit. Bletët në këtë situatë nuk bëjnë asnjë përpjekje që të prodhojnë nxehtësi për të rregulluar mjedisin. Këtë e vë re çdo bletar. Në këtë rrethanë kolonia nuk e konsumon mjaltin, sepse nuk ka asnjë gjasë për ta marrë. Kur mekanizmat e ngrohjes së trupin arrijnë maksimumin dhe nuk e përballojnë të ftohtin, për të mbijetuar, bletët instinktivisht zvogëlojnë sipërfaqen e tyre duke u grumbulluar. Brenda zgjoit formojnë “lëmshin dimëror”.

Studimet vërtetojnë se gjatë pjelljeve, bletët sigurojnë një lagështirë absolute brenda në hoje, ku zhvillohen larvat. Gjatë muajve të dimrit lagështira në grumbullin e bletëve është e ulët. Meqenëse, si lagështira ashtu dhe nxehtësia prodhohen me anë të metabolizimit të mjaltit, forca fiziologjike zvogëlohet gjatë dimrit tek pjelljet e paizoluara.

Studime kanë treguar gjithashtu se bletët mjaltëse mund të përshtaten dhe t’u mbijetojnë temperaturave të skajshme, por jo pa pasoja (ndonëse nuk është marrë parasysh në këto studime shpenzimi i rezervave vetjake fiziologjike të familjes bletë). Ky lloj stresi pakëson rritjen e larvave dhe ul jetëgjatësinë e bletëve punëtore. Numri i bletëve mjaltëse në një bashkësi, në natyrë shkon nga 14.000 – 25.000. Bletarët mund ta rrisin popullimin deri në 60.000 – 80.000.

Mbarështimi me zgjerimin e kapaciteteve jetësore krijon mundësi për rritjen e hapësirës së hojeve (madhësisë së kavitetit), përmbysjen e hojeve, të ushqyerin nxitës, si dhe për rritjen e riprodhimit. Në rritjen e mizërisë bletëve ndikon edhe tipi i zgjoit, sikundër është përcaktuar nga Langstroth.

Hapësirat që krijojnë kornizat ndryshojnë ajrosjen brenda zgjoit. Ajrosja ndihmohet edhe nga përpjekjet e bletarit për t’i lënë zgjoit hyrje të madhe. Ndërsa zgavrat natyrore që zgjedhin vetë bletët, i kanë hojet të ngjitura lart dhe në muret e zgavrës. Hojet me valëzime të mëdha pengojnë ajrosjen brenda në zgjua. Sjellja e bletëve varet edhe nga rregullimi i gazrave dhe ujit, që prodhohen nga metabolizmi i tyre siç janë etileni, dyoksidi i karbonit, si dhe uji.

Qarkullimi i madh i ajrit brenda në zgjua si dhe ajrimi në hyrje të tij, ua ndryshojnë përqendrimin biorregullatorëve. Në kohë të ftohtë, familja duhet të ajrohet, në mënyrë që të ulet grumbullimi i lagështirës dhe akullit. Uji i tepërt prodhohet nga kondensimi në muret e paizoluar të zgjojeve. Si kondensimi, ashtu dhe ajrimi, largojnë lagështirën nga grumbulli i bletëve duke shtyrë bletët të rritin metabolizimin e mjaltit për të mbajtur temperaturën e trupit si dhe lagështirën në zonën e tyre të komfortit.Hojet kanë një diametër normal.

Disa eksperimente kanë treguar se zvogëlimi i diametrit të hojeve natyralë, ul prodhimin e familjes, si dhe shkakton çrregullime. Nga studiues të ndryshëm u hodh ideja se në hojëza me diametër më të madh se 6 mm, mund të prodhohen bletë më të mëdha. Kjo shton prodhimtarinë, duke u trashëguar nga brezi në brez edhe madhësia trupore e bletës. Studimet e mëvonshme e hodhën poshtë këtë pretendim. Standardi i sotëm industrial i hojëzave e ka diametrin 5.4 mm, ndërkohë që bleta e ndërton instinktivisht 5.2 mm.

Ndryshimi në madhësinë e hojeve nënkupton faktin se mund të riprodhohen më shumë bletë për një pite standard dylli. Kjo do të thotë çelje të shpejtë në pranverë dhe më pak energji metabolike të shpenzuar për të riprodhuar çdo bletë, kohë më të shkurtër për zhvillimin larvor/pupal. Këtu shfaqet përsëri problemi i stresit. A i stresojnë bletët hojëzat më të mëdha në diametër? A mund të pakësohen problemet e sëmundjeve: rriqrës, të ushqyerit gjatë dimrit duke u kthyer tek hojëzat në madhësi natyrale, të paktën për ato ku rriten larvat?

Bletarët parapëlqejnë t’i mbajnë pitet e dyllit për shumë vjet, pa i zëvendësuar. Ata besojnë se procesi i ndërtimit të hojeve lidhet me humbjen e prodhimit, me “kthimin” e mjaltit në dyllë, çka ul sasinë e mjaltit të prodhuar. Besoj se kjo nuk ka bazë shkencore. Mjalti i prodhuar në hoje të errët, të vjetër zakonisht, është me ngjyrë të errët, ndërsa bletët riprodhohen me trup më të vogël, për shkak të mbushjes dhe zvogëlimit të kavitetit të hojëzave gjatë viteve. Disa molekula organike pesticide janë lipofilike. Për shkak të prirjes së madhe drejt yndyrave, shumë lëndë toksike dhe të dëmshme të mjedisit përfshihen në dyllin e hojeve.

Kështu mund të pranohet që dylli i prodhuar nga bletët shërben si “mëlçia” e familjes, sepse pastron me mekanizma natyralë zgjoin duke thithur në vetvete lëndët e dëmshme të përmendura më lart. Kështu pastrohen edhe hojet ku rriten larvat, duke siguruar edhe ushqim të shëndetshëm. Aftësia e dyllit për të thithur lëndë të dëmshme nuk është e pakufizuar. Pra, përpjekja për ta mbajtur të fuqishme familjen me hoje të vjetër, mund të krahasohet me përpjekjen për të mbajtur gjallë një pacient me “cirrhozë hepatike”.

Bletari i pakujdesshëm krijon mjedis të papërshtatshëm, të trazuar dhe të neveritshëm për jetën e bletëve, e kësaj qenieje që ka bërë jetë të virgjër ndër shekuj. A nuk është ky një faktor stresues, e më tej, prirës për shkatërrim? Bleta ka plot dëmtues. Do të veçoja këtu toksinat që prodhohen natyralisht në polenin dhe nektarin e disa bimëve, si dhe toksina nga myket që prekin lulet. Nëse arrijmë të kuptojmë që mekanizma natyralë, sikundër është dylli, i mbrojnë bletët nga të tilla toksina, atëherë duhet të ndalemi, dhe nuk ka asnjë arsye të anashkalojmë freskimin e herëpashershëm të piteve si një mjet i sigurt për mbrojtjen e bletëve tona nga pesticidet dhe kimikate të tjera, të hedhura nga njeriu.

Propolisi është një përzierje e rrëshirave të bimëve, dyllit dhe mbeturinave të zgjoit, të cilat treten dhe bashkohen nga tretës që bleta i prodhon prej gjëndrave të pështymës. Propolisi përmban terpene (lëndë kimike antibakteriale, të tilla si pinen, limonen, xheraniol), baktericidë të njohur, njëkohësisht edhe këpushëvrasës dhe fungicidë. Prandaj, pakësimi i prodhimit të propolisit e bën bletën më tepër të prekshme nga sëmundjet dhe infestimet e rriqrave.

Bletët mjaltëse janë seleksionuar përgjatë shekujve. Ndërmjet tipareve që janë ndryshuar apo forcuar, mund të përmendim prodhueshmërinë, butësinë, ngjyrën dhe madhësinë trupore. Fatkeqësisht, çdo seleksionim artificial apo program racor, bart edhe rreziqe. Përftimi i një tipari bëhet në kurriz të një tipari tjetër.

Rritja e madhësisë trupore të bletës, ndikon në pjelljet, në prodhimin dhe imunitetin natyror. Shpesh, humbje të tilla nuk vihen re përgjatë shumë brezave, derisa e keqja të shfaqet në popullatë. Si pasojë e programeve racore, sot kemi mbretëresha më të mëdha në trup, të cilat japin gjithashtu punëtore më të mëdha, të riprodhuara në hoje po të tillë. Shtrohet pyetja: a duhet shumë kohë për të riprodhuar bletë punëtore të mëdha?

Nëse duhet shumë kohë, cili është ndikimi në forcën jetësore të familjes, veçanërisht në numrin e mizërisë, cila është rregullshmëria e zëvendësimit të punëtoreve, frytshmëria e shfrytëzimit të ushqimit nga larvat, prekshmëria nga sëmundjet dhe rriqnat, dhe më në fund efektshmëria e ngrohjes së larvave? Problemi i bletëve më të mëdha në trup kërkon shumë studime, veçanërisht në ndryshimin e ndikimit të stresit nga dëmtimet mjedisore në popullatat e bletëve mjaltëse.

Bletët më të mëdha në trup, a janë më të ndjeshme ndaj temperaturave të skajshme dhe lagështirës, si dhe ndaj pesticideve? Këto dhe shumë pyetje të tjera janë arsye për rrahje mendimesh dhe kundërshtish, kur diskutohet për kolapsin, shkatërrimin ndër bletë. Ja diçka për të sqaruar idenë e programeve racore: le të marrim një varietet bletësh, Apis mellifica cypria. Kjo racë është një ndërthurje e dy tipave: afrikane dhe europiane. Bleta e Qipros është dinamike, jep prodhim të mirë, por bart një temperament të egër, aq sa vështirësohet puna me të. Pikërisht për këtë arsye nuk është e parapëlqyer. Vazhdon…… /Gazeta Bujku

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme