spot_img
HomeBUJKUSi të ruhen bletët në këtë të ftohtë?

Si të ruhen bletët në këtë të ftohtë?

spot_img

Ahmet Krasniqi nga Vushtrria i ka bërë gati bletët për dimër. Për 45 ditët e ardhshme ai beson se u ka siguruar ushqim të mjaftueshëm insekteve, prej të cilave jeton tash e 20 vite.

Që nga stina e verës, Krasniqi tregon për gazetën inFokus, ka filluar përgatitjet për 230 koshere bletë sa i ka tani.

“Përgatitjet duhet të fillojnë disa muaj më parë. I vetmi kujdes i shtuar duhet të jetë në lidhje me ushqimin. Bletët duhet të kenë ushqim të mjaftueshëm pasi ato vdesin vetëm nga mungesa e ushqimit dhe infeksioni“, tregon ai.

Krasniqi shpjegon se bletët nuk vdesin nga i ftohti pasi mund ta durojnë temperaturën deri në -20 gradë celsius.

Ndërsa, ato rrinë brenda deri në 45 ditë pa dalë.

“Por nëse nuk dalin për nevoja të veta pas 45 ditëve vdesin. Gjithashtu edhe mungesa e ushqimit mund të sjell vdekjen e bletëve”, thotë Krasniqi.

Bletët kanë aftësi ta ruajnë temperaturën e tyre brenda kosheres.

Në dimër, sado që të jetë temperatura jashtë bletët e ruajnë me frymëmarrje temperaturën brenda nga 25 deri në 35 gradë celsius.

“Njerëzit gjithçka bëjnë, i mbështjellin kosheret e bletëve apo gjana të tjera, por nuk ka nevojë. Ka raste kur në dimër, era e fortë e ka largu kapakun e kosheres edhe bletët i ka mbuluar bora dhe janë ngri e kanë mbet ashtu. Por, pas një kohe bletari ia ka largu akullin dhe ato bletë kanë dal prapë në pranverë. Kemi probleme vetëm nëse dimri është i gjatë”, tregon Krasniqi.

Në anën tjetër profesori universitar, Fadil Musa, i cili ligjëron në fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë ka treguar për hapat që duhet të ndjekin bletarët para stinës së dimrit.

“Për dimërim të sigurt dhe të suksesshëm në mënyrë që bletët në pranverë të përtërihen shpejt dhe mirë si një shoqëri produktive. Duhet që bletëve tu lihet për dimërimin mesatarisht në çdo rrugë të poseduar nga bletët nga 3 kg mjaltë. Kjo do të thotë se në folenë e bletëve (Koshere) cila në shtator konsiston nga 8-10 rrugë në zotërim të bletëve duhet të jetë 20 deri në 30 kg mjaltë. Nëse ky ushqim në shtator nuk është në këtë nivel duhet të plotësohet me shtimin e hojeve me mjaltë nga rezervat apo ndoshta është më mirë dhe ekonomikisht më e arsyeshme që bletët të ushqehen me shurup të sheqerit”, thotë Musa.

Po ashtu, sipas tij, në koshere duhet të jetë i renditur poleni i luleve. Lëmshi i bletëve duhet të mbuloj të paktën 7-8 korniza me hoje dhe të përbëhet kryesisht nga bletët e reja dhe hojet të jenë të ndërtuara mirë dhe jo vetëm fletishta por secili zgjua të jetë i mbrojtur nga lagështia apo ndonjë shqetësim.

“Kur të gjitha këto rregulla për dimërimin e bletëve janë përmbushur, atëherë nuk do të kemi frikë nga asnjë dimër sepse bletët do të dalin pa humbje nga dimri, të shëndetshme dhe në gjendje të mirë”, tregon profesori./Gazeta inFokus/

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme