spot_img
HomeBUJKUShqipëri, beteja e fermerëve për financimet e BE-së

Shqipëri, beteja e fermerëve për financimet e BE-së

spot_img

Nga Ergisa Bejkollari

Në datën 30 janar 2019 u mbyllën aplikimet për fondet IPARD II, i cili është Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural (IPARD) me qëllim të zhvillimit të Sektorit të Agro Ushqimore. Thirrja e parë e këtij programi vendoste në dispozicion  50.33 milionë euro, nga të cilat 75% ose 37.74 milionë euro kontribut i BE-së dhe 25% ose 12.58 milionë euro, kontribut i  buxhetit të shtetit.

Ndërsa, ata që mund të përfitojnë nga këto fonde janë të gjithë personat fizikë dhe juridikë, puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në fushat e prodhimit bujqësor ose të agro-përpunimit dhe rural.

Pavarësisht procedurave dhe dokumentacionit që është bërë i qartë dhe i aksesueshëm në faqen “online” të Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor, probleme të tjera shqetësojnë ata që duan të përfitojnë nga fondet. Njëkohësisht, po këto probleme duket se do ndikojnë edhe përqindjen në të cilën përthithen fondet e këtij granti.

Ku ngec procesi?

Prej kohësh, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH), me në krye Agim Rrapajn, ka bërë publike një sërë elementësh që e bëjnë të vështirë procesin e aplikimit për fermerët shqiptarë. Operatorët që preken më shumë dhe që rrezikojnë të mos përfitojnë, janë kryesisht fermerët e vegjël.

Një pjesë e problemeve, të risjella në vëmendje nga Z. Rrapaj për “SCAN Magazine”, renditen si më poshtë:

Mungesa e certifikimit të pronës së subjekteve. Mangësi në trajnimin e studiove të cilat do të përgatisin planet e biznesit apo dosjet e aplikantëve për të përfituar fonde grant nga IPARD II, apo ato të mbështetjes nga buxheti i shtetit përmes skemës kombëtare. Disa prej fondeve grant të së kaluarës janë kthyer në kredi me interesa e penalitete për fermerët.

Numri i subjekteve që hasin këtë problem është rreth 2 mijë dhe këta janë të përjashtuar automatikisht. Mos pajisja e subjekteve me NIPT. Nga 354 mijë fermerë në të gjithë vendin, vetëm 40.779 mijë prej tyre janë paisur me NIPT. 354 mijë ferma duhen organizuar në Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB).

Por, sipas fermerëve, ky proces vështirësohet për shkak të ligjit 38/2012 “Për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor”. Shumë nga aktivitetet bujqësore dhe ato të zhvillimit rural që programi IPARD II i jep ndihmë e nxitje të jashtëzakonshme, nuk janë përfshirë fare në tre grupimet që mund të përfitojnë nga granti. Disbursimi me vonesë i fondeve për rimbursimin e TVSH-së për vitin 2018 dhe problemi i krijuar me reduktimin e rimbursimit të TVSH-së për produktet e prodhuara nga fermerët nga 20% në 6% në vitin 2019.

Në lidhje me problematikat e mësipërme, “SCAN Magazine” iu drejtua gjithashtu edhe Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR). Sa i përket çështjes së pronave, përfaqësues të zyrës së komunikimit thanë se janë njohur me problematikën e titujve të pronësisë dhe se në dijeninë e tyre ka iniciativa ligjore të vazhduara për zgjidhjet e këtij problemi.

Gjithashtu, AZHBR shprehet se, studiot kanë qënë të mirëpritura në të gjitha takimet e organizuara për informimin e fermerëve, të cilët janë trajnuar edhe nga konsulentë të huaj në takimet e përbashkëta me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Edhe në lidhje me problematikat e kredive që kanë bllokuar fermerët, përfaqësues të kësaj agjencie shpjegojnë se pasja e një kredie nuk është penalizuese për aplikantin, për sa kohë që pagesat janë bërë në mënyrë të rregullt.

Por, i pyetur nga SCAN në lidhje me këto problematika, kreu i KASH, Agim Rrapaj, shpjegoi se këto problematika u janë prezantuar rast pas rasti të gjitha institucioneve përgjegjëse: “Gjithashtu kemi dhënë edhe mendime e sugjerime, se si mund të futen në rrugën e zgjidhjes dhe të zgjidhen këto probleme. Angazhime prej institucioneve përgjegjese janë marrë, por faktet dhe rezultatet që priten prej nesh nuk janë të kënaqshme” shprehet Rrapaj.

Sipas kreut të KASH, më e mira do të ishte që institucionet publike përgjegjëse të punonin më shumë për të adresuar dhe zgjidhur problemet që janë evidentuar edhe në media, të rrinin më afër me hallet dhe të plotësonin në kohë nevojat e fermerëve. Rrapaj kujton edhe një thirrje të kryeministrit ndaj zyrtarëve të bujqësisë.

“Të flejnë në fshat” ka porositur kryeministri Rama, që të zgjidhnin sa më shumë probleme që kanë fermerët dhe zhvillimi rural”. Rrapaj vijon më tej duke thënë se, ristrukturimi i institucioneve në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural zgjati shumë kohë dhe akoma nuk po ndihet dhe nuk po preket nga fermerët performanca që pritej prej tyre.

Përthithja e fondeve, Shqipëria dhe rajoni

Bujqësia ka përbërë gjithmonë një nga prioritetet e zhvillimit ekonomik si nga ana e qeverisë shqiptare, ashtu edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë. Fondi i parë IPA, i cili u mbyll në vitin 2013, i akordonte Shqipërisë 509 milionë euro, nga të cilat 125.4 milionë euro i dedikoheshin sektorit bujqësor, pra një përqindje e konsiderueshme prej 25%.

Nga këto, në mbyllje të grantit në vitin 2013, vetëm 42 milionë euro arritën të disbursoheshin. Pra, 33% e fondeve IPA u arritën të përdoreshin nga fermerët shqiptarë në funksion të zhvillimit bujqësor. Pjesa e dytë e grantit, IPARD II, që nisi në vitin 2014 dhe përfundon në vitin 2020, i akordon bujqësisë rreth 14%, ndërkohë që prioritet mbetet demokracia dhe mirëqeverisja dhe të drejtat e njeriut.

Mbyllja e aplikimeve në datën 30 janar e bën të pamundur një parashikim të saktë të përqindjes së disbursimit të fondeve. Por, sipas kreut të KASH, Shqipëria renditet në vend të fundit, krahasuar me rajonin edhe përsa i përket programimit të fondeve grant dhe disbursimit të tyre në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

“Krahasuar me Shqipërinë, Kosova programon për njësi të sipërfaqes 5 herë më shumë fonde grant për bujqësinë dhe zhvillimin rural, Maqedonia e Veriut tetë herë më shumë, Mali i Zi shtatë herë më shumë, Serbia tetë herë më shumë, ndërsa Greqia, Italia e vende të tjera të BE-së programojnë shumë më tepër se sa rajoni. Vetëm si rrjedhojë e këtij efekti, mandarinat e prodhuara në Shqipëri këtë vit nuk u shitën as me çmimin e një viti më parë, sepse nga pala greke që kultivon mandarina në kufi me Konispolin, u ul çmimi tej çdo parashikimi dhe të gjithë blerësit shkuan në Greqi”, shprehet Rrapaj.

Ai shpjegon gjithashtu se rezultatet në përthithjen e fondeve mund të mos rrezikojnë marrjen e statusit kandidat, por problemet dhe vështirësitë do të rriten gjatë procesit të negociatave të anëtarësimit për kapitullin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, nëse nuk zgjidhen shqetësimet e evidentuara nga fermerët.

IPA I vs IPA II

Raporti i publikuar në nëntor të vitit 2017, nga lëvizja EMA, tregon qartë se Komisioni vendosi të aplikonte një strategji tjetër manaxhimi, duke mësuar nga gabimet e mëparshme me IPA I si dhe duke u nisur nga kompleksiteti politik i Shqipërisë. Edhe pse sektorët që përfitojnë nga fondi mbeten të njëjta, ajo që ndryshon midis IPA I dhe IPA II, është strategjia e aplikimit. IPA II u jep mundësinë operatorëve të aplikojnë reformat dhe agjendat e tyre personale.

Në këtë mënyrë, manaxhimi i BE-së është indirekt dhe nëpërmjet institucioneve vendase. IPA II gjithashtu orientohet drejt një asistence më të targetuar dhe specifike, si dhe synon eficiencën, qëndrueshmërinë dhe fokusin në rezultatet. Një gjë e tillë synohet të arrihet nëpërmjet reformave strukturore që do ndërmerren nga vetë qeveria vendase, me qëllimin për të transformuar një sektor të caktuar dhe për ta përafruar atë me standardet europiane.

Një tjetër risi që sjell fondi IPA II është edhe qasja buxhetore. Këto fonde nuk akordohen në mënyrë automatike për çdo shtet apo edhe për çdo operator të çfarëdolloj fushe. Granti IPA II kërkon realizimin e një sërë kriteresh dhe kushtet, para se fondet të disbursohen për aplikantët.

Një ndryshim tjetër është dhe fakti që nga ky grant mund të përfitojnë pa dallim të gjitha vendet edhe nëse janë kandidatë apo kandidatë potencialë. Së fundmi, IPA II i jep një rëndësi të madhe disbursimit të fondeve si dhe ofron mundësinë e një shtese në fonde nëse pas vlerësimit, rezulton se vendet janë në rrugën e duhur.

SCAN Magazine

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme