spot_img
HomeBUJKUShartimi

Shartimi

spot_img

Shartim quhet teknika e vendosjes së një pjese bimore mbi një bimë tjetër, në mënyrë të tille që ato të bashkohen dhe të vazhdojnë të zhvillohen si një bimë e vetme. Bima që shartohet quhet mbi shartesë dhe ajo mbi të cilën bëhet shartimi quhet nënshartesë sipas mënyrës që bëhen dallojmë shartim me afrim, shartim me kalem dhe shartim me syth.

Qëllimet e shartimit Shartimet kanë për qëllim: 

  1. Të shtohen kultivarë të cilët me mënyra të tjera shtimi shtohen me vështirësi ose nuk shtohen fare.
  2. Të zëvendësojmë një pjesë të një bime me atë të një bime tjetër.
  3. Të korrigjojmë dëmtime që janë bërë nga agjentë të ndryshëm.
  4. Të bëjmë që një sistem rrënjor të ushqejë më tepër së një varietet apo një varietet të ushqehet nga më shumë së një sistem rrënjor.
  5. Të kontrollojmë formën e kurorës dhe fuqinë rritëse të pemës.
  6. Të bëjmë përshtatjen e kultivarëve të ndryshëm në ambiente klimatike dhe tokësore pothuaj të papërshtatshme për ta.
  7. Të shmangin prekjen e kultivarëve nga sëmundje dhe dëmtues të ndryshëm.

Shumëzimi vegjetativ përbën një klasë të madhe në të cilën mund të nënvizojmë tipet më kryesore;

1- shumëzimi me copa

2- shartimi

3- mikroshumëzimi

Shumëzimi me copa: përbën një metodë mjaftë tradicionale dhe që ndryshon për sa i përket natyrës së materialit që përdoret prej nga merr dhe emërtimin.

– copa druri të shkurtra

– copa druri të gjata

– gunga ose ovula

– pllaka kambiumi trungu

– këmbëza

– copa rrënjësh

Shumëzimi me shartim. Do të thotë një filiz i rrjedhur prej farës shartohet me një kalem ose syth të një varieteti tjetër. Llojet e shartimit janë:

  1. Shartim me kalem (në kurorë nën lëkurë dhe me të carë).
  2. shartim me syth (me dollap, unazë, dhe në formë të germës T)

Shumëzimi in –vivo. Përbën një shumëzim me copa ose eksplante të gjelbra që zakonisht aplikohet me teknikën e nebulizimit, me përdorimin e fito rregullatorëve të rritjes që favorizojnë

dhe ndihmojnë rhizogjenezën. Është një metodë e re që ka marrë zhvillim në 20 vitet e fundit dhe synon në sigurimin e një numri të madh homologesh prej çdo bime mëmë dhe që prodhohet në kohë mjaftë të shpejtë. Metodat që përdoren më shpesh janë:

  1. shumëzim me copa të gjelbra me gjethe
  2. shumëzim me copa njëvjeçare

Mikroshumëzimi

Është një metodë që aplikohet kryesisht për prodhimin dhe riprodhimin e kultivarëve ose kloneve, shëndetësimin prej bakteriozave ose viruseve si dhe ruajtjen e materialit gjenetik në ex situ. Metodat që aplikohen janë:

– eksplante nga maja sythi

– eksplante prej nyje

– eksplante prej rrënje ose organe të tjera

Teknika tradicionale shumëzimi:

Shumëzimi është i thjeshtë nëse aplikohen metoda tradicionale (copa druri, këmbëza, shartimi etj) por, mund të jetë i vështirë dhe delikat kur aplikohen teknika moderne shumëzimi (in vivo, in vitro). Cilado qoftë metoda e shumëzimit, fidani duhet të plotësojë disa parametra teknike dhe ekonomike dhe që renditen si më poshtë:

– varieteti që shumëzohet dhe përhapet duhet t’i përgjigjet objektivave të prodhimit të parashikuar sipas kërkesave të tregut.

– Cilësi fitopatogjene e fidanëve, veçanërisht përballë Pseudomonas dhe verticilium.

– Homogjenitët i fidanëve në fidanishte: si kusht për të siguruar një homogjenitet në pemëtoren e ullishtës së re të krijuar.

Metodat e shtimit vegjetativ që përdoren për prodhimin e fidanëve drunorë dhe llojeve të tjera: shartimi, mënyrat e shartimit.

Mënyrat e shtimit që përdoren për prodhimin e fidanëve drufrutorë Sipas materialit të përdorur si mbishartese dallojmë:

1- Shartim me syth

2- Shartim me kalem

Shartimet me kalem zakonisht kryhen herët në pranverë kur temperatura ka arritur kufirin e duhur për të formuar kallusimin zakonisht, mbi 18 gradë. Dallojmë disa lloje shartimi me kalem si: Shartimi me afrim, shartimi me urë, shartimi nën lëkurë, shartimi me çarje, shartim me kopulim, shartimi anësorë etj. Shartimi me afrim është shartimi me i vjetër konsiston në bashkimin e dy pjesëve të bimëve të ndryshme të cilat ushqehen secila me sistemin e vetë rrënjor.

Shartimi me urë dhe Shartimi anglez

Shartimi me urë aplikohet në rastet kur janë bërë gabime në zgjedhjen e nënshartesës ose kur pema është dëmtuar në pjesën e trungut, dhe mungon të paktën ¼ e lëvores rreth trungut.

Në rastin e parë, kur është bërë gabim me nënshartesën zgjidhen filiza të nënshartesës së re të cilat mbillen pranë bimës ku do të zëvendësohet nënshartesa. Zgjidhet dega sipërme e filizit , kur ai ka shumë degë, i bëhet një prerje në formë pile, nga poshtë – lartë duke mbajtur briskun në pozicion 45 gradë. Këtë pjesë të prerë e vendosim tek pjesa e trungut, mbi vendin e shartuar, ku kemi bërë një prerje në formë T me kokë poshtë.

Shartimi bëhet kur ndahet lehtë lëvorja nga druri në çdo kohë gjatë vegjetacionit. Për një bimë mund të përdoren 1 ose disa filiza. Në rastin kur është dëmtuar lëvorja shartimi me urë synon të bashkojë dy pjesët midis vendit të dëmtuar. Në këtë rast bëhet prerje e lëvores së dëmtuar për ta prure atë në një vijë dhe përgatiten kalemat nga vetë bima e dëmtuar. Kalemat kanë gjatësi rreth 10 cm më tepër së gjerësia e shiritit të dëmtuar.

Kalemi pritet në formë pile në të dy skajet e tij dhe vendoset në prerjet pingule me vijën e unazës së dëmtuar. Ura mundëson kalimin e limfës së përpunuar nga pjesa e sipërme në atë të poshtmen nëpërmjet floemës së kalemave.

Shartimi anglez ose shartimi me kopulim

Shartimi me kopulim aplikohet tek hardhia dhe tek disa pemë frutore që kallusojnë lehtë Për të realizuar shartimin me kopulim duhet që të dy komponentët të kenë të njëjtën trashësi.

Duke e mbajtur briskun 45 gradë bëjmë prerje të nënshartesës, prerja duhet të bëhet menjëherë. Të njëjtën gjë bëjmë edhe tek mbishartesa e cila është një kelem me 1-2 sytha. Pastaj bashkohen të dy faqet e prera duke patur kujdes që të kemi përputhje të mirë të zonave kambiale, të paktën në njërën anë.

Është i njëjtë me shartimin e thjeshtë vetëm së në të dy të prerat e komponentëve bëhet një gjuhës, (një çarje) duke filluar në 1/3 e përfundimit të prerjes. Gjuhëzat futen tek njëra tjetra duke rritur në këtë mënyrë sipërfaqen e kontaktit dhe qëndrueshmërinë e të dy komponentëve të shartuar.

Shartimi anësor apo lateral dhe shartimi në Tavolinë

Përdoret tek bimët e gjinisë juniperus. Realizohet në muajt nëntor, dhjetor në bimët në sera. Një pjesë e kërcellit, 5-7,5 cm lart sipërfaqes pastrohet nga degët anësore dhe përgatitet për shartim. Në vendin e përgatitur vendoset presa e briskut me kënd 45 gradë me boshtin vertikal dhe bëhet një prerje duke ulur briskun poshtë. Bëhet një prerje sa ¼ e diametrit të kërcellit, aq sa duhet të jetë gjatësia e prerjes së kalemit. Kalemi përgatitet me 1-2 sytha në formë pile nga të dy anët. Prerja bëhet e tillë që në njërën anë që do. Të jetë dhe ana e jashtme të jetë më e trashë. Pastaj vendoset kalemi duke patur gjithmonë përputhjen e pjesëve midis lëvoreve (këmbimeve) dhe bëhet lidhja. Prerja e mbishartesës bëhet kur bima mbillet në vendin e përhershëm.

Shartimi në tavolinë

Aplikohet tek molla kur bëhet shartimi i copave rrënjore dhe tek hardhia. Quhet në tavoline sepse nënshartesa është e shkëputur nga toka dhe shartimi realizohet në tavolinë përdoret mënyra e shartimit anglez, i thjeshtë me gjuhës.

Shartimi kryhet në Janar- Shkurt ose në Nëntor-Dhjetor. Kur shartimi bëhet në janar -shkurt copat e shartuar vendosen në material lagështimbajtëse (myshk ose pluhur sharre), mbështillen me polietilen dhe mbahen në temperatura 1,7-4,4 gradë deri në mbjellje.

Kur shartimi bëhet në nëntor- dhjetor ato ruhen për 1-2 javë në temperaturën 12,8-15.6 gradë që të ndodhë kallusimi dhe pastaj ruhen 1,7- 4,4 gradë deri në mbjellje.

Për shartimin e hardhisë do të flitet tek prodhimi i fidanëve të hardhisë.

Shartimi me çarje dhe me syth

Kjo metodë përdoret tek pemët e mëdhaja kur duam të ndryshojmë varietetin për arsye të ndryshme (për arsye tregtare ose kur duam të bëjmë vlerësimin e ndonjë kultivari të ri, mbasi me këtë metodë futet shpejtë në prodhim. Zbatohet zakonisht herët në pranverë para së të kenë shpërthyer sythat. Bëhet në trung të pemës, në degët e para apo të dyta skeletore.

Mbishartesat duhet të jenë marrë gjatë qetësisë relative, para shpëtimit të sythave, mund të jetë me çarje të plotë ose me çarje të pjesshme.

Shartimi me çarje të plotë bëhet kur nënshartesa ka diametër të barabartë me mbishartesën ose pak më të madh. Nënshartesa pritet tek vendi ku do të shartohet, dhe çahet në thellësi 5-10cm.

Zakonisht përdoren 1-2 kalema sipas trashësisë së nënshartesës. Kalemat kanë gjatësi 5-10cm dhe përmbajnë 2-3 sytha.

Kalemat përgatiten duke i prerë në të dy anët, si në rastin e shartimit anësor, në formë pyke ku njëra anë është pak më trashë. Në vazhdim kalemat vendosen në anë të nënshartesës së çarë, në mënyrë të tillë që shtresat kambiale të përputhen. Kur nënshartesa është më e trashë kalemi vendoset pak më brenda lëvores së nënshartesës. Më pas bëhet lidhja duke patur parasysh të mbulohet me shiritin lidhës gjithë gjatësia e prerë dhe lyhen pjesët e prera të kalemit dhe nënshartesës me mastiç shartimi.

Shartimi me çarje të pjesshme

Kjo metodë zbatohet atëherë kur nënshartesa është shumë e trashë.

Shartimi nën lëkurë ose në formë kurore

Quhet nën lëkurë sepse kalemi vendoset nën lëvoren e cila në momentin e shartimit duhet të shkëputet lehtë nga druri dhe quhet kurorë sepse kur nënshartesa është e trashë vendosen disa kalema rreth nënshartesës së prerë. Edhe kjo mënyrë aplikohet tek pemët e rritura, në trung dhe degë skeletore me diametër të madh. Bëhet në pranverë, kur ka filluar lëvizja e lëngjeve limfatike dhe lëkura shkëputet lehtë.

Kalemat për shartim merren në periudhën e qetësisë dhe ruhen deri në momentin e shartimit. Nënshartesa prihet me sharrë kur është e trashë, lëmohen mirë anët me brisk të prehtë për të mos lënë qeliza të shkatërruara në zonën kambiale dhe bëhen prerje vertikale të lëvores nga vendi i prerë me gjatësi 5-10cm. Kalemi përgatitet në formë pile duke mbajtur briskun në pozicion 45 gradë me boshtin e degëzës , mundësisht me një prerje. Brisku duhet të jetë shumë i mprehtë. Kalemat që mund të jenë 2-3 vendosen nën lëvoren e prerë dhe bëhet lidhja dhe lyerja me mastiç i pjesëve të prera të nënshartesës dhe kalemit.

Shartimet me syth

Si mbishartesë përdoret vetëm një syth i nxjerrë bashkë me lëvoren në gjatësi 3. 5-5 cm. Sythi i nxjerrë vendoset tek nënshartesa dhe bëhet lidhja. Nënshartesa në pjesën e sipërme të sythit pritet. Kur shartimi bëhet në pranverë pritet menjëherë pas shartimit, ndërsa kur shartimi bëhet në fund të verës prerja bëhet para së të fillojë vegjetacioni i ardhshëm.

Shartimi me syth ka këto avantazhe:

a- Është metodë e shpejtë dhe e përshtatshme për prodhim e fidanëve

b- Realizohet në gjithë periudhën e vegjetacionit.

c- Është ekonomik në materialin e mbishartesës.,.

d- Është i pranueshëm edhe për pemët që nuk durojnë plagosje, mbasi shkaktohet sëmundja e dyllit siç është pjeshka, qershia dhe kajsia.

Sipas kohës së kryerjes dallojmë shartim me syth të fjetur, të zgjuar dhe me zgjim në qershor. Më tepër përdoret shartimi me syth të fjetur. Teknika e shartimit është e njëjtë vetëm së në shartimin me syth të zgjuar kalemat merren gjatë periudhës së qetësisë relative dhe ruhen deri në momentin e shartimit, ndërsa për shartimin në qershor dhe me syth të fjetur. Kalemat për përgatitjen e sythit merren në momentin e shartimit.

Gjithashtu mbishartesa në shartimin me syth të zgjuar pritet menjëherë pas shartimit, në shartimin në qershor nënshartesa pritet në momentin e shartimit por duke lënë 4-5 gjethe mbi vendin e shartimit, ndërsa në shartimin me syth të fjetur nënshartesa pritet vitin e ardhshëm para së të fillojë vegjetacioni.

Nënshartesat për shartim zakonisht duhet të jenë 1-2 vjeçare, trashësia me e pranueshme është ajo e lapsit deri në 1,5 cm. Zgjidhet një vend i lëmuar 5-8cm mbi qafën e rrënjës, pastrohet nga degët anësore dhe aty në anën veriore bëhet një prerje në formën e germës T. Bishti i gërmes është 3,5-5 cm ndërsa koka sa 1/3 e bishtit, pastaj përgatitet sythi duke filluar prerjen 1,5 cm mbi syth dhe vazhdohet deri në 2 cm poshtë sythit. Me pjesën e prapme të briskut hapet lëvorja dhe vendoset me kujdes sythi duke patur parasysh që të futet komplet sythi. Nëse nuk arrin pjesa e sipërme pritet rrafsh me kokën e T-së, më pas bëhet lidhja duke filluar nga poshtë – lartë që të vendoset lidhja si tjegullat e çatise, për të penguar depërtimin e lagështisë.

Sipas mënyrës së shartimit dallojmë:

Shartimin me syth të zakonshëm që përmendëm më sipër Shartimin e dyfishtë, shartimin me dollap dhe shartimin me plaketë Shartimi i dyfishtë përdoret në rastin kur nuk ka përputhshmëri midis nënshartesës dhe mbishartesës.

Në këtë rast mbishartesës i ngjitet një copë dru bashkë me lëvoren në formë gjuhës. Gjuhëza merret nga kultivarë që kanë përputhshmëri me nënshartesën.

Gjuhëza nxirret nga kultivari ndërmjetës, duke hequr në fillim një copë të vogël 2-3 cm nga ku merret lëvorja me pak dru. Pastaj nxirret gjuhëza duke prerë një copë të hollë mbi vendin e prerë të lastarit të ndërmjetësit. Kjo copë e vogël duhet të ketë gjerësi aq sa edhe sythi që do të shartohet. Gjuhëza vendoset nga ana e prerë e sythit që do të shartohet. Duhet bërë kujdes që të përputhen mirë të dyja pjesët midis lëvores dhe drurit. Sythi bashkë me gjuhëzën vendosen tek nënshartesa e prerë në formë T dhe lidhet si në rastin e sythit të zakonshëm. Ndërmjetësi eliminon mos përputhshmërinë pasi formon gypa përçues të ndërmjetëm që lidhin nënshartesën me mbishartesën.

Shartimi me dollap

Përdoret tek agrumet, ulliri, fiku etj. Quhet me dollap sepse përgatitja e nënshartesës bëhet në formë dollapi duke bërë dy prerje paralele në largësi 2- 3cm dhe një prerje në mes e cila lejon hapjen e lëvores në dy pjesë si kanatat e dollapit. Aq sa është largësia midis dy prerjeve, është dhe gjatësia e sythit që do të shartohet. Sythi përgatitet duke bërë dy prerje paralele me njëra- tjetrën dhe largësia aq sa ajo e prerjeve të nënshartesës, bëhen dhe dy prerje anësore dhe nxirret

sythi duke veçuar lëvoren e kufizuar nga prerjet dhe vendoset brenda faqeve të dollapit, duhet të sigurohet përputhja e prerjeve paralele. Shartimi bëhet kur lëvorja ndahet lehtë nga druri, gjatë periudhës së vegjetacionit.

Shartimi majorkin

Përdoret tek pemët, tek të cilat lëvorja nuk ndahet lehtë nga druri, edhe gjatë vegjetacionit si tek hardhia. Bëhet në pranverë, pak kohë para së të ketë filluar vegjetacioni. Lastarëve që do të përdoren për nxjerrjen e sythave u shkurtohet ¼ e pjesës së majës për të eliminuar përdorimin e sythave të pa formuar apo të dëmtuar gjatë dimrit.

Sythi nxirret me gjatësi 2,5-5 cm, duke filluar prerjen 1.2-2,5 cm mbi syth duke zbritur poshtë prerja bëhet më e thellë. Prerja përfundon poshtë sythit 1.2-2,5 cm. Në fundin e sythit bëhet një prerje vertikale me prerjen e parë dhe nxjerrim sythin bashkë me pjesën e drurit. Të njëjtën prerje

bëjmë dhe tek nënshartesa. Pjesa e hequr e nënshartesës duhet të ketë formën dhe madhësinë e nënshartesës. Sythi vendoset në pjesën e hequr të nënshartesës, ku duhet të përputhet në të gjitha konturet e formuara nga prerja e nënshartesës. Më pas bëhet lidhja si në rastin e shartimit me syth të zakonshëm.

Mbledhja dhe ruajtja e lastarëve të mbishartesave

Me termin mbishartesë kuptojmë sythin apo copën e lastarit që përmban 2-3 sytha ose siç e kemi quajtur kalem. Nënshartesa duhet të jetë e njëjtë me kultivarin që duam të shartojmë, të jetë e pastër nga insektet, myshqet, bakteret dhe viruset dhe e pjekur mire, nëse nuk janë të formuar mirë, bëhet formimi i tyre artificial duke këputur majat e lastarëve nga do të merret mbishartesa 1-2 javë para shartimit. Kalemat apo sythat mund të merren nga lastarë të vitit në vazhdim, të vitit të kaluar apo nga lastarë shumë vjeçare siç ndodh tek agrumet dhe tek fiku. Sythat më të përshtatshëm janë ata drunorë ose të përzierë (tek bërthamorët), rrallë kur duam të bëjmë vlerësimin e ndonjë kultivari të ri përdorim sytha frutorë, për të marrë fruta qysh në vitin e parë të shartimit.

Duhet të kemi parasysh që sythat që përdoren për shartimet në verë dhe ato në pranverë të mos jenë në qetësi biologjike. Edhe sythat që përdoren për shartimet në pranverë duhet të kenë kaluar fazën e qetësisë biologjike. Meqenëse ata merren herët, për të shmangur rrezikun e çeljes para shartimit ata duhet të ruhen në ambiente të ftohta për të plotësuar nevojat me temperaturë të ftohta. Për këtë degëzat e mara në periudhën e qetësisë relative ruhen në temperaturë të ftohtë (2-4,5gradë) deri në 3-8 ditë para shartimit. Pastaj ato vendosen për 3-8 ditë në temperaturën 24-27 gradë për të nxitur aktiviteti e kambiumit. Degëzat e mara në dimër ruhen në ambiente   lageshtimbajtëse (rëre e lagur, myshk, pluhur sharrë)të grupuara 25-30 bashkë dhe të vendosura  në arka apo në qeska plasmasi.

Lastarët e marrë gjatë vegjetacionit nuk ruhen në ambiente me material lagështi mbajtës, por përdoren menjëherë ose ruhen për disa ditë në ambiente të ftohta 2-4,5 gradë. Gjatë shartimit në verë nënshartesat duhet të mbahen të mbështjella me pambuk të lagur.

Transporti i copave të gjelbërta bëhet në ambiente frigoriferi në temperaturën e lartpërmendur. Degëzat e mbishartesave gjithmonë duhet të shoqërohen nga etiketa, ku shënohet lloji i pemës, varieteti dhe data e marrjes.

Shtimi me farë ose shtim seksual

Një bimë e ardhur nga fara, zakonisht nuk i ruan cilësitë e bimës mëmë nga është marrë. Kështu që gjatë zhvillimit të bimës pasardhëse do të kemi bashkim të gjeneve që kodifikojnë veçori të njëjta duke i kthyer këto veçori nga reçensive në dominant. Bima e re që do të dalë nuk do të ruajë cilësitë e bimës mëmë. Ka vetëm disa raste ku embrioni nuk ka ardhur si rezultat i bashkimit të dy gametëve, por nga diferencimi i qelizave të nucelës së vezores, që janë qeliza homozygote. Në këtë rast bimët e dala nga farat e tilla që quhen fara apomiktike, ruajnë plotësisht karakteristikat e bimës mëmë nga është marrë fara .Kjo ndodh tek agrumet dhe tek disa specie të gjinisë rubus. Zakonisht shtimi me fare përdoret për prodhimin e nënshartesave.

Shartimet

Shartim quhet teknika e vendosjes së një pjese bimore mbi një bimë tjetër, në mënyrë të tillë që ato të bashkohen dhe të vazhdojnë të zhvillohen si një bimë e vetme. Bima që shartohet quhet mbi shartesë dhe ajo mbi të cilën bëhet shartimi quhet nënshartesë.

Sipas mënyrës që bëhen dallojmë shartim me afrim , shartim me kalem dhe shartim me syth. 

Qëllimet e shartimit u përmendën më lart në tekst.

Faktorët që ndikojnë në suksesin e shartimit

Suksesi i shartimit varet nga afërsia botanike e dy komponentëve, nga kontakti i kambiumit, nga aktiviteti i kambiumit të nënshartesës, nga kushtet e ambientit, nga lloji i bimës, teknika e shartimit, prekja nga viruset, kërpudhat dhe dëmtuesit, koha e shartimit dhe mbrojtja e komponentëve të shartimit pas shartimit.

Ndikimi i faktorëve të ambientit

Temperatura në procesin e formimit të kallusit është e domosdoshme Formimi i kallusit rritet duke filluar nga temperaturë 12,8-32 gradë. Mbi 32 gradë ulet intensiteti i formimit të kallusit. dhe në temperaturat 40 gradë ndodh vdekja e qelizave.

Temperaturat optimale për të siguruar zënie të mirë të shartimit është 25-30 gradë që arrihet vonë në pranverë.

Përveç temperaturës rëndësi të veçantë ka dhe lagështia ajrore e cila duhet të ruhet e lartë në ambientin rreth shartimit. Kjo arrihet duke lyer pjesët e prera me mastiç të para përgatitur. Veç duhet ditur së në suksesin e shartimit rol luan dhe prania e oksigjenit përmbajtja e të cilit në ambientin rreth zonës së shartuar duhet të jetë e lartë për arsye së formimi i kallusit shoqërohet me intensitet frymëmarrje.

Teknika e shartimit dhe shartuesi luan rolin kryesor në suksesin e shartimit, shartuesi duhet të ketë përvojë dhe të ushtrohet para së të futet për të bërë shartime të masës komerciale.

Prerjet duhet të jenë të menjëhershme, me thika të prera mirë dhe të sigurojnë kontakt sa më të madh të kambiumit të dy komponentëve që shartohen.

Infeksioni nga viruset dhe bakteret dhe prekja nga insektet

Prania e viruseve në komponentët e shartuar ul përqindjen e shartimit dhe fuqinë rritëse të komponentëve të shartuar. Po kështu dhe dëmtimi nga dëmtues të ndryshëm nuk duhet nënvleftësuar. Ndonjë herë baktere dhe myshqe të ndryshme infektojnë vendin e shartimit duke penguar zënien e tij. Kjo eliminohet duke bërë nisifektime paraprake të mbishartesës dhe nënshartesës me preparatet e përshtatshëm.

Hormonet

Megjithëse në shtimin in vitro përmendet së prania e auksinave nxit formimin e kallusit në përpjekjet që janë bërë deri tani për përdorimin e tyre nuk është vërejtur ndikim.

Ruajtja e komponentëve të shartimit pas shartimit

Pjesët e prera të komponentëve të shartimit duhet të mbrohen nga veprimi i erës, i diellit dhe shiut. Kjo arrihet me anë të kryerjes së shpejtë të operacioneve, si prerjeve, vendosjeve dhe lidhjeve.

Koha e shartimit

Me kohën e shartimit lidhet temperatura e nevojshme për kakusim 20- 30 gradë. Dhe veçimi i lëvore nga druri i nënshartesës dhe mbi shartesës kur bëhet fjalë për shartimin me dollap dhe me syth pa dru dhe veçimi i lëvores nga druri vetëm për nënshartesën për shartimet me syth, me dru

dhe ato me kalem. Lëvorja veçohet lehtë nga druri në gjithë periudhën e pranverës deri në fund të verës, me përjashtim të rasteve kur toka është e thatë dhe sidomos kur kjo thatësi shoqërohet me thatësi ajrore dhe fryrjen e erërave të forta dhe të thata. Për këtë duhet të shmangen shartimet në ditët me shira, me erëra të forta dhe me diell të fortë.

Etapat e shartimit me kalem

Ngjitja e dy komponentëve në shartimin me kalem kalon nëpërmjet këtyre etapave:

a- Kontakti. Indet e freskëta të mbishartesës me një aktivitet të fuqishëm të meristemës vijnë në kontakt të ngushtë me të njëjtët inde të nënshartesës, në mënyrë të tillë që kambiumet e të dy komponentëve të kenë kontakte direket. Lagështia dhe temperatura duhet të jenë të tilla që të nxisin ndarjen e qelizave në zonat e prerjes.

b- Formimi i kallusit. Qelizat e kambiumit të nënshartesës dhe mbishartesës duke u ndarë prodhojnë qeliza parenkimatike, të cilat formojnë kallusin indor.

c- Disa qeliza kambiale që ndodhen në tagentën midis kambiumit të të dy komponentëve prodhojnë qeliza të reja kambiumi.

d- Qelizat e reja kambiale prodhojnë inde të reja përçimi, nga brenda dru dhe nga jashtë libër duke realizuar në këtë mënyre komunikimin e limfës së pa përpunuar dhe asaj të përpunuar ndërmjet dy komponentëve.

Qelizat e kallusit janë shumë të buta dhe delikate. Në mungesë të lagështisë ajrore ato thahen duke ndikuar ndjeshëm në suksesin e shartimit. Për këtë mbulimi i të prerave me mastiç shartimi është I domosdoshëm dhe në rastet kur nuk bëhet mbulimi me mastiç ,shartimi në tavolinë I hardhisë, ato vendosen në anën që përmbajnë lagështi të lartë (rërë, tallash) Gjate shartimit me kalem është e nevojshme që të dy komponentët të jenë të shtrënguar fort në mënyrë që të realizohet difuzimi i kallusit të të dy komponentëve. Kjo realizohet me anë të lidhjeve.

Rëndësi ka gjatë shartimit të përputhen të dyja zonat kambjumale. Kjo realizohet në nëpërmjet prerjeve të lëmuara dhe vendosjes me kujdes të mbishartesës duke përputhur mirë vijën midis lëvores dhe drurit të të dy komponentëve. Nëse nuk mundet përputhja e gjithë zonës kambjale të paktën duhet ta realizojmë atë pjesërisht.

Në shartimin me syth kallusi formohet kryesisht nga nënshartesa, nga rrezet palcore.

Mospërputhshmëria në shartim shkaqet dhe korrigjimi i mospërpuethshmërisë

Vetia e dy bimëve të ndryshme të bashkohen me anë të shartimit dhe të zhvillohen duke dhënë një bimë të plotë, me jetëgjatësi normale dhe pa probleme morfologjike dhe fiziologjike quhet përputhshmëri, ndërsa e kundërta quhet mospërputhshmëri.

Simptomat e mospërputhshmërisë

Simptomat kryesore të mospërputhshmërisë që shfaqen tek pemët frutore të shartuara janë:

a- Defekte në pikën e shartimit, mos ngjitje e mirë në pikën e shartimit.

b- Zverdhje e gjetheve në fund të vegjetacionit, rënie e parakohshme e gjetheve dhe në përgjithësi një paraqitje e dobët e gjithë pemës.

c- Tharje e parakohshme e pemës e cila mund të rrojë vetëm 2-3vjet.

d- Ndryshueshmëri të dukshme në fuqinë e rritjes së lastarëve të nënshartesës dhe mbishartesës.

e- Ndryshueshmëri midis nënshartesës dhe mbishartesës në kohën e vegjetacionit.

f- Hiperplazi të trungut në vendin e shartimit hiperplazia mund të jetë mbi vendin e shartimit apo nën vendin e shartimit.

Shfaqja e një apo më shumë nga këto simptoma nuk do të thotë së është pasojë e mos përputhshmërisë. Simptoma të tilla mund të shfaqen edhe nga kushtet e papërshtatshme të ambientit, si mungesa e ujit mungesa e ndonjë elementi ushqyes, prekje nga dëmtues dhe sëmundje si dhe defekte në realizimin e shartimit.

Mospërputhshmëria shfaqet dhe me thyerjen në vendin e shartimit, veçanërisht kur kanë kaluar disa vite nga momenti i shartimit. Kjo mund të ndodhë 2-3 vjet pas shartimit siç ndodh kur shartohet kajsia mbi bajamen, ose thyerja mund të ndodhë shumë më vonë kur pema ka përfunduar rritjen dhe është gati për tu futur në prodhim siç ndodh me kultivarët e kajsisë të shartuar mbi kumbullën mirabolana

Megjithëse dihet që shkaku i mospërputhshmërisë është ndryshueshmëria gjenetike që kanë të dy komponentët akoma nuk dihet mekanizmi i veprimit. Kështu nëse koha e rritjes intensive të dy komponentëve nuk përputhet, kjo ndikon negativisht në bashkimin e dy komponentëve të shartuar.

Gjithashtu edhe koha e fillimit dhe e mbarimit të vegjetacionit të mbishartesës dhe nënshartesës ndikon në bashkëjetesën e dy bimëve të shartuara. Një tjetër mekanizëm i mundshëm është ai i ndryshimeve fiziologjike dhe biokimike midis dy komponentëve. Kjo është studiuar tek mos përputhshmëria e disa kultivarëve të dardhës me ftoin.

Mospërputhshmëria e pjeshkës me kumbullën mariana është anatomike bëhet bashkimi dhe komunikimi i mirë i gypave të drurit dhe nuk bëhet ku bashkim midis gypave të liberit. Si pasojë sistemi rrënjor nuk furnizohet me lëndë organike dhe bima pak kohe pas shartimit bima e shartuar dhe e bashkuar vyshket dhe thahet. Një shkak tjetër i mospërputhshmërisë është dhe prekja nga viruset dhe bakteret e ndryshme të vendit të shartimit.

Korrigjimi i mospërputhmërisë

Kur gabimisht është bërë shartimi i dy komponentëve që nuk përputhen dhe vërehet së bimët e zhvilluara do të thahen ndërhyjmë me shartimin në formë ure duke përdorur në këtë rast filiza nga nënshartesa me përputhshmëri të sigurt me mbishartesën Ndikimi i nënshartesës tek mbishartesa dhe anasjelltas.

Ndikimi i nënshartesës mbi madhësinë e kurorës. Nënshartesa ka ndikim të dukshëm mbi madhësinë e kurorës dhe tipin e lastarëve. Kështu kur dardha shartohet mbi gorrice ose mbi nënshartesa farore të vetë dardhës ka kurore të fuqishme dhe me degë të vendosura horizontalisht, ndërsa kur shartohet mbi ftua ka kurorë të kufizuar dhe me degëzime horizontale.

Pemët e shartuara mbi nënshartesa me rritje të dobët kërkojnë ujitje të rregullt dhe shërbime sistematike.

Ndikimi i nënshartesës në kohën e futjes në prodhim, në formimin e sythave frutor, dhe në sasinë e prodhimit të pemëve. Afati i futjes në prodhim të pemëve frutore varet në një masë të konsiderueshme nga fuqia e nënshartesës, nënshartesat me rritje të dobët shpejtojnë futjen e pemëve në prodhim, ndërsa nënshartesat e fuqishme e vonojnë atë.

Pemët e shartuara mbi nënshartesa me rritje të dobët japin më pak fruta për rrënjë në krahasim me ato të shartuara mbi nënshartesa me rritje të fuqishme, por prodhimi për njësi sipërfaqe është më i lartë në pemët e shartuara mbi nënshartesa të dobëta sepse numri i bimëve është më i lartë

Ndikimi i nënshartesës mbi madhësinë, cilësinë dhe pjekjen e frutave

Zakonisht tek pemët frutore nuk ka ndikim të dukshëm të nënshartesës tek mbishartesa, kështu kur shartohet dardha mbi ftua cilësitë e ftoit nuk shfaqen tek dardha si në formën e frutit ashtu dhe në shijen e tij. Po kështu dhe tek kajsia e shartuar mbi pjeshkë. Kjo vetëm për pemët frutore. Tek agrumet ndikimi i nënshartesës tek cilësitë e frutit është mjaft i dukshëm.

Ndikimi i nënshartesës në qëndrueshmërinë ndaj të ftohtit, thatësirës dhe ndaj sëmundjeve dhe dëmtueseve

Agrumet e shartuara mbi nerënxë apo limon i qëndrojnë më pak të ftohtit së ato të shartuara mbi mandarinë dhe sidomos mbi trifoliatë. Nënshartesa të ndryshme sillen në mënyrë të ndryshme ndaj thatësirës dhe lagështisë së tokës. Qëndrueshmëria e bërthamorëve ndaj lagështisë në tokë radhiten si më poshtë: mirabolana, pjeshka, kajsia, bajamja. Tek hardhia nënshartesat amerikane kanë qëndrueshmëri të lartë ndaj filokserës duke shmangur dëmtimin e hardhive evropiane nga ky dëmtues me përdorimin e tyre si nënshartesa.

Ndikimi i mbishartesave tek nënshartesa

Ndikimi i mbishartesave tek nënshartesa është po aq i rëndësishëm sa dhe ai i nënshartesës tek mbishartesa.

Ndikimi i mbishartesës në fuqinë e rritjes së nënshartesës

Tek molla, madhësia, natyra dhe tipi i sistemit rrënjor i cili zhvillohet nga filiza të mbjellë me fare që kanë shërbyer së nënshartesë, ndikohet së tepërmi nga mbishartesa. Nëse nënshartesa farore e mollës shartohet me kultivarin astracan i kuq sistemi rrënjor merr karakteristikat e atij xhufkor dhe nëse shartohet me kultivarët oldenburg dhe fameuse sistemi rrënjor mbetet boshtor

Ky ndikim çfaqet tek nënshartesat farore dhe jo tek ato vegjetative. Sistemi rrënjor i nënshartesës së mollës M9 është i njëjtë pavarësisht së mbi çfarë kultivari është shartuar. Mund të ndryshojë vetëm fuqia e sistemit rrënjor.

Ndikimi i kultivarit në qëndrueshmërinë ndaj të ftohtit të nënshartesës

ek disa kultivarë qëndrueshmëria e nënshartesës ndaj të ftohtit mund të ndikojë tek mbishartesa, kjo jo së nënshartesa e përcjell këtë veti tek mbishartesa, por ndikon me anë të kohëzgjatjes së aktivitetit të sistemit rrënjor deri në pjekjen e plotë të lastarëve.

Tek agrumet ndikimi i mbishartesës në qëndrueshmërinë ndaj të ftohtit është provuar tek nënshartesat e nerënxës të shartuara me kultivarin e limonit eureka, kultivarë shumë i ndjeshëm ndaj të ftohtit.

Pjesa e nënshartesës së nerënxës së shartuar u dëmtua plotësisht nga temperaturat e ultë ndërsa ato të pa shartuarat nuk pësuan të voglin dëmtim. Ndikimi reciprok i nënshartesës tek mbishartesa dhe anasjelltas shpjegohet me thithjen dhe përdorimin e lëndëve ushqyese, me transportin e lëndëve ushqyese dhe të ujit dhe me shkëmbime të auksinave të brendshme. /Gazeta Bujku / Pemëtaria e Përgjithshme/

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme