spot_img
HomeBUJKUSëmundjet dhe dëmtuesit e qepës

Sëmundjet dhe dëmtuesit e qepës

spot_img

Hiri i qepës (Leveillula taurica)

Është sëmundje e re, por në kushte tona nuk ka të dhëna për dëme ekonomike.

BIOLOGJIA E PATOGJENIT

Shkaktare e hirit të qepës është kërpudha Leveillula taurica.
Kërpudha depërton përmes stomave dhe zhvillohet në brendi të gjethes.
Formon spore dimëruese, ndërkaq gjatë vegjetacionit përhapet me spore vegjetative.

SIMPTOMAT

Në gjethe të qepës shfaqen njolla të verdha, në formë të rrumbullakët ose të zgjatura me diametër 5-15 mm. Më parë infektohen gjethet e moshuara, të cilat janë të mbuluara me një shtresë ngjyrë hiri. Njollat e reja kanë ngjyrë të bardhë në të përhitur.

MASAT E LUFTIMIT

Nuk ka të dhëna për masat e luftimit.

Vrugu i qepës (Peronospora destructor)

Sëmundja shfaqet gjatë motit me lagështi, që infekton qepën e rrallëherë hudhrën (Allium sativum) dhe preshin (Allium porrum).

BIOLOGJIA E PATOGJENIT

Organet e dimërimit janë oosporet në formë të rrumbullakët me membranë të trashë. Konidet formohen në lagështi të lartë relative 100% dhe në temperaturë optimale 13°C. Këto organe mbijnë në temperaturë 7-25°C. Sëmundja përhapet në mënyrë intensive gjatë motit të freskët dhe me lagështi. Sëmundja nuk bartet me anë të farës. Infektimi nga një vit në tjetërin bartet me bulëza të infektuara.

SIMPTOMAT

Sëmundja shfaqet në pjesën e brendshme dhe të jashtme të gjethes në formë të njollave të zgjatura me ngjyrë të verdhë, të mbuluara me shtresë myku me ngjyrë të përhitur.

Tharja e gjetheve dhe e kërcejve shpeshherë ndodh edhe nga infektimi i dytë nga kërpudha Alternaria porri. Kërpudha përmes gjetheve kalon në bulëza të qepës, të cilat shpejt kalben nga veprimi i mikroorganizmave të tjerë saprofitë.

MASAT E LUFTIMIT

Bëhet grumbullimi dhe djegia e gjetheve të infektuara dhe përdoret qarkullimi bimor. Bulëzat e qepës mbahen në afat prej katër orësh në temperaturë 41°C.
Mbajtja e bulëzave në diell në afat prej 15 ditësh ndikon në dobësimin e micelit që gjendet në luspa. Gjatë vegjetacionit përdoren preparatet në bazë të bakrit dhe fungicidet organike sintetike: Dithane M-45, Antracol në përqëndrim 0.25-0.30% ose Antracol bakri në përqëndrim 0.3-0.4%.

Kalbëzimi i hirtë (Botrytis aclada ,B. alli)

Është patogjeni më i rëndësishëm gjatë deponimit të qepës me luspa të kuqe.

BIOLOGJIA E PATOGJENIT

Luspat e qepës në pjesën e qafës janë të lagura, ndërkaq në fazën e mëvonshme zbuten, vyshken dhe thahen. Në fazën e kalbjes shfaqen masat e organeve të riprodhimit të kërpudhës si shtresë me ngjyrë të përhitur. Në luspa formohen sklerotët (disa kokërrza të zeza) me diametër 1-5 mm.

SIMPTOMAT

Në këtë proces marrin pjesë edhe format tjera të kërpudhës Botrytis. Kërpudha nga njëri vegjetacion në tjetrin bartet me anë të qepujkave të infektuara, por edhe me anë të farës së infektuar.

Vyshkja fuzariale (Fusarium oxysporum)

BIOLOGJIA E PATOGJENIT

Patogjeni qëndron në tokë në formë të micelit ose të klamidio-sporeve dhe bën kryesisht jetë saprofite. Përmban shumë forma dhe raca fiziologjike që dallohen në pikëpamje të aftësisë për të shkaktuar infektimin e qepës. Këto raca fiziologjike mund të infektojnë bimë të ndyshme. Kështu Fusarium oxysporum f.sp. cepae e infekton qepën.

SIMPTOMAT

Pjesët e infektuara të bimëve vyshken dhe nekrotizohen. Majat e rrënjëve të bimëve të reja kanë ngjyrë të kuqërremtë. Kërpudha Fusarium oxysporum është organizëm që jeton në tokë ose gjendet në mbeturina të infektuara bimore. Dimërimi dhe konservimi i kërpudhës sigurohet në mbeturina të infektuara bimore.

MASAT E LUFTIMIT

Qarkullimi bimor me bimë të qëndrueshme. Luftimi i drejtpërdrejtë i kërpudhës me Benomil. Përdorimi i këtij fungicidi për një kohë të gjatë ka mundësuar shfaqjen e specieve të qëndryeshme të kërpudhës.

Bloza e qepës (Urocystis cepulae)

Sëmundja është e përhapur në shumë vende të Evropës. Kërpudha infekton njomëzat e qepës, të hudhrës dhe të preshit, bimët e të cilave dëmtohen për 50- 70%.
BIOLOGJIA E PATOGJENIT

Kërpudha në pustule të fryra formon teliospore, që përmbajnë një qelizë e rrallëherë dy qeliza qendrore të plleshme në formë të rrumbullakët ose eliptike. Organet e ripordhimit ruajnë vitalitetin në tokë për një periudhë të gjatë kohore. Patogjeni bartet me anë të farës, ndërsa infektimi i bimëve shkaktohet me teliospore, që ruajnë aftësinë infektuese në tokë deri 20 vjet.

Infektimi i bimëve shkaktohet në temperaturë të tokës 7 – 25°C, kurse teliosporet mbijnë në temperaturë 3 – 33°C, optimale 12 – 22°C

SIMPTOMAT

Shenjat e sëmundjes duken në kotiledone dhe në gjethet e para në formë të pustuleve të zgjatura me ngjyrë të mbyllur, që përfshijnë një pjesë ose tërë gjethen.

Në krahasim me gjethet e shëndosha janë më të trasha, përdridhen dhe lakohen. Në fillim pustulet janë të fryra me ngjyrë të zezë të mbështjella me një cipë ngjyrë argjendi, të cilat çahet lehtë prej nga lirohen teliosporet.

MASAT E LUFTIMIT

Me përdorimin e farës së shëndoshë për mbjellje. Me qarkullimin bimor. Me dezinfektimin e farës me fungicide në bazë të tiramit, kaptanit, folpetit dhe karboksinit.

Ndryshku i qepës (Puccinia allii)

Kërpudha infekton qepën, hudhrën dhe preshin. Si pasojë e infektimit bimët ngecin në rritje dhe shkaktohet tharja e gjetheve. Prania e sëmundjes në disa vende e kufizon kultivimin e këtyre bimëve të rëndësishme.

BIOLOGJIA E DËMTUESIT

Kërpudha formon eciospore të rrumbullakëta ose eliptike të mbështjella me mur ngjyrë të zbehtë me diametër mesatar 16- 28 μm.

Urediniosporet njëqelizore kanë formë sferike ose vezake me membranë gjembore, pa ngjyrë, me madhësi 23-32×20-26 μm. Ndërkaq, pas çarjes lirohen teliosporet me ngjyrë të mbyllur. Kërpudha Puccinia allii dhe Puccinia porri janë të ngjashme, por ekzistojnë të dhëna se këto janë dy patogjenë të ndryshëm.

SIMPTOMAT

Në gjethet e para të bimëve të infektuara shfaqen eciet në formë të rrumbullakët ose pakëz të zgjatura me ngjyrë të verdhë. Gjethet e bimëve të infektuara rëndë vyshken dhe thahen. Më vonë shfaqen uredinet me urediniospore me ngjyrë të verdhë në formë çarjesh të epidermës. Nga fundi i vegjetacionit këto formacione shndërrohen në teliopustule me teliospore me ngjyrë të mbyllur.
MASAT E LUFTIMIT

Kërpudha dimëron në formë të teliosporeve në mbeturina të infektuara bimore. Për këtë shkak bëhet lërimi i thellë i tokës dhe qarkullimi bimor katër deri pesëvjeçar. Me përdorimin e farës së shëndoshë. Luftimi i drejtpërdrejtë bëhet me fungicide në bazë të bakrit dhe me ato sintetike.

Antraknoza e qepës (Colletotrichum circinans)

Është sëmundje që shfaqet në qepë me luspa të bardha, ndërkaq kultivarët me luspa të ngjyrosura janë të qëndrueshëm. Sëmundja ndikon në pamjen e qepës, por nuk e zvogëlon cilësinë e saj.

SIMPTOMAT

Në luspat e qepës shfaqen njolla me ngjyrë të errët të gjelbër deri në të zezë, të radhitura në formë të rrumbullakët. Kërpudha nuk futet thellë në indin e butë të qepës.

MASAT E LUFTIMIT

Me qarkullimin bimor. Ndërkaq, në ngastra të tilla mund të mbillen kultivarë me luspa të ngjyrosura.

Miza e qepës (Hylemyia antiqua)

Miza e rritur e qepës është e ngjashme me mizën e shtëpisë me madhësi 6- 8 mm. Larvat kanë formë cilindrike, me ngjyrë të verdhë në të bardhë, kurse në drejtim të kokës trupi ngushtohet me gjatësi deri në 10 mm.

Dëme shkakton larva e cila ushqehet në brendi të këcellit.
Bimët e dëmtuara vyshken, gjethet zverdhohen, gjethi i mesëm thahet tërësisht dhe shumë lehtë mund të shkulet. Nëse kërcellët e tillë çahen për së gjati, në to duken shumë larva të dëmtueses. Dëmet shkaktohen gjatë motit me lagështi. Dëmtime më të mëdha shkakton gjenerata e parë në pranverë. Ndërkaq, në kushtet tona shfaqen 2- 3 gjenerata.

MASAT E LUFTIMIT

Në ngastra të mëdha përdoren insekticidet në formë granulash, të cilat më parë futen në tokë në rende gjatë mbjelljes. Insekticidet e tilla janë :Volaton G-10 në dozë 10-15 kg/ha (100-150 g/100 m). Gjatë vegjetacionit për spërkatje mund të përdoren edhe insekticide të tjera siç janë: Basudin 40, Rogor 40, Dursban E-48.

Tenja e qepës (Acrolepia assectella)

Forma e rritur është flutur me madhësi 6-8 mm, me krahë të parë me ngjyrë të errët, me një njollë në pjesën e pasme, ndërkaq krahët e poshtëm kanë ngjyrë të çelur.

Dëme shkakton larva, e cila ushqehet me pjesën e brendshme të gjethes, por më vonë futet në brendi të kokës. Shenjat e para duken në gjethe në formë të njollave të zgjatura me ngjyrë të argjendtë. Dëmtuesi nuk shfaqet rregullisht, por gjatë disa viteve shkakton dëme.

BIOLOGJIA E DËMTUESIT

Dëmtuesi formon dy gjenerata, por në vende me klimë të nxehtë formon edhe gjeneratën e tretë. Dimëron në formë të insektit të rritur (si flutur), në vende të ndryshme të mbrojtura, në gjethe, por ndonjëherë dimëron edhe në formë të pupës në tokë.

MASAT E LUFTIMIT

Nga dëmtuesi mbrohen qepët e reja posa të duken shenjat e para të dëmtimit. Për këtë qëllim mund të përdoret ndonjë insekticid siç janë: Fastac 10% SC, Decis EC-1.25, Chromogor 40, etj. Kjo masë nuk përdoret në qepët që konsumohen në gjendje të freskët.

Tripsi i duhanit (Trips tabaci)

Tripsi është insekt me madhësi 1 mm. Ka dy palë krahë, ndërkaq larva është pa krahë me ngjyrë të verdhë në të gjelbër. Dëmet i shkaktojnë larvat dhe insekti i rritur, që i thithin lëngjet nga pjesët e njoma bimore. Rregullisht shfaqet në qepë, por dëme shkakton gjatë motit të thatë. Brenda një viti formon gjenerata, ndërkaq dimëron në formë të insektit të rritur. Rendimentet më të mira mund të arrihen në tokat aluviale, me strukturë të mirë dhe me reaksion neutral.

MASAT E LUFTIMIT

Për trajtim mund të përdoret njëri nga këto insekticide siç janë: Actelic 50, Fastac 10%, Decis Ec-1.25, Karate 2.5 EC etj. Kjo masë nuk përdoret në qepët që konsumohen në gjendje të freskët.

Nematodat

Në kulturën e qepës, hudhrës dhe purrinit dëme shkaktojnë nematodat e këcellit të gjinisë Ditylenchus. Nematoda e kërcellit (Ditylenchus dipsaci) paraziton shumë specie bimore (mbi 450 lloje). Nematoda dëmton pjesët nëntokësore dhe mbitokësore të bimëve siç janë: domatja, bizelja, spinaqi, fasulja, qepa, hudhra, purrini, etj.

SIMPTOMAT

Gjethet e infektuara të qepës janë të fryra, të vyshkura me ngjyrë të verdhë.

MASAT E LUFTIMIT

Në toka të infektuara, para mbjelljes së kulturës, përdoret Basamid në formë granulash. Para trajtimit me këtë preparat duhet të eliminohen të gjitha mbeturinat bimore dhe barërat e këqija në të cilat parazitojnë nematodat. Po ashtu, si masë mbrojtëse, rekomandohet përdorimi i qarkullimit bimor, ku në ngastra të tilla mbillen kultivarët e qëndrueshëm të jonxhës. Për mbjellje përdoret materiali i shëndoshë.

LUFTIMI I BARËRAVE TË KËQIJA

Qepa prodhohet në tri mënyra: me farë (mbjellja bëhet drejtpërdrejtë), me qepujka dhe me fidanë. Për këtë arsye edhe përdorimi i herbicideve dallon sipas mënyrës së mbjelljes së qepës.

Burimi: Qepa dhe Hudhra / Projekti Zvicran për Promovimin e Hortikulturës – Kosovë

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme