spot_img
HomeEKONOMIRezervat shtetërore të Kosovës mbulojnë nevojat për 20 mijë banorë

Rezervat shtetërore të Kosovës mbulojnë nevojat për 20 mijë banorë

spot_img

Në rast të fatkeqësive të mëdha natyrore apo luftës, Kosova ka rezerva të mbulojë nevojat e domosdoshme për 20 mijë banorë në kohëzgjatje për 20 ditë.

Grumbullimi i rezervave shtetërore ka nisur qe pesë vjet. Ato mund të shfrytëzohen për nevoja të furnizimit në raste të luftës apo fatkeqësive të ndryshme natyrore, thonë zyrtarët përgjegjës.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thonë se “buxheti vjetor për rezerva shtetërore vlerësohet i konsiderueshëm, por që nuk kanë dhënë ndonjë vlerë financiare”.

Por, në Planin Strategjik Afatmesëm dhe Programin vjetor të Rezervave Shtetërore të Mallrave 2016 – 2018, shuma e vlerave vjetore e mallrave arrin mbi 363 mijë euro.

Sipas këtij plani, rezervat shtetërore janë kryesisht produkte ushqimore, e që sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë janë “të mjaftueshme dhe të parapara sipas afateve kohore”.

Bazuar në Ligjin për Rezervat Shtetërore, kriter për përcaktimin e sasisë merret numri i popullatës dhe lloji i produktit, ku shtetet sipas prioriteteve të tyre dhe fuqisë ekonomike, sigurojnë mallrat.

Duke i pasur parasysh këto praktika si dhe mundësitë që i ka Kosova, është planifikuar që për nevojat e Rezervës Shtetërore të Mallrave, në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, sigurimi i grurit (nga i cili përfitohet mielli) të bëhet për 20 ditë për të gjithë popullatën, i sheqerit për 15 ditë për 20 mijë banorë, kurse nafta dhe derivatet e saj janë të rezervuara për tre ditë të importit të përgjithshëm vjetor.

Ndërkaq, artikujt tjerë joushqimor janë të planifikuar për nevojat e 20 mijë banorëve.

Në anën tjetër, sipas njohësve të kësaj fushe, rezervat shtetërore për nevojat e qytetarëve në raste të mundshme emergjente janë të pamjaftueshme.

Nazmi Mustafa, rektor në Kolegjin e Menaxhmentit Internacional “Globus”, për Radion Evropa e Lirë, thotë se rezervat shtetërore varen nga buxheti i shtetit, kështu që sipas tij, buxheti i Kosovës nuk mundëson sasi më të mëdha të rezervave shtetërore.

Buxheti i përgjithshëm i Kosovës për këtë vit është rreth dy miliardë euro.

“Në kuptim të një shteti dhe për çfarë parashihen rezervat shtetërore, buxheti i përgjithshëm i Kosovës është shumë i vogël. Kështu që rezervat janë të pamjaftueshme dhe të vogla. Buxheti i një shteti, por edhe i Kosovës është i varur nga zhvillimi ekonomik. Aty Kosova e ka humbur hapin”, thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë Mustafa, thekson se autoritet kompetente është dashur të grumbullojnë më tepër sasi të rezervave, kryesisht sasi të grurit.

“Rezervat e shtetit janë të tri kategorive: shteti duhet të këtë rezerva monetare, rezerva të mallrave komerciale dhe rezerva të mallrave strategjike”.

“Ushqimin nuk e di se në cilën kategori e kanë definuar institucionet e Kosovës, por gruri është një produkt që duhet të favorizohet me rezerva më të mëdha. Sepse ajo është një blerje prej prodhueseve dhe në raste të jashtëzakonshme mund të përdoret apo mund të shndërrohet për shtetin edhe si rezerva komerciale, në qoftë se tregu i Kosovës ka nevojë për eksport”, tha Mustafa.

Ndryshe, produktet që konsiderohen si rezerva shtetërore, menaxhohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore, që është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ndërsa sipas legjislacionit, kontraktohen operatorët ekonomikë privat për ruajtje, të cilët po ashtu mbikëqyren vazhdimisht, kurse vendndodhja e tyre sipas ligjit në fuqi, mbetet sekret shtetëror.

Përveç rezervave shtetërore të mallrave, Qeveria e Kosovës për çdo vit ndan edhe rezerva shtetërore buxhetore, gjysma e të cilave janë shpenzuar në tre mujorin e parë të këtij viti.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë se Financave, nga rreth 4 milionë e 800 mijë euro sa janë ndarë si rezerva shtetërore në bazë të Ligjit Vjetor të Buxhetit për këtë vit, deri në javën e parë të muajit mars janë shpenzuar mbi 2 milionë euro./REL

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme