spot_img
HomeBUJKUBlegtoriRëndësia ekonomike dhe prejardhja e dhive

Rëndësia ekonomike dhe prejardhja e dhive

spot_img

Dhitë mbarështohen me qëllim të shfrytëzimit të prodhimeve të tyre me vlerë të lartë ekonomike. Prej tyre fitohet qumështi, mishi, leshi, plehu, etj. Këto prodhime janë të vlefshme si ushqim për njeriun, si lëndë e parë për industrinë e veshmbathjes dhe për të ruajtur e rritur pjellorinë e tokës. Dhitë e shfrytëzojnë shumë mirë kullosën, livadhet, pyjet dhe bimësinë e ulët që gjendet në ato sipërfaqe.

Veçori biologjike e dhive është shfrytëzimi i ushqimeve të ndryshme, sepse duke pasur aparat tretës të tipit ripërtypës, i shfrytëzojnë mirë ushqimet voluminoze dhe i shndërrojnë ato në produkte blegtorale. Gjithashtu duke i shndërruar më mirë se çdo kafshë tjetër shtëpiake, ato i shfrytëzojnë burimet natyrore (kullosat, gjethet pyjor, anët e kanaleve, anët e rrugëve, etj.) edhe në vendet ku kafshët e tjera nuk mund të sigurojnë ushqim. Prandaj ato janë një sektor i rëndësishëm për bujqësinë.

Prejardhja e dhive

Të gjitha dhitë shtëpiake (capra hircus) kanë prejardhje nga tri forma burimore, edhe atë:

  • Capra egagrus ose Bezoari,
  • Capra falkoneri, dhe
  • Capra priska.

Bezoari – jeton në malet e Turqisë dhe Kaukazit. Ka brirë në formë shpate dhe nga kjo e kanë prejardhjen të gjitha racat e dhive me brirë në formë shpate.

Falkoneri – jeton në pjesën veri perëndimore të Indisë, ka brirë në formë spirale të varur dhe nga kjo e kanë prejardhjen dhitë me brirë në formë spiraleje.

Priska – është forma e egër e humbur (e zhdukur) e dhisë. Në bazë të mbeturinave të fosileve të gjetura, hulumtuesi Adamec mendon se Priska ka ekzistuar dhe nga kjo e ka prejardhjen dhia e Ballkanit.

Zbutja e dhive

Gjatë procesit të zbutjes (shtëpizimit) tek dhitë kanë ndodhur ndryshime të mëdha si në pikëpamje morfologjike, ashtu edhe në pikëpamje psikike. Ndryshimet më me rëndësi që kanë ndodhur gjatë procesit të zbutjes janë: Qimja e dhive të egra ka qenë dhe është e ashpër ndërsa e dhisë së zbutur është e butë dhe elastike, e sidomos e dhisë Angora. Ngjyra e qimes së dhive të egra është ngjyrë hiri në të murrme, ndërsa e dhisë së butë është e ngjyrave dhe nuancave të llojllojshme. Gjithashtu pa brirësia është shenjë e zbutjes, sepse të gjithë paraardhësit kanë qenë dhe janë me brirë. Sasia e lartë e qumështit që prodhojnë dhitë, gjithashtu është shenjë e shtëpizimit, prandaj dhia sot për nga prodhimtaria e qumështit është rekorde ndër kafshët shtëpiake (krahasuar me masën trupore). Edhe prodhimtaria e mishit te dhitë e buta është dukshëm më e lartë, krahasuar me dhitë e egra. Pjelloria e dhisë së sotme dukshëm është rritur në krahasim me të egrat, që është shenjë e zbutjes. Dhia e butë ka edhe ndërzim jashtë sezonal. Prekociteti i dhisë së butë është dukshëm më i hershëm se i dhisë së egër. Sa iu përket vetive psikike, nën ndikimin e zbutjes te dhitë është zbutur temperamenti dhe është rritë shkalla e inteligjencës./Gazeta Bujku 

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme