spot_img
HomeBUJKUBlegtoriRaca autoktone e lopëve Busha

Raca autoktone e lopëve Busha

spot_img

Është racë e imët autoktone e Kosovës që mbarështohet në mënyrë ekstensive dhe ka veti modeste prodhuese. I përket gjedhit Bos Brahiceros Europeus.

Në populacionin e Bushës apo në gjedhin bri shkurtër, varësisht nga vendi ku kultivohet, ekzistojnë këto tipe: Busha e Kosovës, e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Dalmacisë dhe e Bosnjës.

Klasifikimi i Bushës bëhet edhe sipas ngjyrës së qimeve:

  • Busha e kuqe,
  • Busha e zezë,
  • Busha ngjyrë hiri.

Kopetë e gjedhit bri shkurtër të ngjashëm me Bushën, gjithashtu janë të përhapura edhe në disa vende fqinje (Geqi, Bullgari, etj.) si dhe në pjesët tjera të Ballkanit, pastaj Azi të vogël, Lindje të afërt, etj.

Gjatë periudhave të ndryshme kohore Busha ka pësuar ndryshime si në pikëpamje të jashtme ashtu edhe në aspektin prodhues, pasi që ka ndodhur kryqëzimi, kryesisht i pa kontrolluar, me raca të ndryshme, si me Oberientalin, Montafonin, Simentalin, Gjedhin laraman të vendit etj.

Busha kultivohet në mënyrë primitive dhe në kushte të vështira të strehimit duke u furnizuar edhe me ushqim jo cilësor. Periudhën më të gjatë të vitit (pranverë-vjeshtë) Busha e kalon në kullosa malore pa ndonjë shtesë tjetër të ushqimeve të koncentruar, kurse ushqimi dimëror përbëhet nga kashta, talla, pak sanë dhe sasi të vogla të ushqimeve të koncentruar. Punët zooteknike në rajonet ku kultivohet Busha nuk janë bërë rregullisht, por kohë pas kohe dhe nuk janë sinkronizuar si duhet.

Në regjionet ku janë marrë masat zooteknike është vërtetuar se Busha ka potencial për prodhimtari më të lartë. Busha është racë njëngjyrëshe, që është karakteristikë e të gjitha populacioneve të gjedheve që kanë prejardhje nga Brahicerosi.

Koka e Bushës është e vogël, e lehtë, me brirë të shkurtër në formë të kurorës dhe me qafë të ngushtë. Në krahasim me racat tjera fisnike, Busha është gjedh i imët me lartësi të xhidavisë rreth 115 cm. Busha në të shumtën e rasteve pjesën e pasme të trupit e ka pak më të ngritur krahasuar me pjesën e përparme, gjoksin e ka të ngushtë dhe me muskuj të zbrazët. Këmbët i ka të forta dhe për këtë arsye Busha lehtë ecën nëpër terrene të forta dhe gurishte.

Gjirin e ka me ndërtim të drejtë, mirëpo të vogël, të shkurtë dhe të cekët. Ka peshë trupore mjaft të ultë, që sillet ndërmjet 150-300 kg, kurse demat kanë masë trupore mesatare 450 kg. Masa trupore nuk është karakteristikë racore, mirëpo është rezultat i kushteve të liga të kultivimit.

Vetitë prodhuese të Bushës janë dobët të shprehura dhe në bazë të produktivitetit të Bushës së vendit, ajo mund të shfrytëzohet për punë dhe qumësht në kushte ekstensive. Në kushte diç më të favorshme, ajo i shprehë aftësitë për qumësht e mish dhe shfrytëzohet edhe për punë. Pra Busha hyn në grupin e racave me aftësi të kombinuara të prodhimit, ku nuk janë mirë të shprehura asnjëra nga këto veti. Karakterizohet me prodhimtari të ulët të qumështit, pasi që edhe sasia dhe cilësia e qumështit është jo e mjaftueshme. Mesatarisht jep 1.000 kg qumësht gjatë një laktacioni, e në kushte diç më të mira edhe deri 2.000 kg, me rreth 4% yndyrë. Aftësitë për majmëri nuk janë të shprehura për shkak të ushqimit të dobët dhe prekocitetit të vonshëm. Te qetë mirë të trashur rrezja e mishit është prej 50-55%, kurse te Busha zakonisht rrezja e mishit është rreth 45%.

Në Kosovë mbarështohen dy tipe të Bushës:

  • Busha Ilire e Sharrit, dhe
  • Busha Ilire e Dukagjinit.

Busha ka jetuar dhe jeton edhe sot në kushte të tilla, në të cilat nuk do të jetonte asnjë racë tjetër. Ajo hynë në riprodhim në moshën 2 vjeçare, kurse rritjen e plotë e arrin në moshën 2,5- 4 vjeçare./Gazeta Bujku

Libri “Blegtoria e veçantë”

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme