spot_img
HomeBUJKUQumështi i mëmës së bletëve

Qumështi i mëmës së bletëve

spot_img

Nga Nehru Salihi – Bketarë

Qumështi i mëmës së bletëve përdoret si shtojcë e ushqimit. Me mijëra vjet në kulturat orientale çmohet si burim unik natyror për ruajtjen e rinisë dhe burim i energjisë.

(Sqarim: në vazhdim qumështi i mëmës së bletëve do të shkruhet vetëm qumështi)

Disa veti të qumështit janë dëshmuar me hulumtime: ngadalëson plakjen në atë mënyrë që rrit vitalitetin dhe imunitetin, stimulon punën e gjëndrave për prodhimin e

brendshëm të lëngjeve, shpejton shërimin nga sëmundjet, përmirëson aftësitë funksionale dhe pengon zhvillimin e sëmundjeve kronike. Më tutje, ulë nivelin e përgjithshëm të kolesterolit dhe përmirëson raportin e kolesterolit të mirë (HDL) me atë të dëmshëm (LDL).

Ngadalëson përhapjen e karcinomeve. Preferohet si preventivë ndaj epidemive, streseve, ngarkesave të mëdha psikike etj.

Thënë shkurt është biostimulues dhe antioksidant i shkëlqyeshëm. Përmban elementet e domosdoshme për gjendje të mirë psikofizike, aktivitet të organizmit, përtërin qelizat, përmirëson të mbajturit mend, ngadalëson plakjen, rrit imunitetin e organizmit, si dhe mbi të gjitha ndihmon tek lodhja dhe rraskapitja.

EFEKTI I QUMËSHTIT – FAKTET ÇUDIBËRËSE

Esenca dhe qëllimi i qumështit është zgjatja e jetës, ekzistenca e zgjojeve të bletëve etj. Qumështi i mëmës në zgjoin e bletës është eliksir dhe sekreti i jetëgjatësisë.

Nëse hyjmë pak më thellë në fiziologjinë e zgjoit të bletës, në përmbledhje të zhvillimeve brenda saj, shumë lehtë do ta kuptonim se si bletët, si lloj, nuk do të mbijetonin pa qumështin e mëmës së bletëve, kurse kjo është për njeriun një materie enigmatike.

Qumështi i mëmës së bletëve: Duke e pasur parasysh se vetëm një mizë blete e ajo është mëma e bletëve, ka rol kyç dhe të pazëvendësueshëm në zgjoin e bletëve, vijmë edhe gjer tek përgjigjja se pse qumështi duhet t`i ketë të gjitha këto veti të begatshme e të cilat më vonë do t`i sqarojmë.

Në periudhën e verës, në zgjua ka mesatarisht 50.000 blete dhe vetëm një mëmë e bletëve e cila siguron një harmoni të shkëlqyeshme dhe një funksionim ideal të shoqërisë. Me humbjen e mëmës, zgjoi i bletës është si i pa kokë dhe shkatërrohet shpejtë. Fshehtësia është në të ushqyerit e mëmës dhe bletëve të tjera në zgjua, bletët ushqehen me mjaltë dhe pjalm kurse mëma vetëm me qumësht. Gjatë zgjimit të natyrës dhe verës bletët intensivisht mbledhin nektarin, pjalmin e propolisin nga bimët, kjo punë intensive i rraskapitë bletët, kështu që ato gjatë kësaj kohe jetojnë vetëm diçka më tepër se një muaj. Me ardhjen e vjeshtës, natyra qetësohet, kështu që edhe bletët përgatitënpër këtë stinë. Amortizohen më pak me punë dhe krijojnë rezerva të indeve yndyrore, kështu që ato mund të jetojnë edhe gjer në tetë muaj.

Mëma e bletëve, e cila rraskapitet gjatë tërë verës duke lëshuar vezë, të cilat gjatë ditës mund ta kalojnë edhe më tepër se dy here peshën e sajë, por edhe gjatë vjeshtës dhe dimrit ajo lëshon vezë por më pak, ajo jeton mesatarisht rreth 5 vite.

Nëse në aspektin teorik do ta bënim një llogaritje dhe shpërndarje për tërë vitin, do të kishim mundësi të themi se jeta mesatare e bletëve është tre muaj, ndërsa rreth jetëgjatësisë së mëmës së bletëve nuk do të ndryshonte kjo mesatare.

Në këtë mënyrë vijmë edhe te thelbi i gjithë kësaj, jetëgjatësia e mëmës së bletëve është rreth njëzet herë më e madhe se e bletëve të tjera. Paramendoni nëse do të kishim mundësi tek njeriu vetëm ta dyfishonim jetëgjatësinë, e cila mesatarisht është 80 vjet, dhe ajo të bëhej 160 vjet e lërë më tepër, paramendoni se çka do të ndodhte.

Kjo materie intriguese, e quajtur qumështi i mëmës, të cilën e “shpiken” bletët, e përbërja e saj edhe sot e kësaj dite nuk është zbuluar në tërësi (rreth 3% e përmbajtjes është e pa zbuluar), ka ndikim çudibërës në zgjoin e bletës. Me të drejtë pyesim, a është e mundur që bile një pjesë e këtyre vetive dhe efekteve të barten tek njeriu.

Hulumtimet më serioze shkencore të qumështit të mëmës, me zhvillimin e teknologjive moderne, kanë filluar tek 50 vitet e fundit. Edhe pse bëhet fjalë për një kohë relativisht të shkurtër, hulumtimet e shumta shkencore, bëjnë me dije se një pjesë e konsiderueshme e vetive të qumështit mund të bartet tek njeriu.

Është interesante, por gjer më tani nuk është sqaruar plotësisht, se si është e mundur që nga e njëjta vezë lind bleta e thjeshtë punëtore kur ajo ushqehet me pjalm e mjaltë, kurse nga e njëjta vezë lind mëma e bletëve, ndërsa ajo ushqehet vetëm me qumësht. Si?!…

ÇKA ËSHTË QUMËSHTI I MËMËS SË BLETËS?!

Qumështi i mëmës është prodhim, të cilin bletëte e prodhojnë me sekretimin nga gjëndrat qumështore të tyre. Kjo është një masë homogjene dhe e dendur, nuk është e tejdukshme, në formë të kremit me ngjyrë të bardhë e gjer te ajo e verdhe e çelur. Ka viskozitet sikur të kremeve, ka aromë të fortë dhe shije të ëmbël në të thartë.

VETITË DHE EFEKTET E QUMËSHTIT TË MËMËS SË BLETËVE

Qumështi përdorët si shtojcë e ushqimeve. Me mijëra vjet tek kulturat orientale konsiderohet si burim unik për ruajtjen e rinisë dhe prodhimin e energjisë.

Përvojat tradicionale bëjnë me dije se e zvogëlon shqetësimin dhe pagjumësinë, ngrit disponimin, rrit qëndrueshmërinë, rrit aftësinë e të mbajturit mend dhe forcon sistemin e imunitetit.

Hulumtimet shkencore kanë vërtetuar se qumështi ka këto veçori:

Ka efekt stimulues në tërë organizmin përmes rritjes së energjisë,veprimi imunomodular përmes të cilit rritet imuniteti ndaj infeksioneve, rrit imunitetin ndaj stresit dhe sëmundjeve, ushqen dhe përtërin lëkurën, ruan baraspeshën hormonale, sot, kur nën ndikimin e streseve të përditshme hormonet “egërsohen”,

– Zvogëlon kolesterolet e dëmshme,

– Rregullon tensionin e gjakut,

– Ka efekt mbrojtës ndaj inflamacioneve të ndryshme,

– Ka efekte antimikrobike dhe antivirale,

– Ndihmon tek problemet e ndryshme të eshtrave dhe muskujve,

– Shkurton kohën e shërimit tek sëmundjet e rënda (rekovalescentët),

– Përmirëson oreksin dhe rrit masën trupore,

– Ka ndikim të madh në pengimin e krijimin e radikaleve të lira.

Duke iu falënderuar prezencës së lartë të proteinave, mikroelementeve dhe thuaja se të gjitha vitaminave (posaçërisht të grupit B), qumështi ndikon në organizëm si relaksues, përmirëson tretjen, ndikon në prodhimin e gjakut dhe punën e zemrës, nxit sekretimin tek gjëndrat endokrinale e tj.

Meritat më të mëdha për këto ndikime dhe efekte të qumështit i përshkruhen acideve unike (E)-10-hidroksidec-2-enik (10-HAD), e cila gjer më tani nuk është gjetur në asnjë materie natyrore. 10 HDA hyn në grupin e lipideve (yndyrërave), të cilat në qumësht gjenden 3 – 8%. Ka strukturë jo të zakonshme kimike, e cila nuk është tipike për yndyrëra. Struktura e zakonshme e acideve, të cilat i gjejmë në yndyrërat bimore dhe shtazore është 14 – 20 atome të karbonit, kurse tek 10 HAD kemi vetëm 10 atome karboni në mënyrë karakteristike të shpërndarë në molekulë.

10 HAD është:

– Acid i pa ngopur yndyror,

– E veçantë dhe dominuese,

– Zakonisht gjendet në sasi 1,5 – 2 %,

Është karakteristike për qumështin e mëmës së bletëve se:

– Nuk prodhohet në mënyrë sintetike, (industrial),

– Ka rrol dominues: tek vetitë antibakteriale, ndikon në prodhimin e kolageneve në fibroplaste të lëkurës, ka veprim antioksidant, ka aktivitete anti tumoriale.

PËRDORIMI I QUMËSHTIT TË MËMËS SË BLETËS

Qumështin e pastër apo të kombinuar me prodhime të bletëve, preferohet ta konsumoni rreth një orë para ushqimit. Ai vendoset nën gjuhë, dhe aty mbahet sa është e mundshme më gjatë, në mënyrë që organizmi ta absorbojë sa më mirë.

Me qëllime preventive personat e rritur mund ta konsumojnë 50 – 200 miligram në ditë, ( 1 gram = 1000 miligram), dhe nëse merret nga 200 miligram, 1 gram konsumohet për 5 ditë. Për fëmijë kjo dozë përgjysmohet 25 – 100 miligram në ditë).

Qumështi mund të përdoret si prodhim i freskët (i lëngët). Gjer tek përdorimi ai duhet të ruhet në frigorifer në -18 °C. Pas hapjes së paketimit ai ruhet në frigorifer të thjeshtë. Preferohet të merret me rrëmojcë të pastër, ku një pikë ka 40 – 50 miligram, kjo përsëritet dy deri tre herë në ditë.

Mënyra tjetër:

Rreth 10% ë qumështit tretet në alkool, 45%,(një pikë e tretjes përmban 4 miligram qumështi) merret në mënyrë orale. Rreth 10 – 15 pika të kësaj tretjeje i pikim direkt në gojë tri herë në ditë, një orë para ushqimit, pas kësaj, një orë nuk përdorim ujë apo lëngje. Doza ditore nuk guxon të tejkalohet. Para përdorimit preferohet të shkundet (tundet) ena ku gjendet qumështi. Pjesa e mbetur ruhet në frigorifer në temperature 4 gradë celsius.

Shpeshherë qumështin e konservojmë dhe e ruajmë në mjaltë, dhe në këtë formë e konsumojmë.

Prodhimet e tilla në treg përmbajnë zakonisht 1.5 – 2 gram qumësht të pastër në mjaltë me shtojca të propolisit dhe pjalmit. Ky preparat konsumohet 2 herë në ditë nga një lugë kafeje, një orë para ushqimit, kurse ruhet në frigorifer në temperaturë 4 °C.

Duhet të theksojmë se ruajtja jo adekuate shumë shpejtë ia humb vetit shëruese.

Në vetit e qumështit negativisht ndikojnë: temperatura, drita, dhe ajri. Për shkak të këtyre arsyeve qumështin duhet ta ruajm të mbyllur në ambalazh të errët, në temperaturë – 18 gradë ose edhe më tepër. Qumështin e konservuar në mjaltë apo alkool, duhet ta ruajmë në frigorifer në temperature 4 °C. Me ruajtje adekuate pa humbje të dukshme në cilësi, qumështi mund të ruhet gjer një vit.

Gjatë përdorimit gjithë herë duhet të kemi mjete nga druri, qelqi, plastika, qeramika e kurrsesi nga metali. Metali reagon në acidet organike tek prodhimet e bletëve në atë mënyrë që i dëmton materiet shëruese.

Preferohet që qumështi të përdoret një gjer dy muaj rregullisht çdo ditë, ndërkaq pastaj pauzohet po aq kohë.

PËRBËRJA E QUMËSHTIT TË MËMËS SË BLETËS

Qumështi i mëmës së bletëve ka përbërje mjaft delikate kimike, dhe është e pamundur të prodhohet në mënyrë sintetike. Sikur që edhe është cekur më parë gjer më tani rreth 3% e përbërjes së tij ende nuk është identifikuar.

PËRBËRJA:

– 57 – 70 % ujë,

– 10 – 18 % proteinë, prezent janë të gjitha aminoacidet të nevojshme për njeriun,

– 3 – 8 % lipide (yndyra), aty gjendet 10 HAD me strukturë të rrallë dhe jo të zakonshme,

– 9 – 15 % sheqer, kryesisht glukozë dhe fruktozë, me pjesëmarrje afërsisht si në mjaltë,

– 0.7 – 1.5 % materie mineral.

Qumështi është një nga produktet e rralla natyrore, i cili përmban acetiholin të pastër (0,3-1.2mg/g), neurotransmitter, i cili mundëson bartjen e impulsive mes neuroneve.

Ai përmban edhe Holinë e cila krijohet gjatë shpërbërjes së acetiholinës, me ruajtjen joadekuate zvogëlohet sasia e acetiholinës kurse rritet sasia e holinës.

KARAKTERISTIKAT TEKNIKE

Pesha specifike e qumështit është 1.1 g/cm3.

Qumështi i mëmës, për shkak të procesit mjaft të ndërlikuar dhe kohës mjaft të kufizuar të prodhimit të tij ka çmim mjaft të lartë në treg, çmimi i tij është mbi 2 euro për gram. Duke e pasur parasysh se qumështi i mëmave të bletëve është mjaft i popullarizuar dhe i çmuar shpesh herë manipulohet me të. Jo rrallë paraqiten falsifikimet e tij e shpesh herë qumështin e tretin me materie të tjera siç janë: nishesteja, lëngun e misrit, jogurt, të bardhët e vezës, banane të papjekura, ujë e tj.

Për verifikimin e qumështit tregues më i sigurt është prania e 10 HAD-s, e cila duhet të jetë në kufijtë e caktuar për këtë bëhet verifikimi i tij në laboratore të specializuara.

Mënyra tjetër e verifikimit të tij është pak më komplekse dhe i mundësohet vetëm bletarëve, e që është mundësia më e lirë, që ai t`i kthehet përsëri bletëve.

Nëse bletët me atë qumësht arrijnë ta prodhojnë mëmën e re, kjo është dëshmi se me qumështin është çdo gjënë rregull, por nëse bletët e ndjejnë se diçka nuk është në rregull, atëherë, atë materie e hedhin jashtë nga zgjoi. Në zbatimin e kësaj metode bazohet edhe ruajtja e qumështit. Gjithashtu duke u bazuar në këtë metodë të vërtetimit të kualitetit, në komplet tekstin e gjertanishëm nuk përmendet fjala qumësht i liofilizuar (me ngrirje të thellë në – 60 gradë celsius, me ngrirje largohet uji nga qumështi dhe mbetet vetëm materiali i pastër) në këtë formë besohet se janë ruajtur të gjitha materiet e vlefshme dhe mund të ruhet gjer dy vjet në temperaturë të dhomës, mirëpo disa hulumtime tregojnë se me këtë lloj qumështi pluhur, bletët nuk mund ta prodhojnë mëmën, e që do të thotë ekziston dyshimi i bazuar se gjatë këtij procesi qumështi diçka ka humbur.

1. RECEPTURA

MJALTË + PROPOLIS + QUMËSHT

– Mjaltë livadhesh…….. 96.5%

– Propolis………………… 2%

– Pjalm……………………. 1.5%

MJALTË +PROPOLIS + PJALM + QUMËSHT

– Mjaltë livadhesh…….. 81%

– Propolis ………………. 2.5%

– Pjalm …………………… 15%

– Qumësht ………………. 1.5%

/Gazeta Bujku

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme