spot_img
HomeBUJKUBlegtoriQethja e deleve

Qethja e deleve

spot_img

Koha e qethjes së deleve

Zakonisht delet qethen një herë në vit, por ka vende ku qethen edhe më shumë se njëherë në vit. Qethja gjatë një viti mundëson gjatësi më të madhe të fijes së leshit dhe në ndërkohë ky lesh është më i formuar dhe më i mirë për përpunim të mëtejmë. Delet qethen në kohën më të përshtatshme për qethje, zakonisht në fund të pranverës dhe fillim të verës (fundi i muajit maj dhe fillimi i qershorit), kurse në vendet ku delet qethen dy herë në vit, qethja organizohet në pranverë dhe vjeshtë. Në rastet kur delet qethen një herë në vit ky operacion mund të kryhet edhe më herët, nëse lejojnë kushtet, mirëpo mund të kryhet edhe më vonë nëse nuk lejojnë kushtet atmosferike.

Përgatitja e deleve për qethje

Në 10-15 ditë para qethjes, delet (çdonjëra veçmas) shikohen dhe nëse ka dele të sëmura (zgjebja, etj.) ato duhet larguar nga të shëndoshat. Në disa raste praktikohet që 4-5 ditë para qethjes delet të pastrohen në mënyrë që të mënjanohen ndyrësirat e mëdha (të vrazhda). Larjen nuk mund ta kryejmë nëse temperatura e ajrit është nën 12oC. Për larje më i përshtatshëm është uji që rrjedhë, sepse ai ka më shumë gëlqere dhe sapuni bën më tepër shkumë. Temperatura e ujit me të cilën e bëjmë larjen nuk guxon të jetë më e ultë se 17oC, në mënyrë që të pengohet ftohja e deleve. Menjëherë pas larjes duhet pasur kujdes që delet të teren, sepse të lagura nuk guxojmë t’i qethim. Te disa dele terja bëhet më shpejt, e sidomos tek ato që kanë bashkë të hapur, të cilat mund të teren për 24 orë, kurse delet tjera, sidomos merinosët, që kanë bashkë të mbyllur terja bëhet më ngadalë dhe zgjatë 3-4 ditë. Pas larjes delet nuk duhet lënë në diell të hapur, për arsye se zvogëlohet cilësia e leshit. Në rastet kur fryjnë erëra të forta delet duhet larguar në mënyrë që të mos vjen deri te ftohja e tyre dhe në këtë mënyrë delet e terura janë të gatshme për tu qethur.

Qethja

Qethja duhet kryer nga njerëzit (qethësit) profesional dhe në ndërkohë këta njerëz më parë duhet të njoftohen me procesin e qethjes, se qethja do të bëhet me makinë, apo me gërshërë në rast se qethja bëhet me dorë. Është e dëshiruar që 10-12 orë para qethjes delet të mos ushqehen. Delet të cilat kanë qengja të vegjël të cilët janë në fazën e thithjes, gjatë qethjes së tyre duhet pasur kujdes që ato mos ti largojmë nga qengjat më tepër se 4 orë.

Menjëherë pas qethjes bashka e leshit duhet të mblidhet dhe të peshohet në mënyrë që të dihet se sa lesh është marrë nga 1 dele, pastaj ajo duhet vendosur në vend të posaçëm të ndara njëra prej tjetrës në mënyrë që të bëhet klasifikimi i tyre. Gjithashtu edhe delet, pas qethjes duhet të peshohen dhe duhet shikuar eksterieri i tyre, sepse është më lehtë që si të qethura ti seleksionojmë për reproduksion të mëtejshëm. Po ashtu bashkat e leshit duhet ndarë sipas racave, gjinisë dhe sipas moshës së deleve. Bashkën, menjëherë pas qethjes duhet lënë në depo pa ndikim direkt të diellit, sepse në të kundërtën i humb cilësitë e veta dhe pastaj duhet të thahet e të paketohet.

Bashka mblidhet nga pjesët e skajshme duke e lënë jashtë pjesën e shpinës dhe kështu mblidhet në formë të rrumbullakët dhe në këtë mënyrë lidhet dhe ruhet rreth10 ditë që të thahet dhe ti largohet sasia e tepërt e masës yndyrore. Pas terjes, bashkat futen në thasë të posaçëm me peshë 120-130 kg/thes te delet me lesh cilësor dhe 70-80 kg/thes tek delet me cilësi të vrazhdë të leshit. Leshin e paketuar në këtë mënyrë e vendosim në depo të posaçme të mbrojtur nga lagështia deri në momentin e eksploatimit apo përpunimit të tij.

Ne ju sjellim një video ku shihet qethja e deleve dhe përpunimi i leshit. /Gazeta Bujku

https://youtu.be/XASfFO3w2O8

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme