Search

Punët në bletari për muajin tetor

172

Nga Nehru Salihu, njohës i bletarisë

(Për kushtet klimatike të cilat mbretërojnë në Kosovë dhe viset të cilat kanë kushtet klimatike të ngjashme)

Me muajin tetor fillon vjeshta, edhe pse sipas kalendarit ajo ka filluar 10 ditë më herët. Tetori është një muaj stabil i vjeshtës i cili zakonisht gjatë tërë muajit ka temperaturë relativisht të përshtatshme dhe konstante mbi 20 °C gjatë ditës, kurse gjatë natës 10-12°C.

Ditët me shi nxitin disa bimë të kenë lule nga të cilat bletët e mbledhin pjalmin, të cilin e mbulojnë me mjaltë afër tufës së përgatitur për dimër e i cili do të jetë si ushqim i çmueshëm edhe gjatë muajit nëntor e dhjetor.

Temperaturat që ulën gjatë natës, bletët i marrin si sinjal se dimri po afrohet. Bletët janë meteorolog të pagabueshëm dhe e ndjejnë se dita po shkurtohet, me këtë edhe reproduktimi i mëmës – lëshuarja e vezëve i përshtatët kohës. Gjerë në gjysmën e Tetorit do të çelin edhe vezët e fundit dhe nga atëherë bletët koncentrohen përfundimisht në përgatitjen e vendit të tufës për dimërim.

Të gjitha punët e domosdoshme duhet të jenë kryer gjatë muajit korrik, gusht e shtator, si : kontrolli i mirëfilltë i të gjitha shoqërive në bletishte, zëvendësimi i mëmave të vjetra dhe jo produktive, të ushqyerit vjeshtor të bletëve, trajtimi ndaj sëmundjeve të ndryshme dhe varooës. Gjatë muajit tetor vështirë se mund t`i kompensojmë këto punë dhe lëshime të bëra nga ana e bletarit.

Të ushqyerit e bletëve gjatë muajit tetor nuk preferohet dhe është i dëmshëm (bletët vështirë e përpunojnë – largojnë ujin e tepërt nga sherbeti). Në raste të caktuara na imponohet që të bëjmë përjashtime, sikurse kur është fjala për mjaltëzën (Mjaltëza – mjalti i mbledhur nga pemët dhe dushku i qarrit dhe bungut), të cilën bletët e kanë mbledhur kah fundi i muajit shtator dhe e kanë vendosur në korniza ku ka pasur edhe mjaltë tjetër kualitative dhe pjalm. Në rastet e tilla nevoitet intervenimi i bletarit me ushqim të lëngët sherbet sheqeri në sasi prej 2. litra sherbet për zgjua në tri racione (afërsisht 700 mililitra, tri herë çdo të dytën ditë).

Këtë ushqim bletët e harxhojnë gjatë muajit nëntor dhe dhjetor. Gjatë këtyre muajve bletët i harxhojnë afërsisht nga një kg. ushqim.

Gjatë këtij muaji preferohet që hyrjet në koshere të zvogëlohen në rreth 5 cm dhe të vendosen krehër në hyrje si mbrojtje nga brejtësit (minjtë), ulja e temperaturave i nxit brejtësit të gjejnë vende më të ngrohta dhe ata shpesh herë hyjnë në koshere të cilat kanë hyrjen e pa mbrojtur si duhet.

Preferohet që të keni kujdes nga grabitja nga ana e grerëzave. Në orët e pasdites, kur temperaturat bien në rreth + 12 °C., bletët tërhiqen në tufë dhe kështu hyrja mbetet e pambrojtur, por grerëzat janë aktive edhe në +10°C. dhe ato pa pengesë hyjnë në koshere të pambrojtur dhe marrin ushqimin e bletëve. Kjo dukuri shpesh bie edhe gjer te shkatërrimi i zgjojeve të bletëve.

Ditët e nxehta gjatë tetorit duhet që t’i shfrytëzojmë për kontrollin e radhitjes së ushqimit brenda zgjoit e rreth tufës ku ka ende mbarsim të pa çelur, por duhet të kemi parasysh se këto korniza duhet të kenë edhe pjalm, sepse vetëm atëherë është ushqim komplet. Praktikisht duhet të largohen kornizat me pak ushqim, nga të cilat kanë çelur gjeneratat e fundit. Ato korniza kanë më pak ushqim, zakonisht janë 1-2 korniza, andaj të afrohen kornizat e plota, por hojet duhet të jenë të mira në të cilat mëma mund të lëshojë vezë në pranverën e hershme.

Të ndërmerren masat e ngrohjes – izolimit, por duhet të keni parasysh që mos ta teproni me material ngrohës. Për këtë qëllim mjaftojnë disa fleta gazete apo dy shtresa të thasëve të letrës. Izolimi nga letra është treguar i mirë si për ngrohje ashtu edhe kundër lagështisë.

Çështja e ventilimit është çështje kyçe gjatë dimërimit të bletëve, për këtë qëllim duhet të kemi parasysh se çdo koshere duhet të ketë dy vrima ventilimi, njëra është hyrja e përshtatur për kohën e dimrit dhe tjetra në pjesën e epërme nën kapak, në tavanin e kosheres.

Preferohet që gjatë muajit tetor të përcillni parashikimet meteorologjike dhe të përcaktoheni për ditët më të nxehta që të mund të kryeni kontrollohen e fundit detal para dimrit tek të gjitha bletët. Gjatë kësaj kontrolle duhet të konstatoni:

– Numrin e përafërt të bletëve, (fuqinë e shoqërisë);

– Të shihni se ku është qendra e tufës, (e dëshirueshme është që të jetë në mes të kosheres);

– Sasinë e ushqimit, (e dëshirueshme të ketë 15-18 kg.);

– Radhitja e kornizave me ushqim,

– Shpërndarja e ushqimit, (pjalmi dhe mjalti);

– Të kontrollohen hojet në kornizat në qendër të tufës dhe ato duhet të jenë të mira nga ku kanë çelur më herët bletët, (jo brumbujt);

– Të përcillet se bletët a sjellin dhe në çfarë mase mjaltë dhe pjalm;

– Të verifikohet në kuptimin vizuel kualiteti i mëmës së bletëve;

Nëse kemi prezencën e varroës, në masë të madhe, duhet të vazhdojmë ta luftojmë me tymosje atë dhe mos ta presim periudhën kur nuk do të kemi mbarsim, sepse atëherë mund të bëhet vonë.

Të gjitha të dhënat të barten në ditarin e punës me bletë. Këto të dhëna janë të rëndësishme si gjatë kontrollit të ardhshëm ashtu edhe gjatë tërë vitit.

Nëse janë plotësuar të gjitha këto kritere, mund të llogarisni se bletët tuaja do të dimërojnë mirë./Gazeta Bujku




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *