Search

Punët në bletari gjatë muajit dhjetor

685

Nga Nehru Salihu – Njohës i bletarisë

Gjatë muajit dhjetor bletarët në bletishte kanë pak punë, gjatë këtij muaji thuaja se mbretëron një dimër i vërtetë. Në dhjetor punët e bletëve sikurse edhe të bletarit janë në minimum. Bletët kujdesën vetëm për krijimin dhe mbajtjen e temperaturës së nevojshme për mbijetesë.

Bletarit i sugjerohet që së paku një herë në javë ta vizitojë bletishten dhe të shoh mos diçka i shqetëson bletët dhe a janë kosheret në gjendje të rregullt.

Nëse temperaturat janë mbi 10°C. atëherë mund edhe të hapë ndonjë kapak të shoh se mos ka hyrë aty ndonjë brejtës etj. Në këtë temperaturë bletët dalin në fluturim pastrues, i cili fluturim ka rëndësi të madhe në luftë me të ftohtin. Parimisht, në këtë kohë bletari nuk preferohet të bëjë ndonjë punë me bletët, por me rastin e ngritjes së kapakut, nëse vëren në ndonjë koshere së ka fekalje të brejtësve ose në dysheme ka bletë të vdekura më shumë se që është normale, atëherë duhet hapur kosherja, të eliminohet miu dhe të pastrohet aq sa mundet dyshemeja, por nëse nuk është miu në pyetje e keni bletë të vdekura, atëherë duhet të konstatohet shkaktari i vdekjës së tyre, (mungesa e ushqimit, ventilimi apo diçka tjetër).

Gjatë muajit dhjetor, më konkretisht në gjysmën e parë të këtij muaji, nëse mendoni se ka nevojë, zgjojet e bletëve t`i trajtoni me acid Oksalik. Udhëzimet se si t`i trajtoni me acid Oksalik, do t`i gjeni të bashkangjitura këtij artikulli.

Dhjetorin nuk duhet ta kalojmë në pasivitet. Puna e bletarit nuk është vetëm në bletishte, preferohet që gjatë kësaj kohe të siguroni petët e dyllit për vitin e ardhshëm, kornizat, telin dhe ato të filloni t`i kompletoni.

Në bazë të mundësive të pajiset me mjetet e nevojshme për punë, të shfletojë dhe kontrollojë ditarin e punës së bletëve, të analizojë sukseset dhe dështimet eventuale të sezonit të kaluar, të bëjë plane për vitin e ardhshëm, të lexojë literaturë profesionale dhe të përcjellë të arriturat e të tjerëve.

Në fund mund të themi se suksesi në bletari nuk varet i tëri nga bletët dhe pajisjet që i kemi.

Bletari është faktori kyç dhe bletari i mirë shquhet: nga njohuritë, aftësitë profesionale, dhe disiplina në punë. Nga të gjitha këto në masë të madhe varet suksesi në bletari.

Acidi oksalik

ACIDI OKSALIK, ka një kohë që përdoret për trajtimin e bletëve kundër varooës, kohëve të fundit, dita ditës preferohet dhe flitet më tepër për te. Arsye për këtë janë: se bie në grupin e mjeteve organike për trajtimin e bletëve, çka veçanërisht potencohet në bletimin bashkëkohor.

ACIDI OKSALIK në duart e bletarit të mirë dhe të edukuar mirë profesionalisht, është preparati që jep rezultate më të mira kundër varooës dhe më së paku i rrezikshëm për bletët dhe njeriun,.

Trajtimi i bletëve me ACID OKSALIK, gjatë dimrit, me vetëm një tretman, zvoglon numrin e parazitëve gjer 84%, pa kurrfarë pasojash për mëmën e bletëve, bletët dhe mbarsimin-larvat e bletëve.

Si i tillë, ACIDI OKSALIK, është më i mirë krahasuar me preparatet e tjera për disa arsye:

– Ka çmim të ulët,

– Mund ta gjejm lehtë,

– Nuk shkakton helmimin e bletëve,

– Nuk i mbesin mbetjet në prodhimet e bletëve,

– Është i lehtë për përdorim dhe ruajtje,

– Me masat mbrojtëse, nuk është i rrezikshëm për bletarin,

– Me përdorim profesional nuk e dëmton mëmën e bletëve, bletët dhe larvat.

(Kundërshtarët e ACIDIT OKSALIK më së shpeshti janë bletarët e pa edukuar sa duhet profesionalisht ose ata të cilëve ju pengojnë dy pikat e para të cekura më lartë, kryesisht për shkaqe të interesit personal.)

Sipas rregulloreve të BE-s, përdorimi i ACIDIT OKSALIK është i lejuar për përdorim si në BIO ashtu edhe në EKO bletim. ACIDI OKSALIK (oxsalik acid), shumë lehtë tretet në ujë.

Në një përqindje të vogël gjendet edhe në mjaltin natyral.

ACIDIN OKSALIK në përbërje natyrale e gjejm edhe tek: Patatja, qaji, spinaqi, kakao, qokolata dhe tek disa bimë të tjera.

Mënyrat e aplikimit për luftimin e varooës:

– Me mpikje – spërkatje mës korrnizave, (rrugicat e bletëve)

– Me spërkatje direkt mbi bletë, dhe

– Me avullim me ndonjë avullues.

Përpirësit e ACIDIT OKSALIK janë: se nuk është i dëmshëm për bletët, dhe se varooa nuk mund të krijoi imunitet ndaj tij. Ky preparat shkatërron sistemin e gojës dhe të tretjes së parazitit me çka pengon ushqimin e sajë dhe kështu varooa vdes nga uria.

Trajtimi me ACID OKSALIK bëhet vetën një herë në vit, kur në zgjua nuk ka ve, larva dhe mbarsim të mbyllur. Trajtimi bëhet në pjesën e dytë të NËNTORIT ose në pjesën e parë të DHJETORIT, kur temperaturat janë 0 – 10 °C. Trajtimi është mire të bëhet kur lagështia e ajrit është më e madhe (kur meteorologet parashohin të ket shi, borë dhe mjegull. Atëherë efekti i ACIDIT OKSALIK është më i madh

Me dozim të saktë dhe përdorim profesional, me ACID OKSALIK arrihet efikasiteti i eliminimit të varooës në masë të madhe, ndodhë edhe gjer në 99%.

Përgatitja e acidit oksalik për mpikje – spërkatje

  • 35 gr. ACID OKSALIK
  • 0,6 lit. ujë,
  • 0,6 kg. sheqer.

Tretja gjatë përgatitjes dhe trajtimit duhet të jetë e vakët.

Kjo sasi është e mjaftueshme për trajtimin e 30 – 40 zgjoje bletësh, varësisht nga fuqia e zgjojeve, kjo përzierje duhet të përdorët më së largu në afatin prej 7. ditësh nga dita e përgatitjes.

Sasia e nevojshme për spërkatjen e bletëve të një zgjoji është 25 – 35 mililitra, ose 5 mililitra për rrugë të bletëve, varësisht nga fuqia e zgjoit – numri i bletëve.

(Gjatë përgatitjes së sasisë më të vogël (p.sh. për vetëm dy zgjoje) fare lehtë mund të fitoni koncentrim të gabueshëm për shkak të matjes së sasisë së vogël, prandaj preferohet të përgatitni sasi më të madhe dhe ta ndani me ndonjë koleg tuajin bletar).

Aplikimi i mpikjës apo spërkatjes në rrugicat mes kornizave

Aplikimi i ACIDIT OKSALIK me mpikje-spërkatje në rrugicat mes kornizave bëhet duke i spërkatur direkt bletët. Për spërkatje mund të përdorim shiringa më të mëdhenj të injeksioneve apo me ndonjë pompë të vogël dore me të cilat mund ta bëjmë spërkatjen më të shpejtë të të gjitha rrugicave të kosheres. Duhet të kemi kujdes që gjatë spërkatjes mos të krijojmë mjegull por preparati të dal në formë të pikave – shpric.

Kujdes gjatë përdorimit të acidit oksalik

Përdorimi i ACIDIT OKSALIK bëhet patjetër me mjete mbrojtëse: dorëza, syza dhe maskë për mbulimin e gojës dhe hundës, sipas udhëzimeve të prodhuesit. Duhet të kemi kujdes që mos të vie kjo tretje në kontakt me lëkurën e bletarit, nëse ndodhë kjo atëherë duhet t`i lajm duart apo atë pjesë të trupit me ujë e sapun. Preferohet që gjatë trajtimit të bletëve ta keni të veshur bluzën për punë me bletë sepse ndonjë bletë mund të fluturoi dhe të na thumboi në fytyrë. Nëse eventualisht ndo një pikë na bie në sy duhet shpejtë ta lajmë me ujë të ftohët 15.minuta e pastaj të lajmërohemi tek mjeku.

Në afërsi duhet të keni patjetër një sasi uji të pastër, për larje eventuale.

Përdoret vetëm një herë në vit, kur në zgjua nuk ka vezë, larva dhe mbarsim të mbuluar.

Para trajtimit është mirë të vendoset një letër e bardhë në dyshemenë e kosheres, 15 ditë pas trajtimit nëse kushtet klimatike lejojnë të njëjtën e nxjerrim ku mund t`i shohim rezultatet. Gjatë kësaj kohe mbi 90% e varooas duhet të ketë rënë nga bletët edhe pse kjo rënie vazhdon edhe 2-3 muaj por me intensitet më të dobët.

Nëse eventualisht për shkaqe të dozimit jo të mirë apo ndonjë arsye tjetër ky trajtim nuk ka pasur suksesin e duhur, në pranverë bëni trajtime të tjera por jo me këtë preparat, ky preparat përdoret vetëm një herë gjatë vitit. /Gazeta Bujku




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *