Search

Pronën kur se ruan i zoti, nuk e ruan as Zoti

82

Nga Shpend Nikoçi

Gështenja e Tropojës në “emergjencë ekologjike

Arsyet pse dëmtohet, pse shkatërrohet dhe pse digjet ekosistemi i gështenjave të Tropojës, që shkakton edhe humbjen e kultivarit tradicional dhe fshirjen përfundimtare nga regjistri i fondit gjenetik të kultivarëve autokton të specie Castanea Sativa europiane, të kultivarit autokton të këtij habitati natyror me moshë të lashtë janë:

1- Lënia në informalitet, e pa regjistruar në regjistrat e pronave të pa luajtshme të shtetit, në asnjë nga format e pronave që njeh Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë!

2- Mungesa e statusit të pronësisë! Që nga mesjeta deri në vitet e Pushtetit Popullor 1945, që u shtetëzua nga Shteti Shqiptar, ka qenë pronë private e njohur nga të gjitha regjimet. Me ndryshimin e sistemit shoqëror në vitin 1990, nuk ju dorëzua fshatrave prona e shtetëzuar posaçërisht, në mënyre të dhunshme dhe pa vullnet. Nga viti 1990 ekosistemi më i madh në Ballkan dhe me homogjenitetin gjenetik më të lartë në Evropë mbeti pa drejtim dhe trajtim teknik, menaxhim dhe administrim profesional.

3- Mungesa e administruesit, menaxhuesit dhe drejtuesit teknik! Nga viti 1990 nuk ka administrator, drejtues teknik dhe as menaxher, dhe i gjendur pa administrator, ekosistemi ka pësuar dëme të konsiderueshme si nga faktorët biotik dhe abiotikë.

4- Mungesa e një ligji që e drejton, e zhvillon, e kontrollon dhe rregullon marrëdhëniet mes ekosistemit dhe komunitetit! Duke qenë pronë informale, pa drejtim teknik dhe administrim, pa status teknik dhe pronësie dhe pa një ligj që vepron mbi ekosistemin e gështenjës ka mundësuar dëmtimet e të gjitha llojeve dhe formave.

5- Mungesa e një strukture të përgjegjshme tekniko-profesionale të menaxhimit! Duke munguar një staf inxhiniero-tekniko dhe profesional, administrues e drejtues i përgjegjshëm dhe kompetent, ka krijuar hapësira te plota për dëme të gjithanshme dhe me intensitet të përshpejtuar.

6- Mungesa e një plani të zhvillimit perspektiv dhe të një projekti të mbarështimit teknik të ekosistemit agro-pyjor të gështenjës ka favorizuar përhapjen e patogjenëve të ndryshëm , shtimit progresiv të përhapjes së bimëve parazitare dhe gjysëmparazitare dhe dëmtimeve nga faktorët natyrorë.

Po të ekzistojë vullneti, gjenden mundësi dhe alternativa për ta mbrojtur ketë habitat natyror? 

Stafi inxhiniero-teknik i shoqatës “Gështenja e Tropojës” pasi ka studiuar dhe vlerësuar në hollësi gjendjen bio-vegjetative dhe fito-patologjike të ekosistemit, shkallën e dëmtimeve nga faktorët biotik dhe abiotik , duke vlerësuar në mënyrë të veçantë dëmet plotësisht të pa nevojshme dhe lehtësisht të evitueshme nga zjarret ka identifikuar faktorët dhe shkaqet që e kanë çuar në këtë gjendje dhe ka hartuar strategjinë e rimëkëmbjes së ekosistemit dhe rikthimin e kultivarit tradicional duke hartuar Planin e zhvillimit perspektiv të ekosistemit!

Ky plan zhvillimi perspektiv i ekosistemit konsiston në:

1- Projektin e rehabilitimit të ekosistemit të gështenjës Tropojë i kërcënuar për zhdukje.

2- Hartimin e studimit për dhënien e statusit “Zonë e Mbrojtur e Burimeve të Menaxhuara”, ku përfshihet.

3- Formalizmi i ekosistemit dhe regjistrimi në regjistrin e Pronave të Paluajtshme të shtetit!

4- Zgjidhja e statusit të pronësisë, duke e regjistruar si pronë private në administrim të Bashkisë!

5- Hartimi i projekt ligjit të personalizuar të ekosistemit, ku përcakton mënyrën e administrimit dhe drejtimit e trajtimit teknik dhe formën e qeverimit!

6- Hartimi i planit të mbarështimit të masivit !

 

A mund ta ruajmë trashëgimin natyrore të gështenjës së Tropojës? 

Gështenja është një minierë e pashtershme dhe një thesar i pa çmuar! Miniera sado e pasur ka një sasi rezervash minerale, të cilat duke u shfrytëzuar vazhdimisht ato pakësohen derisa, vjen një ditë që ato shterojnë, ndërsa ekosistemi agro-pyjor i gështenjës Tropojë në qoftë se drejtohet ripërtëritja natyrore e orientuar drejt ruajtjes së trashëgimisë gjenetike, ky ekosistem është i përjetshëm.

Gështenja ka qenë historikisht dhe vazhdon të jetë burimi kryesor i t’ardhurave për komunitetin e zonës tonë. Ky komunitet rural me fare pak tokë për frymë, me mundësi të kufizuara për mbarështimin e blegtorisë , pa asnjë mundësi punësimi, prodhimet pyjore dhe veçanërisht gështenja ka mbuluar t’ardhurat kryesore të vitit për familjet fshatare.

Gështenja është në listën e kuqe të specieve të kërcënuara për zhdukje e vlerësuar nga Unioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës 

Gjendja vegjetative, bio-patologjike dhe fito-sanitare e pemëve  të ekosistemit, është shumë e rënduar dhe në degradim të përshpejtuar! Kultivari tradicionali gështenjës i destinuar për prodhim të frutave që gjendet në pemët e moshuara në habitatin e vet natyror , ka arritur nivelin kritik të tolerancës përtej të cilit, dëmi bëhet i pakthyeshëm dhe pasojat të pa rikuperueshme dhe po udhëton drejtë humbjes përfundimtare dhe pa kthim të tij, si pasojë e sëmundjes së kancerit, sëmundjeve, dëmtuesve të tjerë dhe bimëve parazitare, si dhe degradimi biologjik natyror për shkak të moshës. ndryshimi i kushteve mjedisore dhe të mikro-klimës së masivit të gështenjave si rezultat i ngrohjes globale, që ndikojnë negativisht duke përshpejtuar degradimin e pemëve dhe për pasojë edhe humbjen e rezervës biologjike riprodhuese të kultivarit tradicional . Pemët me moshë të re kanë një ndryshueshmëri të lartë gjenetike me kultivarin tradicional dhe prejardhje aseksuale që i përjashton nga statusi i prodhimit të frutave, të cilat mund te menaxhohen vetëm për prodhim të lëndës drusore. 

Misioni final i komunitetit të fermerëve të gështenjës është ruajtja e trashëgimisë natyrore të ekosistemit të gështenjës së Tropojës. Ky mision realizohet duke ruajtur trashëgiminë gjenetike të kultivarit tradicional ! Për vijimësinë e trashëgimisë gjenetike të kultivarit tradicional , detyrimisht duhet siguruar materiali biologjik riprodhues! 

Që të sigurohet materiali biologjik riprodhues , duhen rehabilituar pemët e vjetra në të cilat gjendet materiali biologjik riprodhues. Në ekosistemin agro-pyjor të gështenjës Tropojë, akoma gjenden ekzemplarë të këtij kultivari që përfaqësojnë këto vlera gjenetike, por janë në moshën e pjekurisë së plotë dhe të tejpjekjes . Këto pemë përbëjnë një thesar të çmuar të biodiversitetit, që ruajnë vlerat e biodiversitetit evropian!

Ripërtëritja e këtyre pemëve të moçme kërkon të realizohet nëpërmes një operacioni dendro-kirurgjikal me shërbime kulturore dhe sanitare, me shkurtime të organeve të kurorës dhe shpesh herë të aksit kryesor të pemës, mjekimin e plagëve dhe dezinfektimin e tyre, që kërkon detyrimisht ngjitjen në lartësi të pemëve për kryerjen e këtyre operimeve të cilat janë të klasifikuara si operacioni dendrokirurgjikal me:

A – Shkallen me të lartë të vështirësisë fizike; pasi detyrimisht duhet të operohet me ngjitje në lartësi në kurorat e pemëve, në kushtet e vështirësisë ekstreme, ku vetën një numër i kufizuar i fermerëve mund ta realizojnë këtë operacion.

B- me shkallen më të lartë të rrezikshmërisë për shëndetin dhe jetën e punëtorëve që marrin pjese në operacion;

C – Operacioni që kërkon trajnim suplementar dhe monitorim rigoroz për standardin teknik dhe zbatimin e rregullave te sigurimit teknik dhe të mbrojtjes nga aksidentet në punë.

Kush mund ta realizojë këtë Plan Zhvillimi 

A mund t’i kryejnë të gjithë fermerët këto operacione? Jo – dhe, jo për faj të tyre. Më shume se 80 për qind e fermerëve nuk i kanë aftësitë fizike dhe njohuritë teknike për ta kryer këtë operacion. Gështenja si kudo në Evropë edhe në vendin tonë për shkak të infeksionit të patogjenëve, është në kushte karantinë dhe çdo ndërhyrje në gështenja duhet të bëhet e kontrolluar dhe e monitoruar rreptësishtë nga profesionist kompetent. Ky operacion kërkon një personel inxhiniero-teknik të përgatitur, të trajnuar, të përgjegjshëm, të motivuar, me aftësi drejtuese dhe organizuese të pajisur me vegla pune, medikamentet e nevojshme dhe mjete te sigurimit teknik etj.

D– Operacioni parashikon identifikimin e prejardhjes së pemëve, vlerësimin e përbërjes gjenetike të tyre për të rikthyer kultivarin tradicional dhe operacionin silvikulturor të rikthimit në trungishte. Ky objektiv kërkon specialist me njohuritë e nevojshme, trajnimin e duhur, përvojën dhe me përkushtim.

E– Projekti i rehabilitimit të ekosistemit parashikon një menaxhim te integruar të orientuar drejt përmirësimit gjenetik duhet të zotërojë njohuritë e plota të fazave që kalon procesi duke ruajtur treguesit agro-silvikulturor dhe komercial, si prioritet e prodhimit të frutave për të mos rënë nën nivelin e prodhimit aktual , ruajtjen e kuroro-dendësisë dhe tregues të tjerë bio-teknik.

Subjekti që pretendon realizimin e këtij misioni, merr përgjegjësitë teknike dhe juridike të ruajtjes dhe rikthimit të trashëgimisë gjenetike të kultivarit tradicional! Ky subjekt duhet të ketë specialist me përvojë dhe trajnimin e nevojshëm . Duhet të krijojë një ekip të shërbimit teknik për ekosistemin me një personel inxhiniero-teknik me kualifikimin të plotë dhe përvojën e nevojshme që zotëron kapacitetet teknike, organizative, drejtuese, menaxhuese, e cila është kompetente, e përgjegjshme dhe e motivuar për realizimin e misionit rehabilitues si dhe e projekteve të ngjashme të personalizuara për gështenjën.

A ka zgjidhje kjo situatë emergjente? 

Bazuar në rekomandimet tekniko- shkencore dhe mbështetur në përvojën e vendeve Evropiane që janë përballur më parë me këtë fenomen, zgjidhja është identifikuar nga shoqata “Gështenja e Tropojës” dhe ju ka propozuar organeve të Pushtetit Vendor dhe atij Qendror! 

Kush mban përgjegjësi për humbjen e këtij kultivari tradicional!

Personeli inxhiniero-teknik që aderon në shoqatën “Gështenja e Tropojës”, duke vlerësuar gjendjen kritike të ekosistemit të gështenjës me origjinë natyrore, në habitatin e vet natyror ka shpallur Ekosistemin agro-pyjor të Gështenjës Tropojë në “EMERGJENCË EKOLOGJIKE” dhe bazuar në vendimin unanim të Unionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës që ka shpallur gështenjën specie të kërcënuar për zhdukje , ka hartuar strategjinë e Mbrojtjes dhe Rimëkëmbjes së ekosistemit, duke përcaktuar alternativat e realizimit të kësaj strategjie. Ky projekt ju ka bërë i ditur organeve të pushtetit qendror, i cili është konsideruar, studiuar dhe vlerësuar dhe pas negociatash me institucionet financuese ndërkombëtare për të siguruar donacionin e nevojshëm ju ka dërguar për zbatim pushtetit vendor. Zgjidhja e problemit të ekosistemit të gështenjës Tropoje ka mbetur tek pushteti vendor! Kërkohet vullneti i këtij pushteti për t’i dhanë zgjidhje këtij problemi. /Gazeta Bujku




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *