spot_img
HomeBUJKUPjalmi - poleni apo pluhuri i luleve

Pjalmi – poleni apo pluhuri i luleve

spot_img

Nga Nehru Salihu – Bletarë

Pjalmi, përveç për bletët, është një produkt i rëndësishëm biologjik për shëndetin e njeriut, sepse përmban përbërës natyral të balancuar shkëlqyeshëm si: proteinë, sheqer, vitamina, minerale, enzime, hormone bimore, vajra eterike, ujë, dhe fibra vështir të tretshëm në mbështjellës.

Pjalmi është gamete seksuale mashkullore e bimës për shumëzimin e llojeve bimore. Pjalmi është bartës i vetive gjenetike të bimëve dhe për atë bartë në vete të gjitha materiet e domosdoshme ushqyese për krijimin e jetës së re. Pjalmi për zgjoin e bletës është burimi kryesor i proteinave, vitaminave dhe mineraleve.

Bletët kokërrzat (grimcat) e pjalmit i mbledhin nga lulet e bimëve, njëkohësisht i shtojnë nektarin dhe materiet nga gjëndrat e tyre duke i formësuar në kokërrza të vogla. Madhësia e këtyre kokërrzave të vogla e të rrumbullakëta është sa një kokërr orizi. Bletët këto kokrra i bartin gjer në zgjua me shportëzat e palës së prapme të këmbëve të veta. Secila kokërr e pjalmit përmban nga disa qindra mijëra e gjer mbi 2 milion grimca pjalmi. Se sa është i rëndësishëm pjalmi për zgjoin e bletës, flasin të dhënat, se një zgjua i forte i bletës harxhon rreth 50 kg. pjalm për nevoja të veta gjatë një viti.

Pjalmi përveç për bletët, është një produkt biologjik shumë i rëndësishëm edhe për njeriun dhe shëndetin e tij, sepse përmban shumë përbërës të balancuar natyror si: proteina, sheqer, vitamina, minerale, enzime, hormone bimore, vajra eterike, ujë dhe fibra vështir të tretshëm në mbështjellës.

I gjithë ky thesar i balancuar me materie ushqyese nuk është hasur në asnjë formë tjetër bimore. Pjalmi paraqet një thesar jashtëzakonisht të rrallë me materie ushqyese e nga ku edhe dalin vetitë shëruese të tij, të cilat ndihmojnë në përmirësimin dhe mirëmbajtjen e shëndetit të njeriut.

PËRBËRJA E PJALMIT: Kokërrza e pjalmit ka përbërje të begatshme kimike, dhe si e cekëm më parë, përmban të gjitha materiet e nevojshme ushqyese për rritjen dhe zhvillimin e organizmit. Përbërja dhe ndërtimi i pjalmit janë hulumtuar e përshkruar mjaftueshëm në literaturë gjer më sot. Duke e ditur rëndësinë, rolin dhe efektin e tij, madje që nga kohët e më hershme, ka qenë objekt hulumtimi nga shumë lëmi shkencore, dhe për dallim nga mjalti dhe propolisi, për të cilët më vonë kanë filluar hulumtimet, sepse njerëzit çdo ditë e më tepër po i kthehen të ushqyerit të shëndetshëm, hulumtimet për këtë, pra janë më të hershme.

UJI:

– Pjalmi i freskët përmban 25 – 30 %, ujë,
– Pjalmi i terur përmban 5 – 10 %. Ujë.

PROTEINAT:

– Në përfshirje të gjerë janë nga 7 – 40 %,
– Gjenden pothuajse të gjitha aminoacidet,
– NDJESHMËRIA ALERGJIKE rrjedhë kryesisht nga proteinat.

KARBOHIDRATET:

– Nga 20 – 40 % mbizotërojnë sheqernat e thjeshtë që kanë prejardhjen nga nektari dhe mjalti,
– 1 –3% celulozë me prejardhje nga mbështjellësi i kokërrzës,
– Rreth 2% amidon.

YNDYRËRAT:

– Varësisht nga prejardhja e bimës e më së shpeshti 1 – 5 %,
– Pjalmi përmban 12 lloje acide yndyrore, të cilat organizmi i njeriut duhet t`i marr me ushqim, sepse vetë nuk mund t`i sintetizojë,
– Për shkak të mungesës së këtyre acideve në organizmin e njeriut vjen gjer te dëmtimi i mëlçisë, sëmundje të ndryshme të lëkurës, humbet oreksi, shpesh paraqitet edhe çrregullimi i sistemit qendror nervor e tj.

VITAMINAT:

– Pjalmi është mjaft i pasur me vitamina,
– B1, B2, E, A, C, D.
– Ndikon në sistemin nervor, sistemin e tretjes dhe shndërrimin e materieve.

MINERALET:

– Pjalmi përmban shumë materie minerale 1 -7%,
– Më të pranishëm janë: kaliumi, kalciumi, fosfori e magnezi.
– Pastaj vijojnë: silici, hekuri, sulfuri, klori e bakri e në sasi më të vogël edhe të tjerë, të cilët varirojnë varësisht nga prejardhja e pjalmit dhe nga kjo arsye kokërrzat e pjalmit përzihen.

POLIFENOLET:

– Polifenolet paraqesin një pjesë të materieve ushqyese, të cilët janë mjaftë të rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit, këtu hyjnë edhe flevanoidet dhe acidet organike të fenolit.

ENZIMET:

– Pjalmi ka një numër mjaft të madh të enzimave dhe koenzimeve në raport të balancuar ideal gjer në 5000.
– Ata kanë një rrol të rëndësishëm si katalizator në proceset biokimike, e ata janë : amilaza, invertaza, katalaza, peroksidaza, fosfataza etj.

LECITINA:

– Lecitina është një materie shumë e rëndësishme, hyn në indet e trurit dhe në fund të enëve të gjakut dhe është e nevojshëm për funksionimin normal të tyre.

ACIDET NUKLEJNIKE:

– Gjenden në sasi nga 0.6 – 4.9%,
– Dominojnë acidet ribonukleinike.

HORMONET:

– Për shkak të pranisë së hormoneve nga bota bimore – fitosterolit, besohet se pjalmi përmban të ashtuquajtura estrogjene, të cilat ndikojnë në rritjen e aftësive seksuale.

VAJRAT ETERIKE:

-Në pjalm ndikojnë si antibakterial.

Si rezultat i përbërësve të pjalmit, ai përmirëson gjendjen e përgjithshme të organizmit. Pjalmi është një nga burimet më të pasura me materie ushqyese dhe përmban të gjitha substancat e nevojshme nutritive për krijimin e jetës së re, prandaj pjesa më e madhe e materieve ushqyese shfrytëzohet për zhvillim të mëtutjeshëm. Mirëpo, është e qartë se të ushqyerit vetëm me pjalm nuk është i mjaftueshëm. Bletëve gjithashtu iu duhet edhe mjalti respektivisht sasia e mjaftueshme që të mbijetojnë.

EFEKTET DHE VETIT E PJALMIT: Vetit antioksidante, për shkak të përmbajtjes së polifenolit, disa vitaminave, mineraleve dhe materieve organike, pjalmi është oksidant natyror i cili neutralizon radikalet e lira të krijuara ndaj ekspozimit të rrezatimit, helmeve dhe faktorëve të tjerë si dhe streseve emotive.

NGRITJA E IMUNITETIT: Pjalmi ndihmon në përmirësimin e sistemit imunitar, shkencërisht është dëshmuar se disa materie ushqyese që përmbajnë pjalm siç janë : proteinat, vitaminat, acidet, kalciumi, magneziumi, acidet nukleinike, lecitina e cisteina e forcojnë sistemin mbrojtës duke iu kundërvënë efekteve negative oksidant të stresit.

VETITË ANTIBAKTERIALE: Pjalmi pengon zhvillimin e baktereve të dëmshme në zorrë. Ndikimi antibiotik është dëshmuar në bakteret gram- negative (E.Coll, Salmonela, Proteus vullgari).

KONTROLLI I MASES TRUPORE: Besohet se pjalmi për shkak të përmbajtjes së lartë të lecitinës, ndikon pozitivisht në rritjen e masës trupore, sepse eliminon çrregullimet biokimike në metabolizëm dhe kështu normalizon peshën trupore, pavarësisht nga mbipesha apo nënpesha. Përveç kësaj, aminoacidet, fenilalalina gjithashtu ndihmon në kontrollin e peshës sepse ndikon në qendrën e cila rregullon ndjenjën e urisë dhe atë të ngopjes. Në rastin kur kemi mbipeshë e zvogëlon nevojën për ushqim kurse kur kemi rastin e nënpeshës e rrit nevojën për ushqim (shton oreksin).

NDIKIMI I PJALMIT NE SISTEMIN E TRETJES: Pjalmi përmban sasi të konsiderueshme të aminoacideve dhe proteinave, të cilat siç është e njohur e nxisin prodhimin e lëngjeve tretëse dhe ndihmojnë tretjen më të mirë të ushqimit. Përveç kësaj, besohet se mikroflora e pjalmit ndikon në balancimin e florës në zorrë.

REAKCIONET E ALERGJISË: Jemi dëshmitar të paraqitjes më të shpeshtë e komplekse të alergjive dhe reaksioneve të alergjive, dhe për këtë, i “akuzojmë” bimët. Mirëpo, bimët e kryejnë funksionin vetë natyror të polenizimit për shumëzim, funksion që e kanë kryer me miliona vite edhe atëherë kur njeriu nuk ka ekzistuar.

Të arriturat shkencore na e bëjnë me dije se njeriu, mënyra dhe jeta bashkëkohore e tij, në të vërtetë, janë gjëra që ndryshojnë. Me ndikimin dhe rritjen e shumë llojeve të stresit që mënyra e jetës në mënyrë të pandalshme na imponon, ndryshon edhe sistemi imunologjik i njeriut, i cili përditë e më tepër reagon me reaksione alergjike, bile edhe atëherë kur nuk ka nevojë biologjike për të, sikur që është rasti me alergjinë ndaj polenit – pjalmit.
Janë bërë disa hulumtime, ku konsumimi i prodhimeve të bletëve bile edhe i pjalmit, para polenizimit sezonal ka kontribuar shërimit të plotë apo të pjesërishëm tek 73 % të pacientëve me ethe të polenit dhe te 78 % të sëmurave nga astma. Konsiderohet se kvercetina nga pjalmi pengon lirimin e histeminës dhe në këtë mënyrë ndikon në zvogëlimin e paraqitjes së dukurive alergjike.

SHËNDETI SEKSUAL: Sipas mendimit të hulumtuesve, pjalmi tregon ndikim ekstrogjenik (prania e hormoneve estrogjenike femërore), sepse ka sasi të madhe të fitosterolit, (hormoneve bimore ). Prandaj besohet se te femrat zbut problemet para menstruale dhe zvogëlon dhimbjet menstruale si dhe normalizon ciklin menstrual.

Gjithashtu, pjalmi ndikon pozitivisht në punën e gjëndrave seksuale tek meshkujt dhe femrat, duke i falënderuar materieve hormonale bimore.

Pas përdorimit të pjalmit gjatë një muaji, tek 50% e meshkujve me problem të impotencës, situata është përmirësuar dukshëm, ndërsa numri i spermatozoideve është shtuar, shkruan në literaturë.

I njëjti burim thekson se hulumtimet kanë treguar se simptomat e menopauzës në 82 % të rasteve janë zhdukur tek grat që e kanë konsumuar për 30 ditë përzierjen e pjalmit të luleve, qumështit të mëmës së bletëve dhe vitaminës C.

EFEKTI POZITIV I PJALMIT:

– Ka efekt pozitiv në rritje dhe zhvillim të njeriut
– Rrit plleshmërinë,
– Normalizon numrin e leukociteve, eritrociteve, dhe trombociteve në gjak,
– Përmirëson qarkullimin e gjakut,
– Ka veti biostimulative dhe regjeneruese tek mëlçia,
– Ka efekte antibakteriale (në baktere gram-negative) tek sëmundjet e lukthit dhe zorrëve, tek infektimi i kanaleve urinare (Esherihia coli, Salmonella, Proteus Vullgaris),
– Ndikon në metabolizmin e lipideve (zvogëlon trigliceridet),
– Ngadalëson plakjen,
– Ndihmon tek problemet e tretjes së ushqimit,
– Stimulon oreksin,
– Mban hemeostazën në organizëm,
– Rrit imunitetin ndaj sëmundjeve,
– Forcon arteriet koronare dhe muskujt e zemrës,
– Ndihmon tek rraskapitja e organizmit,
– Lehtëson punën psikike,
– Përmirëson të pamurit,
– Ndihmon dhe përmirëson rritjen e flokëve etj.

Nga të cekurat më lartë, rezulton se pjalmin duhet konsumuar për të rregulluar gjendjen shëndetësore e që do të thotë parandalimin e paraqitjeve të sëmundjeve të ndryshme.

NDIHMA E PJALMIT TEK PROBLEMET ME PROSTATË

Sëmundja e prostatës prek më shumë se gjysmën e popullatës mashkullore, e rritja e saj shkon me rritjen e moshës. Inflamacioni, rritja dhe tumori i prostatës, janë tri problemet me të cilat ballafaqohen meshkujt.

Prostata është vetëm tek meshkujt. Kjo është një gjëndër e cila e rrethon pjesën e poshtme të fshikëzës së urinës. Qysh në lindje ajo ka madhësinë e kokrrës së bizeles, rritet gjer në moshën njëzet vjeçare kur e arrin madhësinë e vet normale. Nuk ndryshon gjer në moshën 45 vjeçare, kur shpeshherë fillon të rritët përsëri. Kjo rritje shpeshherë lidhet me çrregullimet hormonale të pleqërisë. Ndikimi më i njohur i pjalmit është se i zvogëlon problemet me sëmundjen e prostatës. Prostata shndërrohet në sëmundje kur ajo rritet dhe bën presion në kanalin urinar, dhe ndikon në krijimin e pengesave gjatë urinimit.

Gjatë viteve 1986 dhe 1987 prof, Herman B. në Hamburg ka studiuar efektet e pjalmit dhe ka bërë hu- lumtime të cilat kanë rezultuar me rezultate pozitive tek 70% të të sëmurëve.
Në çfarë mënyre ndikon pjalmi në normalizimin e gjendjes së prostatës?
Mendohet se për rritjen e prostatës ndikojnë grumbullimi i 5-alfa-dihidrotestosteroneve, i cili krijohet nga testosteronet (hormoneve gjenitale mashkullore) me ndihmën e 5-alfa-reduktozës. Pjalmi përmban komponentë e cila bllokon enzimin e përmendur.
Me të cekurat, megjithatë, mendohet se rolin kyç e luan pjalmi dhe ndikimi i tij në pengimin e rritjes dhe zhvillimit të prostatës, e me vetë këtë edhe zmadhimin e sajë.

Në të vërtetë, një hulumtim ka treguar se me praninë edhe pse të vogël të komponentës së pjalmit që shkrihet në ujë, ndalet rritja e sajë. Gjithashtu, në shumë hulumtime është dëshmuar se pjalmi ka edhe një komponentë të tretshme në yndyra, e cila pengon ndezjen, kështu që edhe nga ky aspekt dukshëm ndikon në shërimin e prostatës.

Sot, u preferohet të gjithë meshkujve të moshës mbi 40 vjeçare të konsumojnë nga një lugë të vogël me pjalm çdo ditë, e cila jo se vetëm do të heqë mundësinë e çrregullimit të prostatës, por edhe do të freskojë organizmin me materie ushqyese.

MËNYRA E KONSUMIMIT TË PJALMIT

VËREJTJE: Duhet theksuar se pjalmi mund të nxitë shumë reaksione tek personat që janë të ndjeshëm në prodhimet e bletëve dhe alergjik ndaj tyre. Simptomat janë: vjellja, barkqitja, dhimbje në pjesën e barkut, kokë-dhimbje, kruarje, shkuarja nga hundët, vështirësi gjatë frymëmarrjes, paraqitja e puçrrave, por edhe shoku alergjik. Duhet theksuar edhe se mund të paraqitet rezistenca gjatë përdorimit të gjatë në kohë. Rezistenca mund të pengohet me dozimin e drejtë të sasisë dhe pauzave kohore gjatë marrjes së pjalmit.

Përvoja e bletarëve, mjekësia popullore, por edhe hulumtimet bashkëkohore dëshmojnë se pjalmi ka ndikim të madh pozitiv në shëndetin e njeriut. Gjatë përdorimit preventiv, qysh pas 15 ditësh, e ndjejmë vetën më të hareshëm, dhe të aftë për ngarkesa më të mëdha të punës, lëkura drejtohet, faqet skuqen e ritmi i zemrës është më stabil dhe me rritje të ndjeshme të aftësive fizike.
Organizmi i njeriut lehtë e tretë pjalmin, i cili mund të merret i pastër apo i përzier me mjaltë. Në përgjithësi konsumimi i pjalmit nuk ka kontraindikacione, vetëm në raste të rralla paraqiten alergjitë, të cilat mund të pengohen me zvogëlimin e dozave dhe konsultimin e obligueshëm me mjekun.

MËNYRA E PËRDORIMIT: Mënyra e përdorimit është shumë me rëndësi. Nëse e konsumojmë pa “përpunim paraprak” që nënkupton të përzihet me mjaltë apo diçka tjetër dhe të qëndroj së paku disa ditë e pastaj të përdorët, në të kundërtën nëse e përdorim si pjalm të pastër një pjesë e tij nuk do të shfrytëzohej sepse kokërrzat e pjalmit janë të mbështjella me një mbështjellës e i cili me vështirësi shpërbëhet në kohë të shkurtër.

Prandaj preferohet që të tretet në ujë, dhe aty të qëndroj së paku 6 – 12 orë, pastaj të përzihet me qaj, qumësht, jogurt ose në ndonjë lëng e pastaj të merret me një lugë mjaltë , gjatë kësaj kohe pjalmi shpërbëhet dhe e liron përbërjen e tij nga mbështjellësi.
Mënyra tjetër e përdorimit është që pjalmi të kombinohet me mjaltë, Mjalti është konzervans i shkëlqyeshëm dhe përmban një sasi uji e i cili është i mjaftueshëm që mbështjellësi i kokërrzës së polenit – pjalmit të shpërbëhet, e me këtë rast i liron përbërësit e pjalmit. Përmasa është 30 % pjalm i shtypur dhe 70% mjaltë, kjo përzierje përdorët pas një jave, për arsye të cekura më lartë.

DOZIMI I PJALMIT: Për fëmijë: Mosha nga 3-5 vjet: 5-10 gram në ditë.
Mosha nga 6 – 12 vjet: 10 – 20 gram në ditë.
Për të rritur: doza fillestare është 10 – 20 gram në ditë. Përdorimi preventiv 20 – 30 gram në ditë, ndërsa në rast të sëmundjeve 20 – 40 gram në ditë. Në rastin kur pjalmi është i përzier me mjaltë preferohet një lugë në ditë. Kurse tek çrregullimet më serioze preferohet të rritet doza në 2 – 3 lugë në ditë

MASA (e përafërt): Luga e madhe e gjellës afërsisht ka 13 gram, luga e vogël e kafesë afërsisht ka 5 gram. Një enë me kapacitet 100 gram është e barabartë me70-75 gram pjalm.

Pjalmi i kombinuar mund të përdoret në gjendje natyrale i freskët (ka sasi më të madhe të ujit), në raste të tilla ruhet në frigorifer për ngrirje të thellë (pasi që ka aftësi të prishjes) në – 18 °C, kurse gjatë konsumimit nxjerrët vetëm sasia që do të përdoret për një javë, e cila sasi ruhet në frigorifer të thjeshtë në temperaturë 4 °C. Pjalmi konsumohet gjysmë ore para ushqimit. Pjalmi ruhet në vend të errët e të ftohët. Temperaturat më të mëdha se 40 °C dhe rrezet e diellit i shkatërrojnë përbërësit me vlera të larta të pjalmit. Për t`u ruajtur të gjithë përbërësit e vlefshëm të pjalmit , terja e tij është një punë shumë e ndjeshme prandaj edhe mënyrës së ruajtjes duhet t`i kushtohet rëndësi e veçantë. Pjalmi i freskët – i njomë si dhe ai i terur, pa humbur përbërës të ndjeshëm, mund të ruhen gjer një vit, kurse i përzier me mjaltë gjer dy vite.

Këshillë për personat që kanë ndjeshmëri në aromën apo shijen e pjalmit, është që ta konsumojnë të përzier me mjaltë, i cili do t`i ulë dukshëm ato. Në ato raste të konsumohet në sasi më të vogla gjer sa të adaptohet organizmi në to, gjithashtu dy javët e para mund të konsumohet menjëherë pas ushqimit.

RECEPTURAT

PJALMI ME MJALTË DHE GJALPË PËR RRITJEN E IMUNITETIT:

– Gjalpë 100 gram
– Mjaltë 50 gram
– Pjalm i terur e i bluar 10 gram (më së miri të bluhet në mulli të kafes, jo gjatë kohë që mos të nxehët)
Në mjaltë dhe gjalpë (margarinë) hidhet pjalmi dhe përzihet mirë. Në mëngjes me një lugë lyhet një copë bukë dhe kjo i preferohet fëmijëve dhe të rriturve si shtojcë ushqimit tjetër por edhe të tjerëve pas sëmundjeve, kjo përzierje ruhet në enë qelqi në frigorifer.

PJALMI ME MJALTË PËR RRITJEN E IMUNITETIT

– Përgatitje e lëngët:
Pjalm i freskët 50 gram, Mjaltë 180 gram,
Ujë 8 decilitra.
Së pari e treteni mjaltin në ujë të ftohët dhe pastaj gradualisht ja shtoni pjalmin duke e përzier vazhdimisht. Përzierjen e leni 2 -3 ditë në temperaturë tëdhomës (20 gradë), gjatë kësaj kohe vie gjer te fermentimi. Përzierja ka një shije të këndshme. Konsumohet në mëngjes dhe mbrëmje 1.5 decilitra e cila para përdorimit përzihet mirë. Sasia e përgatitur mjafton për gjashtë ditë.

PJALMI ME MJALTË PËR RRITJEN E IMUNITETIT

– përgatitje e dendur:
Pjalm i terur e i bluar 50 gram, Mjaltë 250 gram.
Përzieni pjalmin e terur e të bluar me mjaltë dhe krijoni një masë të dendur të cilën e ruani në enë të qelqit në temperaturë të dhomës.

Dozimi: Konsumohet 2 – 3 herë në ditë nga një lugë, gjysmë ore para ushqimit, edhe pse kjo përzierje vështirë fermentohet, mund të përdoret pas një jave, me përzierje paraprake.

DISA TË DHËNA PËR KOKRRËN E PJALMIT

Pjalmi është shumë i imët, gamet seksual mashkullor i bimës i ndashëm me trashëgimi gjenetike mashkullore. Madhësia e kokërrzës së pjalmit është nga 22-50 mikrometra (1.mm = 1000 mikrometra). Kokërrza e pjalmit, përbëhet nga “materia e gjallë” dhe mbështjellësit e jashtëm.

Dy shtresa kryesore e përbëjnë mbështjellësin kryesor të kokërrzës: intina (shtresa e brendshme ) dhe eksina (shtresa e jashtme) e ndërtuar nga sporopolenina, materie të cilat nuk e lejojnë rrjedhjen e pjalmit, kimikisht jashtëzakonisht e qëndrueshme. Eksina mbron kokërrzën e polenit dhe përmbajtjen e sajë nga faktorët e jashtëm. Ajo është si kartë identifikuese e çdo kokërrze pjalmi, sepse tek çdo lloj bime sipërfaqja e kokërzës së polenit është e formësuar ndryshe – me vija, pore apo gunga, tipike për atë lloj bime apo atë grup bimor, e cila gjë na ndihmon, edhe kur nuk e kemi atë lloj bime në afërsi, të dimë se për cilën bimë është fjala, dhe llojin e saj. Kjo karakteristikë ka rol të rëndësishëm në analizën e mjaltit, gjatë vërtetimit të kualitetit dhe prejardhjes gjeografike të tij, është e njohur se vetëm mjalti natyral përmban kokrra pjalmi në masë të caktuar dhe në forma të njohura të kokrrës së pjalmit.

Për forcën e madhe dhe rezistencës së eksinës flasin edhe faktet se ata mbështjellës të kokrrës së pjalmit me struktura të ruajtura i gjejmë në fundërrina të liqeneve të dikurshme, moçaleve dhe tresteve nga disa metra thellë në tokë, në shtresa të vjetra nga disa mija vjet.

Eksina me gjithë atë nuk e mbulon intinën njëtrajtshëm, sepse kështu e kishte pamundësuar poleniz- imin dhe shumëzimin e bimëve. Natyra është përkujdesur që eksinës t`i lej vrima apo vende me mbështjellës më të hollë në formë të kanaleve të zgjatura apo poreve të rrumbullakëta nga të cilat nga kokërrza e polenit lëvizë bërthama e materialit mashkullor d.m.th. Kur kokërza e pjalmit vije në mjedisin me lagështi, ajo lëshon një varg materiesh kimike dhe mbin.

Duke e njohur historikisht rëndësinë e pjalmit dhe mekanizmat se si funksionon kokërrza, vijmë gjer tek faktet e rëndësishme dhe pyetja se si njeriu duhet ta konsumoj pjalmim me qëllim që ta shfrytëzojmë maksimalisht përbërjen e tij.

Vijmë në përfundim se pjalmi duhet të mbijë – të hapet e që të mund ta shfrytëzojmë në tërësi të gjitha begatitë që ai na ofron, çka më gjerësisht e kemi sqaruar në pjesën për përdorimin e tij./Gazeta Bujku

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme