spot_img
HomeBUJKUPASIONI/ Një jetë me 'kokë' n’koshere: rrëfim mbi universin e të fshehtat...

PASIONI/ Një jetë me ‘kokë’ n’koshere: rrëfim mbi universin e të fshehtat e bletës

spot_img

Të jesh në mesin e bletëve dhe të dëgjosh zhurmat e dhjetëra mijëra prej tyre dhe aromën e butë të mjaltit, është një përvojë që vetëm një bletarë mund ta përshkruajë më së miri.

Bletaria është një prej sektorëve më fitimprurës në Kosovë dhe Nehru Salihu përveçse është njohës i mirë i bletarisë, është edhe kultivues i tyre.

Është mjaftë aktiv edhe me këshilla për bletarët duke i ndihmuar që të kenë sa më shumë suksese e me pak dështime.

Në intervistën për Gazeta Bujku, ai tregon se si duhet filluar me kultivimin e tyre, mbrojtjen nga sëmundje të ndryshme dhe gjëra interesante për bletët.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Shumë kush dëshiron të merret me bletari, por a mund të na tregoni se çfarë duhet të dijë një fillestar për këtë veprimtari?

Bletaria është lëmi specifike ku bletari nuk e ka të domosdoshme të ketë prona të veta pasi që ato mund të vendosën në vende të ndryshme.

Bletaria është një profesion, i cili si çdo profesion tjetër, kërkon marrjen e disa njohurive elementare para se të fillojmë të angazhohemi me të. Aktualisht, për zhvillimin e bletarisë ka literaturë më shumë se për cilëndo degë tjetër të bujqesisë. Mirëpo vetëm teoria, pa pjesën praktike, shpeshherë i lajthit bletarët e rinjë, për shkak të njohurive të kufizuara për këtë lëmi apo ndonjë arsye tjetër, apo ajo për ne nuk është e qartë sa duhet dhe ne nuk i arrijmë rezultatet e planifikuara. Për këtë arsye është më së miri, që në fillim, të kontaktojmë me ndonjë bletar me përvojë, ashtu që t’na ndihmojë në fillet e para të marrjes me bletari. Në këtë mënyrë të interesuarit më së lehti dhe më së miri do të fitonin bazat elementare, përvojën e parë si fillestar, lirimin nga frika e thumbimit të bletëve dhe kështu do të dëshmoheshin se a janë të gatshëm të merren me kultivimin e bletëve. Zakonisht, fillon si hobi e më vonë nëse u përgjigjet, vazhdojnë të merren me të në mënyrë profesionale. Në anën tjetër, ata do t’i bënin një ndihmë bletarit më të vjetër, ndihmë që gjithmonë është e mirëseardhur dhe e nevojshme.

Nëse ky bashkëpunim do të fillonte në muajin mars apo prill, bletari me përvojë e me numër më të madh të zgjojeve të bletëve, sigurisht do t’ua dhuronte një apo dy luzma (rrëshema) bletësh, dhe kështu do ta mbyllnit me sukses dhe kënaqësi vitin e parë të punës me bletë. Nëse e merrni si dhuratë një luzmë bletësh, kuptohet se kosheren duhet ta blini vet, por ky detal veçse e forcon dashurinë tuaj ndaj bletëve, sepse ky do të ishte investimi juaj i parë në bletari.

Cilat janë përfitimet nga bletët?

Bleta mjaltëmbledhëse na sjell një varg dobish të vlefshme ekonomike e biologjike dhe për këto arsye njeriu ka filluar edhe t’i kultivojë bletët në mënyrë më intensive. Bletët kultivohen pothuajse në tërë botën. Njerëzit krijojnë shoqëri bletësh të forta të cilat mbledhin nektarin dhe e shëndërrojnë në mjaltë si dhe mbledhin pjalmë në sasi më të mëdha se sa u duhet për nevoja të zgjoit.

Me aplikimin e teknologjive adekuate të punës me bletë, ato mund të nxitën – detyrohen që të prodhojnë më shumë mjaltë, pjalm, propolis, qumësht të mëmave të bletëve, dyllë dhe helm blete e që të gjitha këto mos të ndikojnë dëmshëm për zgjoin e bletës. Një veti tjetër e mirë e bletëve mjaltëdhënse është se ato nuk janë shoqëri – zgjoje me karakter afatshkurtër, por ato, zgjojet janë afatgjata, d.m.th. shumëvjeçare (bletët vazhdojnë jetën edhe pas vjeljes së mjaltit apo prodhimeve të tjera të tyre). Zgjojet e bletëve me lehtësi shumëzohen qoftë me roitje – luzmim natyral apo artificial.

Çfarë e bën një vend të të përshtatshëm për rritjen e bletëve?

Përzgjedhja e vendit për vendosjen e zgjojeve të bletëve siç njihet parkut të bletëve apo bletishtes, është i një rëndësie të veçantë. Vendi më i përshtatshëm është ku ka një pjerrtësi të lehtë, që është i kullueshëm, pa lagështi të tepërt dhe të jetë i mbrojtur nga era. Kosheret duhet të jenë të vendosura që të kenë hije të kohëpaskohëshme, hyrja të cilave duhet të jetë e kthyer nga lindja apo juglindja, të mos jetë afër rrugëve më frekuencë të lartë të komunikacionit, të jetë larg ndriçimit publik, deponive të mbeturinave, stallave të kafshëve, të mbrohen nga kafshët dhe shpezët shtëpiake. etj. Për të vendosur bletishtet, vendet më të përshtatshme janë: pemishtet e ndryshme (duhet të keni parasysh se spërkatja me qëllim të mbrojtës së pemëve nga dëmtuesit e ndryshëm i dëmton bletët), vendet jo fort larg shtëpive (qasja më e lehtë dhe më e shpejtë dhe pa shpenzime transporti), rrëzë vendeve të pyllzuara, etj.

Sa lloje të bletëve të mjaltit ekzistojnë?

Janë rreth 20.000 lloje bletësh të njohura, por vetëm 10 lloje nga to prodhojnë mjaltë dhe ato quhen bletët mjaltëmbledhëse, të cilat kultivohen nga njeriu.

Sa vite jetojnë bletët e mjaltit?

Bletët janë insektet e vetme që prodhojnë ushqim e që njeriu e shfrytëzon këtë për nevojat e veta si ushqim dhe si ilaç.

Bletët jetojnë në bashkësi të përbërë nga disa dhjetëra mijëra bletë (miza blete), një mëme dhe disa qindra brumbuj (vetëm gjatë kohës së verës).

Mëma e bletëve është nëna e të gjitha bletëve dhe brumbujve në zgjua, për këtë arsye shpesh e quajmë edhe ‘mbretëreshë’. Në rrethana normale, në zgjua gjendet vetëm një mëmë e bletëve. Jeta e një mëme të bletëve mund të jetë pesë e më tepër vite, por më produktive është dy vitet e para.

Bletët punëtore kryejnë të gjitha punët e nevojshme për sigurimin e ekzistencës së zgjoit. Detyrat të cilat i kryejnë bletët janë të bazuara në moshën e tyre, siç janë: pasi të lindin, dy ditët e para bletët tjera i pastrojnë dhe i ushqejnë të sapolindurat, ditën e tretë dhe të katërt ajo i pastron bletët e reja të sapolindura, në të pestën dhe të gjashtën ato pastrojnë huallin nga ku kanë lindur bletët e reja, nga dita e shtatë e gjer të dymbëdhjetën ajo fiton aftësitë për sekretimin e qumështit të mëmës së bletëve, prandaj shndërrohet në bletë përcjellëse dhe ushqyese të mëmës së bletëve dhe larvave të bletëve, nga dita e trembëdhjetë e gjer në ditën e tetëmbëdhjetë pasi që i janë zhvilluar gjëndrat për sekretim të dyllit, ajo ndërton hojet e reja në zgjua, ndërkaq nga dita nëntëmbëdhjetë e gjer në ditën e njëzetedytë merr rolin e bletës rojtare, e cila e ruan hyrjen në zgjua; nga dita e njëzetedytë e gjer në fund të jetës së saj (gjatë verës maksimalisht jeton gjer 47 ditë) bëhet bletë mbledhëse e nektarit, pjalmit, propilisit dhe e ujit, kurse gjatë dimrit jetojnë 6 – 8 muaj, dhe pas daljes nga dimri shpejtë vdesin.

Brumbujt janë anëtarët meshkuj të familjes së bletëve. Funksioni dhe roli i tyre është që ta fekondojnë mëmën e bletëve, gjë që e arrijnë vetëm disa nga ta. Ata lindin nga vezët e pafekonduara. Në raste kur pakësohet kullosa në natyrë dhe mëma e bletëve është e re dhe pa të meta, bletët i hedhin jashtë brumbujt në mënyrë që të mos e harxojnë ushqimin e mbledhur. Brumbujt jetojnë gjer 60 ditë dhe në zgjua janë të pranishëm vetëm gjatë kohës së verës.

Si komunikojnë bletët e mjaltit?

Bletët në mes vete komunikojnë me lëvizje – shenja.

Cilat bimë tërheqin më shumë bletët?

Bletët punëtore (më të vjetra se 20 ditë) çdo ditë dalin, mbledhin dhe e sjellin në koshere nektarin, polenin dhe ujin, kur është koha e mirë dhe bimët sekretojnë nektarin. Por të gjitha bletët çdo herë nuk i gjejnë lulet mjaltëdhënëse që japin nektarin dhe polenin. Mjafton që vetëm një bletë ta gjejë atë dhe për një kohë të shkurtër me qindra, por edhe mijëra bletë të atij zgjoji do të vërsulen në atë vend për të shfrytëzuar atë ushqim. Andaj dihet se bletët komunikojnë mes veti me lëvizje dhe njoftojnë njëra tjetrën për burimet e gjetura të kullosës.

Nektarin të cilin e sekretojnë bimët, bletët nuk mund ta shfrytëzojnë përherë. Përjashto këtu kushtet klimatike kur bletët nuk mund të dalin në kullosë, janë edhe disa momente kur bletët nuk mund ta shfrytëzojnë nektarin. Nektarin e shumë llojeve të luleve e shfrytëzojnë dhe e mbledhin bletët, por ka edhe disa lloje të luleve të cilat janë më të thella dhe bleta nuk mund të arrijë ne thellësi me feçkën e vetë dhe ato mbesin të pashfrytëzuara, siç është rasti me tërfojën – detelinën e kuqe. Përqendrimi i sheqerit në nektar tek bimët është i ndryshëm dhe dallon nga njëra bimë tek tjetra. Ky koncentrim i sheqerit në nektar varësisht nga bima sillet nga 5 – 70% (gështenja 69 %, akacia 55%), gjithashtu kjo ndryshon në bazë të lagështisë, temperaturës dhe lëvizjës së ajrit (erës). Kur është koha e nxehtë dhe me erë, uji nga nektari avullohet, koncentrimi i sheqerit në nektar rritet, ndodh nganjëherë sheqeri në nektar dendësohet për shkak të avullimit të ujit sa që thahet dhe bletët nuk mund ta shfrytëzojnë. Bletët më me ëndje e mbledhin nektarin me koncentrim të sheqerit rreth 50%. Nëse koncentrimi i sheqerit në nektar bie në 10% e më pak, bletët as që do të mbledhin nektar. Në raste kur lagështia e ajrit është e madhe dhe moti është me shi, atëherë koncentrimi i sheqerit në nektar zvoglohet. Lagështia relative e ajrit më e përshtatshme është 60-80%.

Terenet më të përshtatshme për shfrytëzimin e kullosave për bletë janë komplekset me bimë mjaltëdhënse të mbrojtura nga era si luginat rrëzë maleve dhe afër lumenjëve, ku sekretimi i nektarit është më i madh, kurse tharja e tij është më e vogël.

Çfarë mund të na tregoni për qumështin e bletëve apo ‘qumështin e mbretëreshës’?

Esenca dhe qëllimi i qumështit është zgjatja e jetës, ekzistenca e zgjojeve të bletëve etj. Qumështi i mëmës në zgjoin e bletës është eliksiri dhe sekreti i jetëgjatësisë së saj. Nëse hyjmë pak më thellë në fiziologjinë e zgjoit të bletës, në përmbledhje të zhvillimeve brenda saj, shumë lehtë do ta kuptonim se si bletët, si lloj, nuk do të mbijetonin pa qumështin e mëmës së bletëve, kurse kjo është për njeriun një materie enigmatike.

Qumështi i mëmës është prodhim, të cilin bletët e moshës 7-12 ditore, e krijojnë me sekretimin nga gjëndrat qumështore të tyre. Kjo është një masë homogjene dhe e dendur, në formë të kremit me ngjyrë të bardhë e gjer te ajo e verdhë e çelur. Ka viskozitet sikur të kremeve, ka aromë të fortë dhe shije të ëmbël në të thartë. Qumështi i mëmës së bletëve tek njerëzit, përdoret si shtojcë e ushqimeve. Me mijëra vjet tek kulturat orientale ky qumësht është konsideruar si burim unik për ruajtjen e rinisë dhe prodhimin e energjisë. Përvojat tradicionale bëjnë me dije se e zvogëlon shqetësimin dhe pagjumësinë, ngrit disponimin, rrit qëndrueshmërinë, forcon memorjen dhe sistemin imunitar.

Një prej sëmundjeve më të përhapura është varroa. Çfarë kujdesi duhet treguar dhe a mund të luftohet varroatoza?

Kjo sëmundje parazitore për herë të parë është vërejtur në vitin 1904 në ishullin Java. Shkencëtari A.C. Oudemans e ka emëruar sipas hulumtuesit Jacobson. Në Europë është hasur në vitin 1958 tek bletët në ish-BRSS, në zonat ku lidhet me kontinentin e Azisë. Prej aty ku ka filluar të shpërndahet në tërë Europën. Varroa është një sëmundje shumë e rëndë dhe e rrezikshme e bletëve. Shkakëtari i kësaj sëmundjeje është rriqëra Varoa Destructor, e cila mund të shihet edhe me sy, pa mjete zmadhuese, me gjatësi 1 – 1,7 dhe gjërësi rreth 1,6 mm. Paraziti përhapet nga kontakti i bletëve në mes vete, por edhe gjatë punës së bletarit me bletë, sidomos gjatë transferimit të korrnizave me bletë dhe mbarësim nga njëra në kosherën tjetër. Femrat e këtijë paraziti jetojnë në trupin e bletëve dhe ushqehen me hemolifën e bletëve (gjaku i bletës), kurse vezët i lëshojnë në qelizat ku zhvillohet mbarësimi i bletëve. Prandaj, prezenca e varoës mund të shihet si tek bletët e lindura ashtu edhe në larva të hapura dhe me mbarësim të mbyllur. Femrat e këtij paraziti jetojnë 2 – 3 muaj gjatë verës, kurse 6- 8 muaj gjatë dimrit. Në kushte laboratorike pa ajër dhe pa ushqim ky parazit mund të mbijetojë 1 – 9 ditë, ndërsa në hoje me mbarësim të mbyllur e në temperaturë prej 20°C, mund të mbijetojë deri në 30 ditë. Gjatë kohës kur janë kushtet e përshtatshme klimatike, varoa mund të japë shumë gjenerata gjatë vitit dhe nëse bletari nuk ndërmerr masat e duhura zgjojet do të vdesin. Në raste kur zgjoi është i “pushtuar” nga varoa në masë të madhe, ndodh që në një larvë të gjenden edhe gjer në 20 parazitë. Në këto raste zakonisht i tërë zgjoi vdes, sepse larvat vdesin ende pa çelur, nuk ka reprodukim, zvogëlohet numri i bletëve dhe zgjoi zhduket plotësisht.

Duke pasur parasysh se kjo sëmundje i sjell dëme të mëdha bletarisë, është e nevojshme që të përcillët zhvillimi i saj dhe të luftohët ajo pasi që gjer më sot nuk është e ditur se nga kjo sëmundje bletët mund të vetëshërohen. Duke e pasur parasysh këtë fakt, atëherë na mbeten dy metoda për luftimin e saj (biologjike dhe kimike), por vazhdimisht duhet të kemi parasysh se në asnjë mënyrë, së paku sa është e ditur gjer më tani, nuk mund ta eliminojmë 100%.

Salihu, një ndër problemet që çon në zhdukjen e bletëve është edhe përdorimi i pesticideve. Sa janë të dëmshme për bletët?

Preparatet kimike – pesticidet, në bujqësinë bashkohore dita ditës gjejnë aplikim më të madh me qëllim të arritjes së rendimenteve sa më të mira si në aspektin e sasisë ashtu dhe në atë të cilësisë. Për arritjen e këtij qëllimi përdorimi i tyre (pesticideve) bëhet në të gjitha fazat e zhvillimit të kulturave të ndryshme bimore, si masë agroteknike.

Për organizmin e bletëve mjaltëdhënëse shumica e pesticideve janë helmues. Pesticidet janë të domosdoshëm për arritjen e prodhimtarisë së lartë të prodhimeve bujqësore, kurse në anën tjetër janë të dëmshme e shpeshherë vdekjeprurës për bletët, të cilat gjithashtu janë të rëndësisë së madhe për shkak së ato rrisin prodhimtarinë bujqësore në aspektin kualitativ dhe kuantitativ. Prandaj, me të drejtë shtrohet pyetja nga ana e bletarëve: si të përdoren pesticidet në mënyrë racionale e në anën tjetër të mos dëmtohen bletët dhe prodhimet e tyre?

Helmimi më i madh i bletëve ndodh në fazën e lulëzimit të kulturës së caktuar. Me qëllim që t`i shmangemi helmimeve është e domosdoshme që të punohen programe për mbrojtjën e kulturave të ndryshme e me çka do t’i mbronim edhe bletët. Ky program do të duhej të përfshinte biologjinë e çdo dëmtuesi të secilës kulturë që trajtohet. Gjatë punimit të këtij programi do të duhej të përmendej përdorimi i pesticideve selektive, të cilët do të ishin më pak të dëmshme për bletët dhe insektet tjera të dobishme.

 Përse janë të rëndësishme bletët?

Bleta mjaltëmbledhëse na sjell një varg dobish të vlefshme ekonomike e biologjike dhe për këto arsye njeriu ka filluar edhe t’i kultivojë në mënyrë më intensive. Kontributi i bletëve është shumë i madh në polenizimin e bimëve entomofile. Duke falenderuar polenizimin që bëjnë bletët, ato japin rendimente shumë më të mëdha si në aspektin kuantitativ ashtu dhe në atë kualitativ. Kohëve të fundit ky rol i bletëve është rritur edhe më shumë duke e pasur parasysh se numri i insekteve të tjera, polenizues të bimëve, është zvogëluar për shkak të përdorimit të preparateve të ndryshme kimike për mbrojtjen e bimëve. Për rëndësinë e polenizimit, është dëshmuar se ai i sjell dobi më të madhe për 10 – 15 herë më shumë bujqësisë në përgjithësi se sa bletarëve përmes prodhimeve që bletarët i marrin nga bletët.

Si është e ardhmja e bletarisë në Kosovë dhe sa po përkrahet nga institucionet përgjegjëse?

Konsideroj se bletaria në Kosovë ka një të ardhme të mirë. Kjo fal pozitës së përshtatshme gjeografike, kushteve të mira klimatike, florës së pasur dhe faktorëve të tjerë natyrorë. Përkrahja nga institucionet nuk mungon dhe vjen përmes subvencioneve (më të lartat në rajon), granteve dhe donacioneve të ndryshme, përmes Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (laboratorit për zbulimin e sëmundjeve), të gjitha këto shumë të rëndësishme, megjithëse mendoj se nuk jan të kordinuara sa duhet me Lidhjen e Bletarëve të Kosovës.

Për fund një këshillë për bletarët?

Për bletarët e suksesshëm, mendoj se nuk kanë nevojë për shumë këshilla, sepse për të gjithë ata është dëshmuar se kanë intelegjencën mbi mesatare dhe janë të aftë të notojnë si të pavarur në ujrat e bletarisë. Ndërsa për të gjithë të tjerët, në emër të komunitetit të bletarëve, kam një lutje: për hir të interesave individuale, shoqërore e kombëtare, ruajini bletët! /Gazeta Bujku/tesheshi.com

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme