spot_img
HomeBUJKUOrigjina dhe kultivimi i shegës

Origjina dhe kultivimi i shegës

spot_img

Shega, sipas të dhënave të deritanishme, ka qenë e kultivuar  që nga koha Neolitike (D. Holland & Irit Bar Ya’akov 2008). Origjinën e ka nga shega e egër (Punica granatum L. var. spontanum K.Maly). Formacjone pyjore me shegë të egra shtrihen ne formën e një brezi nga Azia e Vogël në drejtim të Himalajës. Në brigjet e Mesdheut sipas arkeologjisë  thuhet se ka ardhur në periudhën e fundit të bronxit rreth 3 – 3.7 mije vjet më parë, diçka më pas se bima e fikut. Janë gjetur dëshmi arkeologjike në ishullin e Qipros.(de Candolle 1886, K. Krist Hirst, 2006,).

Pak me vonë ose në të njëjtën periudhë duhet të ketë hyre dhe në siujdhesën e Ballkanit. (Mercure 2007). Grekët e kanë kultivuar shegën shumë kohë më parë se romakët. Përmendet në Këngët Homerike, nga Heredoti, ndërsa Teoftasti e përshkruan tek “Historia e Natyrës”, etj.

Romakët e kane mare shegën nga kartagjenasit. Në vitin 800 shega qe përhapur në të  gjithë Perandorinë Romake, Spanjë dhe Evropën qendrore. Plini e përshkruan shegën si një frut të rëndësishëm dhe llojet më të mira vinin nga Kartagjena.

Origjina e shegës në Shqipëri po shqyrtohet nga shkencëtarët evropianë dhe shqiptarë, pasi në territorin shqiptar, në zonën bregdetare, me shtrirje 300 km. veri-jug, veçanërisht në zonën Lezhe – Milot, gjenden formacione pyjore me shegë të egra. Në studimin që ka filluar në vitin 1995, është hedhur ideja se disa lloje të shegëve të buta që kultivohen në Shqipëri e kanë origjinën nga shegët e egra vendase, si rrjedhojë e një seleksionimi të gjatë. (Xhuveli, 2012). Ky studim vazhdon të plotësohet edhe me analizat e testet gjenetike.

Llojet e shegëve në Shqipëri janë të shumta, mund të ketë lloje vendase por, vazhdimisht lloje të reja kanë ardhur nga vend origjina lindore e tyre, sepse janë lloje me veti e cilësi më të mira, ashtu si arra. Studime te mirëfillta për llojet e shegëve të kultivuara në Shqipëri nuk ka pasur.

Shega depërtoi në Kinë e Indi, nga Lindja e Mesme, nëpërmjet rrugës së famshme të Mëndafshit (138-125 PK)., dhe që këtej në Lindjen e Largme, Indonezi,  Oqeani, etj.

Rreth viteve 1600-1700 shega është futur nga spanjollet në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Në SHBA shega u diktua në vitin 1700 në Florida dhe pas kësaj në Kaliforni dhe Arizona. Sot SHBA-të janë nje nga prodhuesit më të mëdhenj të shegëve në botë.

Shega futet në grupimin e pemëve frutore të vogla, pak të kultivuara. Në këtë grup bëjnë pjesë specia të pa shfrytëzuara, të lëna pas dore, për shkak të mungesës së marketingut, shkaqeve sociale, komercialë, biologjikë, historikë, etj. Kohët e fundit shkenca po u jep përparësi prodhimeve bio, të shëndetshme e të pasura në vlera ushqimore. Për Shegën dekadën e fundit ka patur një interesim të veçantë. Disa vende të Lindjes, si dhe vendet ku për shegën ka pasur një kujdes dhe vëmendje të veçantë, janë bërë eksportuesit kryesorë dhe kanë siguruar të ardhura të mira. Kjo ka bërë që shega sot të futet në grupimin e frutave të  rëndësishme (Bellini, 2010).

Organizata e Kombeve të Bashkuara për ushqimin, FAO,  nuk ka të dhëna statistikore për prodhimin botëror të shegëve. Sipas të dhënave të Holland (2008)  pasqyruar në tabelë, prodhimi botëror i shegëve llogaritet deri në 1,5 milion ton në vit, afërsisht sa prodhimi i fiqve. Gati 90 përqind e prodhimit botëror sigurohet nga tre shtete Irani, India dhe Kina. Shtetet e Ballkanit duke përfshirë  këtu Greqinë e Shqipërinë, importojnë shegë nga vendet e lindjes. Për prodhimin e shegëve në Shqipëri nuk kemi të dhëna në raportin statistikor vjetor të Ministrisë së Bujqësisë. Të dhëna edhe mund të gjenden ne Drejtoritë e Bujqësië së Qarqeve.

Autor: Koço Mosko

Gazeta Bujku e boton me leje te http://bota-bujqesore.blogspot.com/

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme