spot_img
HomeLAJMET E FUNDIT Obeziteti dhe diabeti, dy problemet e mëdha të shoqërisë moderne

 Obeziteti dhe diabeti, dy problemet e mëdha të shoqërisë moderne

spot_img

Zhvillimi teknologjik, përpos përparimeve të mëdha në fusha të ndryshme të shoqërisë, tjetërsoi edhe mënyrën tonë të jetesës. Kjo vërehet kudo ku hedhim sytë. Nëse flasim për kulturën e të ushqyerit, se si ishte dje dhe se çfarë ndryshimesh ka pasuar ajo sot, do të shohim fare mirë se kultura e ngrënies nuk ngjason hiç me të djeshmen. Ne nuk hamë më shumë nëpër shtëpitë tona, siç kemi bërë rëndom për gjenerata të tëra, por ngarendim nëpër restorante, qebaptore, lokale të ushqimeve të shpejta etj.

Ajo që dëshiroj të potencoj është përhapja me të madhe e ‘fast foodit’, apo kulturës së ngrënies së ushqimit të shpejt: ‘Makdonaldizmi i shoqërisë’. George Ritzer thoshte për ‘makdonaldizmin’ se është një proces ku ushqimi i shpejt mbisundon në të gjithë sektorin e shoqërisë amerikane dhe kudo në botë.

Me përhapjen e trendit te ushqimit të shpejtë, thuajse në të gjithë botën – sidomos në vendet perëndimore – njerëzit nuk merakosen më për shëndetin e tyre; ata zgjedhin ushqim jo të shëndetshëm për trupin e tyre, e sa më tepër që kalon koha – aq më pak jemi të vetëdijshëm se çfarë konsumojmë.

Si shoqëri konsumi që jemi, atmosfera globale e shekullit XXI-të nuk është aspak mikpritëse për shëndetin njerëzor. Duke pasë parasysh këtu problematikat e shumta që hasim sot, në të gjithë rruzullin, kuptojmë se rreziqet për shëndetin e njeriut sa vijnë e bëhen më vdekjeprurëse.

Fatkeqësisht, në dekadat e fundit, obeziteti (mbipesha) dhe diabeti – për shkak të neglizhencës njerëzore – janë në rritje e sipër, duke prekur edhe moshat e reja. Të dy këto sëmundje janë të lidhura me njëra-tjetrën, sepse ata të cilët janë në mbipeshë për rrjedhojë janë më të prekurit nga sëmundja e diabetit.

Për sa i përket sëmundjes së obezitetit, duke iu referuar Shoqatës Evropiane për Studimin e Obezitetit (EASO), në vitin 2008 janë të prekur më shumë se 1.4 miliardë të rritur (mbi 20 vjeç). Nga shifra të tilla kuptojmë fare mirë se situata nuk është aspak në favorin tonë, por ajo është duke u përkeqësuar nga dita në ditë.

Gjithmonë, sipas këtyre të dhënave, mbipesha dhe obeziteti janë rreziku i pestë kryesor për vdekjet globale. Të paktën 2.8 milionë të rriturit vdesin çdo vit si rezultat i mbipeshës. 44 për qind prej tyre bëhen me diabet, 23 për qind me sëmundje të ndryshme të zemrës dhe 7-41 për qind me kancer që i atribuohet drejtpërsëdrejti obezitetit. Më shumë se 40 milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare ishin në mbipeshë në vitin 2011.

Nga të dhënat e publikuara nga CIA World FactBook, norma e prevelancës së obezitetit te të rriturit në Shqipëri kishte arritur në 21.7 për qind të popullsisë në vitin 2016 – nga 18.1 për qind që ishte në 2014 (Shqipëria renditej kështu në vendin 74 nga 180 vende). Listës i printe Kuvajti me 37.9 për qind, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 36.2 për qind, Jordania me 35.5 për qind dhe Arabia Saudite në vendin e katërt me 35.4 për qind. Vendi i fundit i takonte Vietnamit me 2.1 për qind. Kosova nuk ishte e përfshirë në këto të dhëna.

Të dhënat që vijnë nga Instituti i Shëndetit Publikë të Shqipërisë tregojnë se nga 21.7 për qind, vetëm 7.7 për qind janë obezë nën moshën 18-vjeçare. Kjo shifër tregon qartë se mbipesha po ngërthen edhe moshat më të vogla. Këtu është shqetësimi më i madh, sepse më parë të miturit nuk kanë qenë të prekur nga mbipesha; këto raste ishin të rralla, por me kulturën e ‘fast foodit’ janë në rritje për çdo vit.

Kur flasim për diabetin, edhe te kjo sëmundje kemi statistika të frikshme që duhet të na shqetësojnë për të marrë masa serioze se çfarë duhet bërë për ndryshimin e situatës. Sipas statistikave të nxjerra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO), 1.6 milionë njerëz vdesin në vit nga diabeti. 80 për qind e tyre janë vetëm nga vendet e zhvilluara.

Duke u nisur nga këto shifra, apriori mund të deklarojmë se sa më e zhvilluar të jetë shoqëria, aq më të prekur jemi nga këto sëmundje.

Kur është fjala për Shqipërinë, sipas Institutit të Shëndetit Publik në vitin 2013 ishin 62 mijë të prekur nga diabeti, ndërsa sot kjo shifër ka ndryshuar. Kështu që, duke iu referuar Shoqatës së Diabetit në Shqipëri, janë mbi 75 mijë të prekur nga diabeti në vitin 2017, por kjo shifër mund të jetë dy apo trefishë më e lart për shkak të mos diagnostikimit (kjo bën që shifrat mund të shkojnë në mbi 150 mijë). Nëse krahasojmë me pesë vite më parë, kishim tremijë raste brenda vitit me diabet, ndërsa tani kjo shifër gati është dyfishuar me pesëmijë raste brenda vitit.

Kur flasim për Kosovën, akoma nuk ka statistika zyrtare për numrin e të prekurve nga diabeti. Por, sipas Qendrës e Klinikës Universitare të Kosovës, çdo ditë regjistrohen 50 raste të reja të prekur nga kjo sëmundje.

Duke pasë parasysh këto, duhet të jemi më të vetëdijshëm për pasojat të cilat mbartin mbipesha dhe diabeti. Ata që duhet të ndërgjegjësohen në fillim janë prindërit të cilët duhet të përkujdesën më shumë për fëmijët e tyre se çfarë ushqimi është i shëndetshëm për ta. Gjithashtu, një peshë të përgjegjësisë mbartin edhe institucionet përkatëse që duhet të kontribuojnë në hapjen e fushatave për ndërgjegjësimin e popullatës. Këto fushata vetëdijesimi dhe ndërgjegjësimi duhet të kenë si qëllim instalimin e kulturës së diagnostikimit, që njerëzit të shkojnë më shpesh te mjeku për t’u vizituar (pavarësisht se si ndihen fizikisht). Pjesë aktive e këtij ndërgjegjësimi duhet të jetë edhe shoqëria civile. /Gazeta Bujku

Autor: Valter Nasufi

 

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme