spot_img
HomeIntervistaNjohësja e mjedisit: Ndotja dhe nxjerrja ilegale e zhavorrit, shkatërrim për lumenjtë

Njohësja e mjedisit: Ndotja dhe nxjerrja ilegale e zhavorrit, shkatërrim për lumenjtë

spot_img

Ndotja e ajrit në Kosovë gjatë viteve të fundit ka qenë njëra ndër problemet kryesore. Shkaktarët kryesor të ndotjes janë industria, transporti dhe lëndët djegëse. Sipas të dhënave Kosova hyn në dhjetë vendet me shkallën më të lartë të ndotjes së ajrit.

Një ndër problemet mbetet edhe shkatërrimi i lumenjve nga nxjerrja ilegale e rërës dhe zhavorrit dhe një pjesë e mirë e tyre në Kosovë janë të ndotur dhe kjo ka bërë që shumë lumenj sidomos ato që janë afër zonave të banuara të mos jenë të përdorshëm.

Në një intervistë për portalin motilokal.com, njohësja e mjedisit Andonita Buçinca, shprehet se faktori njëri është ai cili po i shkatërron resurset natyrore.

Ajo theksoi se Kosova duhet të hartoj politika efikase për mbrojtjen e natyrës, duke i rritur sipërfaqet e zonave të mbrojtura, duke mbrojtur llojet e rralla bimore e shtazore dhe duke mbrojtur pyjet.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Znj. Buçinca, si e shihni gjendjen ekologjike dhe të mjedisit në Kosovë?

Kosova edhe pse një vend i vogël në hartën e globit, karakterizohet me natyrë të pasur, me peizazhe, botë të larmishme bimore dhe shtazore. Mirëpo, edhe vlerat e trashëgimisë sonë natyrore po përballen me presionin e vazhdueshëm nga shfrytëzimi i pakontrolluar dhe i pa planifikuar i faktorit antropogjen.

Njeriu dhe natyra kanë bashkëjetuar në harmoni të plotë që nga epokat parahistorike, duke qenë gjithmonë pjesë e pandashme. Breza të tërë kanë mbijetuar duke i shfrytëzuar të mirat e natyrës dhe duke i përdorur ato në mënyrë të drejtë.  Fatkeqësisht, brezi i njeriut të epokës moderne, më shumë se kurrë më parë është duke ndikuar në prishjen e baraspeshës ekologjike të natyrës në planetin tonë.

Shkatërrimi i pyjeve, fragmentimi i habitateve, shfrytëzimi i pakontrolluar i resurseve natyrore janë vetëm disa prej aktiviteteve të njeriut, pasojat e të cilave tani më janë evidente.

Si asnjëherë më parë, numri i llojeve që zhduken dhe atyre që kërcënohen për zhdukje është duke marrë përmasa alarmante.

Edhe pse gjeneratat e tanishme kanë nevoja të shumta për t’i plotësuar kërkesat e tyre, është obligim moral që gjeneratave të ardhme t’ju lëmë trashëgim një natyrë po aq të pasur e të larmishme siç e kemi trashëguar ne nga paraardhësit tanë.

Kosova duhet të hartoj politika efikase për mbrojtjen e natyrës, duke i rritur sipërfaqet e zonave të mbrojtura, duke mbrojtur llojet e rralla bimore e shtazore dhe duke mbrojtur pyjet, ne atëherë përmbushim obligimin që gjeneratave pasardhëse t’u japim rastin t’i shijojnë vlerat e rralla natyrore të Kosovës.

Ndotja e lumenjve, shkatërrimi i tyre nga nxjerrja ilegale e rërës dhe zhavorrit, janë një ndër problemet e mëdha pasi po shkatërrohen gjallesat nënujore. Konkretisht çfarë duhet bërë si t’i ruajmë edhe këto pak lumenj që i kemi?

Në ditët e sotme problem serioze paraqet ndotja e burimeve të ujit, nxjerrja ilegale e zhavorrit gjë që mund të çojë mbarë njerëzimin në një katastrofë ekologjike.

Meqenëse të gjithë jemi përdorues të ujit, ne jemi në të njëjtën kohë, edhe përgjegjës për mbrojtjen e tij. Ndotja e lumenjve mund të jetë: Fizike, Kimike dhe Biologjike.

Burimet e ndotjes mund të jenë direkte si: Industria (ujërat e ndotura industriale), amvisëria (ujërat e ndotura komunale) dhe komunikacioni ujor dhe indirekte. Burime të ndotjes indirekte janë: bujqësia dhe blegtoria. Ne të gjithë duhet të japim kontributin tonë në mbrojtjen e tyre nga shkatërrimi dhe ndotja pasi kjo ndikon në humbjen e llojeve të veçanta të laramanisë biologjike, duke ditur se lumenjtë tonë janë të pasur me biodiversitet të llojeve të rralla.

Sipas jush cilët janë faktorët që ndikojnë në ndotjen e ajrit? 

Në ndotjen e ajrit ndikojnë shumë faktorë, disa nga ta janë: Djegia e karburanteve fosil (termoelektranat, ngrohtore, djegia individuale në familje), industria, komunikacioni termocentralet e Obiliqit etj.

Ndotësit më të mëdhenj janë: stabilimentet industriale të Trepçës, stabilimentet e baterive në Gjilan, fabrika e Feronikelit në Drenas, dhe  komunikacioni.

Prishtina, por edhe shumë qytete të tjera janë mbingarkuar nga ndërtimet. Sa ndikojnë këto në ndotjen e ajrit? 

Të gjitha ndërtimet pa leje dhe pa një plan të duhur urbanistik kanë ndikim negativ në mjedis dhe në ndotjen e ajrit.

Një ndër temat më debutuese është edhe ngrohja globale. A është shkaktar faktori njeri apo ekzistojnë edhe faktorë të tjerë?

Ndryshimi i klimës mund të shkaktohet nga proceset e brendshme tokësore, prej faktorëve të jashtëm (p.sh. ndryshimet në rritjen e rrezatimit diellor) ose në kohët e fundit nga veprimtaria njerëzore. Sot termi “ndryshimi i klimës” në politikën mjedisore shpesh lidhet me ndryshimet e tanishme klimatike, duke përfshirë ngritjen e temperaturës mesatare të sipërfaqes së tokës e njohur si ngrohja globale.

Disa nga faktorët e ndryshimit klimatik janë: shpyllëzimi, ndikimi i njeriut, efekti serrë, efektet e rrezatimit diellor, krijimi i qendrave industriale etj.

Ndikimi i ngrohjes globale mund të vërehet që nga ekuatori deri në pole: koralet shkëmbore janë të rrezikuara me rritjen e temperaturës së detërave, pyjet kanë filluar të tkurrën në viset më të larta dhe më të ftohta, arinjve polar është duke ju zvogëluar habitati më shkrirjen e akullit polar, akullnajat po shkrihen në çdo kontinent.

Cilat janë disa nga ndikimet e ngrohjes globale?

Shpyllëzimet e mëdha,  shtimi i sipërfaqeve me kultura bujqësore, krijimi i liqeneve artificiale etj. Këto kanë sjellë ndryshime në aftësinë thithëse të rrezatimit diellor e si pasojë edhe në temperaturën e ajrit. Krijimi i qendrave industriale, rritja e shfrytëzimit dhe lendeve djegëse ne industri, ngrohja etj., ka ndotur atmosferën dhe ka shtuar sasinë e gazeve të liruara në mjedis. Kjo ka sjellë edhe ndryshime në ngrohje të klimës e njohur si dukuria serrë.

Si rezultat i ndryshimeve klimatike, ka ndryshuar edhe moti. Rastet me thatësira dhe vërshime janë më të shpeshta, më serioze dhe më te shtrenjta.

Uji për pije, industri dhe bujqësi do jetë i pamjaftueshëm, sepse rritja e temperaturës do të     rrezikojë edhe më shumë burimet e ujërave nëntokësore. Zjarret në pyje janë më të shpeshtë dhe më serioze.

Pritet zvogëlim i mbulesës së borës dhe zgjatjes së stinës së dimrit, që do të ndikojë në rezervat e ujit në sipërfaqe.

Konventa e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike u rekomandon të gjitha vendeve nënshkruese që të punojnë në edukimin dhe rritjen e vetëdijes për ndryshimet klimatike dhe ruajtjes së energjisë, që është edhe qëllim i kampanjës së WWF-it. ˝Ngrohja Globale është edhe problem lokal˝, kampanjë që është shtrirë në shumë shtete të botës dhe ka ndikim pozitiv në zvogëlimin e ndotjes që i kontribuon ngrohjes globale.

A ka vend për panik nga ndryshimet e klimës?

Ne nuk duhet të bëjmë panik por duhet të punojmë shumë për të zvogëluar ndikimet negative të cilat kontribuojnë në ndryshime klimatike. Duhet të ndërmarrim masat e duhura për të mbrojtur mjedisin dhe të zvogëlojmë burimet e ndotjes së mjedisit.

Cilët janë ndotësit kryesorë?

Ndër ndotësit më të mëdhenj janë vlerësuar industria energjetike, industria metalurgjike, minierat, deponit minerare, industriale dhe urbane, deponit ilegale të mbeturinave, transporti, etj.

Çfarë pasojash shkakton rritja e ndotjes?

Në përgjithësi të gjitha presionet në mjedis nga ndotësit, ndikimet socio-ekonomike, ndryshimet klimatike mund të jenë faktor negativ që ndikojnë në shëndetin e popullatës. Këto efektet në shëndet varen në rend të parë nga ndjeshmëria e popullsisë, kohëzgjatja e ekspozimit dhe aftësia e përshtatshmërisë. Pikërisht format e shfaqjes së sëmundjeve ambientale janë të varur nga faktorët ekologjik, socio-ekonomik, aktivitet e njeriut në natyrë, qasja në kujdesin shëndetësore, imunitetin e popullatës si dhe informimi.

Ndotja e mjedisit shkakton një seri sëmundjesh tek njerëzit si; alergjitë e ndryshme, sëmundjet e lëkurës, diarre, sëmundjet respiratorë dhe sëmundje të tjera.

Si ulet ndotja e ajrit dhe si ruhet mjedisi jetësor?

Ndotja e ajrit ulet nga zvogëlimi i ndotjes nga burime energjetike dhe industriale duke përdorur filtrat relevant sipas standardeve evropiane, duke bërë kontrollimin rigoroz të karburanteve të importuara që shërbejnë për automjete, monitorimi i cilësisë së ajrit nga institutet përkatëse, formimi i rrjetit shtetëror për monitoringun e cilësisë së ajrit, sipas direktivave të BE-së. Në këtë mënyrë duke e ruajtur ajrin ne kontribuojmë në ruajtjen e mjedisit jetësor.

Sipas jush, a zbatohen ligjet në fuqi që rregullojnë çështjet mjedisore, nëse po deri në ç’masë?

Në Kosovë zbatohen ligjet mirëpo duhet të rritet masa e tyre pasi që mjedisi është i pastër është pasuri që nuk na përket vetëm neve po duhet lenë edhe brezave pasardhës.

Kush po i dëmton parqet kombëtare?

Në parqet kombëtar lejohen veprimtaritë hoteliere – turistike dhe rekreative të cilat janë në funksion të vizitave, arsimimit, të nevojave shëndetësore, rekreative dhe turistike, bujqësia ekstensive tradicionale, peshkataria nëse nuk rrezikohet ekzistenca e llojeve dhe baraspesha natyrore në pajtim me Ligjin e natyrës dhe planin e menaxhimit.

Mirëpo, gjatë realizimit te disa prej këtyre aktiviteteve po shkaktohet edhe dëmtimi i tyre si: prerja e drunjëve, hedhja e mbeturinave, ndërtimet pa leje etj., e të cilat janë dukuri mjaftë shqetësuese për ne.

Ju jeni e certifikuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për hartimin e raporteve për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të projekteve private dhe publike. Sa ndikon kjo në mjedis dhe sa është e rëndësishme që qytetarët të kryejnë  ketë raport?

Qëllimi i këtij raporti është parandalimi ose zvogëlimi i ndikimeve negative në mjedis, të projekteve të propozuara publike dhe private, në përputhje me metodologjinë për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis. Ka shumë ndikim në mjedis pasi që ekspertet e licencuar mund të parashohin masa mbrojtëse për mjedisin në të cilin planifikohet të investohet krahas zhvillimit ekonomik dhe të bëjmë edhe ruajtjen e mjedisit. Një mjedis i pastër, i shëndetshëm dhe i mbrojtur mirë që mbështet një shoqëri dhe ekonomi të qëndrueshme.

Çfarë përmban një raport i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM)?

Raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis përmban: Përshkrimin e projektit, përshkrimin e pajisjeve dhe procesit teknologjik, identifikimi dhe përshkrimi i ndikimeve të projektit në mjedis, përshkrimi i masave për zvogëlimin e ndikimeve negative, vlerën investuese të projektit, masat për rehabilitimin e sipërfaqes pas përfundimit të aktivitetit. Raporti duhet të përmban emrin, mbiemrin, dhe nënshkrimin e hartuesit dhe aplikuesit. Raporti hartohet nga personi fizik ose juridik të licencuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Hartuesi dhe aplikuesi i raportit është përgjegjës për saktësinë e të dhënave të përfshira në raportin e VNM-së.

Mesazhi i juaj për fund…

Natyra dhe biodiversiteti, mjedisi jetësor dhe trashëgimia kombëtare, janë përgjegjësi për secilin. /Motilokal.com

https://motilokal.com/lajmet/212/njohesja-e-mjedisit-ndotja-dhe-nxjerrja-ilegale-e-zhavorrit-shkaterrim-lumenjte

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme