Search

Mungesa e trajtimit paraprak të ruajtjes së frutave të gështenjës, e vret çmimin dhe diskriminon prodhuesin!

252

Nga Shpend Nikoçi

Prodhuesit e frutit të gështenjës shprehen të pa kënaqur më shumë për çmimin e tregut të frutave se sa për rendimentin e prodhimit të pemëve dhe të sasisë e cilësisë së frutave që sigurojnë në kashnjet. Si çdo prodhues tjetër edhe ai i gështenjës synon që të sigurojë një sasi t’ardhurash nga prodhimi i frutave të kashnjetit të tij dhe në fazën e pjekjes së frutit përpiqen të organizojnë mbledhjen e frutave dhe shitjen e tyre. Pas dy dekadave që prodhuesit e gështenjës rendnin për të gjetur një tregtar për ta shitur prodhimin e tyre të gështenjës me çmimin që ai donë, kërkesa e lartë e tregut ndërkombëtar për frutin e gështenjës së Tropojë, çmimi i favorshëm i diktuar nga përgjysmimi i prodhimit të frutave dhe konkurrenca e grumbulluesve, bënë që grumbulluesit të shkojnë nëpër kashnjete dhe ta grumbullojnë prodhimin ditor të frutave të gështenjës me një çmim që i kënaqi prodhuesit e diskriminuar ndër vite.

Në një treg ku si shitësit dhe blerësit hyjnë dhe dalin lirshëm, që nuk mund të ndikojnë në çmimet , në një treg me një konkurrencë të lirë, ku blerësi është i lirë të vendos se ku dhe çfarë të blejë, mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe të ndershme të tregut, mund të zbatohet për sa kohë që secili pjesëmarrës në treg “e luan” lojën e ndershme duke mos e dëmtuar tjetrin, por kur në mënyrë selektive dhe preferenciale mbështetet me donacione një subjekt, aty vritet konkurrenca e lire duke i dhënë atij subjekti ekskluzivitetin e grumbullimit të frutave në atë rajon.

Çmimi i gështenjave përcaktohet nga kultivuesit, ndryshon nga viti në vit dhe mund të rritet ndjeshëm kur prodhimi është i pakët. Nëse ka prodhim të lartë ose të pakët frutash, kultivuesit mund të pretendojnë një çmim më të lartë ose më të ulët sesa praktikohet normalisht çdo vit. Korrigjimi i çmimit është ekskluzivitet i prodhuesit!

Inteligjenca e fermerëve prodhues duhet të reagojnë në raste të tilla duke përdorur alternativat që mbrojnë produktet e tyre nga ç’vlerësimi. Një ndër këto alternative është trajtimi paraprak i frutave të gështenjës që bën të mundur ruajtjen e frutit të gështenjës për një periudhë më të gjate se një muaj pa u prishur, alternative që e bën fermerin zot të pronës dhe prodhimit të tij dhe i jep mundësinë që fermeri ti vendosi çmimin produktit të tij dhe të mos e lej në dorën e tregtarit siç ka qënë në këto tri dekada ku prodhuesi i drejtohej grumbulluesit – me sa lek i merr gështenjat? Për të siguruar ruajtjen e vlerave ushqimore, shëndetësore e kurative, për të ruajtur elementët përbërës të frutit në vlera të larta  duhet të njohim metodat e trajtimit paraprak, të seleksionimit, ambalazhimit dhe përgatitjes së produktit për treg. Një ndër metodat klasike, tradicionale, me kosto të ultë dhe me efektivitet të lartë është metoda e zhytjes së frutave në ujë.

Kjo metodë e trajtimit paraprak të frutave të gështenjës e ruan frutin e gështenjës pa u prishur për një muaj. Frutat e gështenjës zhyten në ujë, në vaska që mund të ndërtohen enkas, në bidonë të mëdhenj, apo në çdo enë që e mban ujin. Mbushet ena apo vaska me ujë deri në gjysmë dhe frutat e mbledhur hidhen në ujë. Ky proces vazhdon 7 deri 9 ditë duke e ndërruar ujin çdo dy ditë. Ky proces si fillim realizon seleksionimin e frutave. Në fillim  gështenjat e infektuara nga larvat  ose të mykura ndahen dhe dalin sipër ujit  pasi ato janë më të lehta dhe notojnë mbi ujë. Kjo sasi frutash të krimbura nxirren nga uji  dhe ndahen nga frutat e shëndosha. Me zhytjen e gështenjave, mikroorganizmat dhe agjentët aerobikë të mykut eliminohen për shkak të mungesës së oksigjenit dhe ndërpritet efekti i mykut dhe kalbjes së frutave.

Në fund frutat pas një kontrolli, vendosen në arka ose rrjeta deri 20 kg të cilat nuk duhet të stivosen më shumë se tre rreshta sipër njëri-tjetrit, të sistemohen duke siguruar ajrimin. Këto fruta mund të ruhen në ambiente të ajrosura, deri në një muaj duke ruajtur të gjitha vlerat ushqimore, shëndetësore dhe kurative të frutit.

Kur fermeri e garanton produktin që të mos i prishet për një periudhë të caktuar e kontrollon tregun dhe shfrytëzon çmimin më të favorshëm, ndjehet zot i pronës dhe mallit të tij, e cakton çmimin e produktit sipas vlerës dhe kostos dhe fiton pavarësinë dhe superioritetin në treg për produktin e tij. Çdo fermer mund ta ndërtojë një vaskë betoni në proporcion me sasinë e frutave që prodhon, me përdorim të përhershëm, ku në nivelin më të ulët të vaskës lihet shkarkimi i ujit për ta ndërruar nëpërmes një rubinete, investim ky që të rikthen dinjitetin duke të bërë zot të produktit tënd, për ta vlerësuar dhe vendosur çmimin – dhe jo të detyrohesh ta japish prodhimin tënd kundrejt çdo çmimi sado diskriminues kur e sheh se po prishet dhe humb vlerat dhe standardet e përdorimit./Gazeta Bujku

 

 




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *