Search

Ministri Mustafa: Do të mbështesim bujqit që të prodhojnë ushqim për nevojat e familjeve tona

270

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa në konferencën për media deklaruar se gjatë javës së kaluar, për t’i përkrahur bujqit tanë në këtë gjendje emergjente, ka shtyrë përkohësisht afatet për implementimin e projekteve përfituese të granteve të vitit 2019, që bujqit tanë të mos ndëshkohen pa fajin e tyre.

“Njëkohësisht, në koordinim të vazhdueshëm me homologët e mi në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, kam arritur të siguroj korridor të furnizimit me ushqim për blegtorinë dhe shpezëtarinë, duke evituar kështu një krizë për këta dy sektorë.”

“Po ashtu, për të siguruar që bujqit dhe agropërpunuesit tanë të kenë më shumë mjete likuide për të punuar, kam kërkuar intensifikimin e realizimit të pagesave për përfituesit e granteve dhe subvencioneve, ku gjatë javës së kaluar janë realizuar pagesat për 1.702 përfitues në vlerë prej 2 milion e 456 mijë euro”, ka thënë ministri Mustafa.

Deklarata e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa në konferencën për media, sot më 23.03.2020:

Të nderuar qytetarë,

Gjatë javës së kaluar, për t’i përkrahur bujqit tanë në këtë gjendje emergjente, kam shtyrë përkohësisht afatet për implementimin e projekteve përfituese të granteve të vitit 2019, që bujqit tanë të mos ndëshkohen pa fajin e tyre. Njëkohësisht, në koordinim të vazhdueshëm me homologët e mi në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, kam arritur të siguroj korridor të furnizimit me ushqim për blegtorinë dhe shpezëtarinë, duke evituar kështu një krizë për këta dy sektorë. Po ashtu, për të siguruar që bujqit dhe agropërpunuesit tanë të kenë më shumë mjete likuide për të punuar, kam kërkuar intensifikimin e realizimit të pagesave për përfituesit e granteve dhe subvencioneve, ku gjatë javës së kaluar janë realizuar pagesat për 1.702 përfitues në vlerë prej 2 milion e 456 mijë euro.

Në çdo kohë, por veçanërisht në këtë gjendje emergjente, qytetarët kosovar kanë nevojë të dinë se bujqit tanë, me përkrahje nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, mund të prodhojnë ushqim në sasi e cilësi për të ndihmuar në përmbushjen e nevojave elementare ushqyese të familjeve kosovare. Fatmirësisht, jemi në kohën e të mbjellave pranverore kur bujqit tanë, me përkushtim të lartë, por me kujdes të shtuar, po vazhdojnë punën e tyre, ndërsa nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural po punohet me intensitet të shtuar për t’i zgjatur dorën bujkut prodhues.

Prandaj, për të shfrytëzuar sezonin e të mbjellave pranverore që të sigurojmë sa më shumë prodhim vendor të ushqimeve, kam vendosur t’i riorganizojmë programet mbështetëse të Ministrisë drejt rritjes së sasisë dhe cilësisë së ushqimit që prodhohet në vendin tonë. Ky riorganizim bëhet brenda buxhetit ekzistues të Ministrisë, pa ulur përkrahjen për asnjë kulturë që është përkrahur deri tani, por duke riorganizuar buxhetin e pashfrytëzuar nga kulturat ku në të kaluarën ka tepruar buxheti i ndarë drejt kulturave të domosdoshme në këtë gjendje emergjente:

  1. Drithërat, veçanërisht gruri dhe misri, që përbëjnë ushqyesit elementar për qytetarët, blegtorinë dhe shpezëtarinë, do të vazhdojnë të përkrahen, duke i shtuar angazhimin tim personal që pagesat e subvencioneve në këtë drejtim të realizohen në afat rekord;
  2. Do të rrisim subvencionet për 50% për prodhimin intensiv të perimeve në serra, për të siguruar më shumë perime të freskëta si domate, speca, tranguj, etj. për tavolinat e familjeve tona;
  3. Që të rrisim të hyrat e shtetit nga eksporti, do të rrisim subvencionimin për 50% për mjedrën, si kulturë me potencial të madh eksportues;
  4. Për të siguruar më shumë bulmet dhe mish, do të rrisim subvencionimin për 20% për lopë qumështore, dele, dhi dhe buallica;
  5. Ndërsa për të ju dhënë familjeve tona siguri dhe higjienë në mishin e prodhuar në vend, do të rrisim subvencionimin për 50% për kafshët e therura në thertore të licencuara që zbatojnë standardet më të larta;
  6. Për të mbrojtur ushqimin vendor nga fatkeqësitë natyrore, do të mbulojmë më shumë kultura bujqësore përmes skemës së sigurimeve bujqësore për të përfshirë, përveç mjedrës edhe rrushin, mollën dhe kumbullën.

Të gjitha këto masa, me përqendrim të veçantë tek të mbjellat pranverore, do të rrisin prodhimin vendor të lëndës bazë për të siguruar më shumë ushqim për familjet tona.

Por nuk do të ndalemi me kaq. Këto masa në subvencione do të komplementohen edhe me masa në grante ku do të përkrahim pikat grumbulluese dhe qendrat përpunuese të cilat transformojnë lëndën bazë të prodhuar nga bujqit tanë, në tokën tonë, në ushqimin që përfundon në tavolinat tona. Njëkohësisht, për të rritur edhe më shumë prodhimin vendor të ushqimit, do të përkrahim ndërtimin e kapaciteteve të reja në serra, stalla, pemishte dhe sisteme të ujitjes.

Po përsëris edhe një herë, që të gjitha kulturat që janë përkrahur deri tani me subvencione dhe grante, do të vazhdojnë të përkrahen. Tani, jemi në gjendje emergjente dhe kemi obligim të sigurojmë më shumë ushqim për familjet tona duke shfrytëzuar mundësitë që na ofron kjo kohë e të mbjellave pranverore. Prandaj, në rolin tim të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural po angazhohem maksimalisht që përmes përkrahjes së bujqve tanë të sigurojmë më shumë ushqim nga toka jonë, për familjet tona. Në këtë mënyrë, do të mbrojmë bujqit tonë, bukën tonë, ardhmërinë tonë!/Motilokal.com




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *