spot_img
HomeBUJKUMbrojtja agrumeve dhe bimëve të tjera subtropikale nga ngricat

Mbrojtja agrumeve dhe bimëve të tjera subtropikale nga ngricat

spot_img

Llojet e ngricave

Dëmtimi i bimëve për shkak të zbritjes së temperaturave të ajrit nën zero gradë Celsius njihet si dëmtim nga ngricat. Natyrisht, që bimët mund të dëmtohen edhe nga temperaturat e ulta, mbi zero gradë Celsius (këto lloj dëmtimesh quhen “dëmtime nga temperatura e ulëta”, por këto nuk do të trajtohen në këtë artikull).

Ngricat diferencohen në dy kategori; të rrezatimit dhe advektive

Ngricat e rrezatimit ndodhin gjatë netëve të ftohta dhe të kthjellëta, kur për shkak të vlerave të larta të rrezatimit, humbjet e energjisë nga sipërfaqja e tokës në atmosferë, janë shumë të larta. Toka, ndërtesat, bimët dhe objekte të tjera që gjenden në sipërfaqen e tokës veprojnë si rezervuarë nxehtësie. Kjo do të thotë se ato grumbullojnë në vetvete sasi të konsiderueshme energjie gjatë ditës (sidomos në ditë me diell) të cilat i humbasin gjatë natës në formën e energjisë së rrezatimit. Për shkak të këtij fenomeni, temperatura e bimëve mund të ulet deri në nivele krititike për ekzistencën e tyre.

Ngricat advektive ndodhin kur masa të ftohta ajri zhvendosin masa ajrore më të ngrohta në sipërfaqen e tokës. Nga kjo zhvendosje mund të shkaktohet një fenomen i njohur si “inversion i temperaturave”, që do të thotë se një shtresë ajri e ngrohtë krijon një tavan të ulët që zë në kurth ajrin e ftohtë në afërsi të tokës. Por ngricat advektive mund të ndodhin edhe kur masa ajrore të ftohta kontinentale depërtojnë në rajone më të ngrohta.

Simptomat e dëmtimit të agrumeve nga ngricat

Bimët e dëmtuara nga ngrica mund të formojnë kristale akulli në qelizat bimore, duke e bërë ujin që gjendet në indet bimorë të papërdorshëm dhe duke ndërprerë lëvizjen e lëngjeve. Gjethet apo degëzat e dëmtuara nga ngrica duken si të qullura nga uji, vyshken dhe marrin ngjyrë kafe të errët, apo të zezë. Pemët e reja e të pambrojtura, apo pemët e rishartura mund të thahen përfundimisht, ndërkohë që , më rrallë , ngrica mund të vrasë edhe pemët e rritura.

Edhe frutat e agrumeve mund të dëmtohen nga ngricat. Pak orësh pas ngricës, dhomëzat e frutave shpërbëhen për shkak të formimit të kristaleve të akullit brenda tyre. Kjo sjell humbjen e ujit dhe më pas tharjen e frutave. Frutat e dëmtuara nga ngrica mund të përdoren menjëherë pas ngricës, por ato rrëzohen me lehtësi dhe janë më të ekspozuara ndaj dëmtimeve të mëvonshme nga infeksionet bakteriale dhe kërpudhore. Prishja e frutave të dëmtuara nga ngrica zakonisht ndodh brenda një periudhe nga pak ditë në 2 javë, në varësi të kushteve të ruajtjes, temperaturës dhe faktorëve të tjerë të mjedisit.

Ndjeshmëria ndaj ngricave

Dëmet nga ngricat janë aq më të mëdha, sa më të ulta janë temperaturat e ngricave dhe sa më shumë që zgjasin ato. Lagështia ajrore influencon gjithashtu në masën e dëmtimit të bimëve nga ngricat. Kur lagështia relative është më e madhe dëmi nga ngricat është gjithashtu më i lartë. Përkundrazi, kur ajri është i thatë, rënie për pak kohë e temperaturës nën vlerat kritike mund të tolerohet nga bimët.

Llojet e ndryshme të agrumeve ndryshojnë midis tyre për sa i përket ndjeshmërisë ndaj të ngricave. Në përgjithësi, kur temperaturat bien nën -1.7°C për 30 minuta apo më shumë, në pemët e llojeve më të ndjeshme të agrumeve fillojnë të shfaqen dëmtime. Në tabelën e mëposhtme pasqyrohet ndjeshmëria relative ndaj ngricave e llojeve dhe nënshartesave të ndryshme.

Emërtimi i zakonshëm Emërtimi shkencor Ndjeshmëria ndaj të ftohtit

Llojet

Qitro (grapefruit) Citrus X paradisi Mesatare

Komquati Fournella spp. E ulët

Limoni Citrus limon E lartë

Limonçeli Citrus aurantiifolia E lartë

Portokalli Citrus sinensis Mesatare

Mandarinat Satsuma Citrus reticulata ssp. E ulët

NËNSHARTESAT

Trigjethëshi Poncirus trifoliata Mesatare

Citanget Troyer dhe Carrizo X Citronicirus vebberi Mesatare

Vini re: Pemët me ndjeshmëri të lartë ndaj ngricave dëmtohen më lehtë nga ngrica sesa pemët me ndjeshmëri të ulët.

Edhe temperatura në të cilën ndodh dëmtimi i frutave të agrumeve varet nga specia dhe pjekuria e frutit. Një pasqyrë përmbledhëse e temperaturave kritike për dëmtimin e frutave paraqitet më poshtë.

Fruta Temperatura kritike (°C)

Sythat lulorë të limonit – 2.8

Frutat e porsakrijuar të limonit me diametër < 13 mm temperatura -1.4 deri -0.8

Frutat e pamaturuar të limonit me diametër > 13 mm temepratura -2.8 deri -1.4

Fruta limoni të pjekura në pemë temperatura -3.3 deri -0.8

Fruta portokalli të papjekura -1.9 deri -1.4

Fruta portokalli, qitro dhe mandarina gjysmë të pjekur -2.8 deri -1.7

Fruta portokalli, qitro dhe mandarina të maturuar në pemë -3.9 deri -1.7

Temperatura kritike ndikohet nga lagështia relative dhe kohëzgjatja. Frutat mund tu bëjnë ballë temperaturave të ulëta kur ajri është më i thatë dhe kur i ftohti zgjat më pak.

Mbrojtja e pemëve dhe e frutave nga ngricat

Vendndodhja. Pemët e mbjella në zona të hapura dhe të ekspozuara ndaj erërave të ftohta janë më të prirura të vuajnë të parat dëmtimet nga ngricat. Evitoni mbjelljen e bimëve të ndjeshme ndaj ngricave në zonat më të ulëta të kopshtit, pasi ajri i ftohtë priret të lëvizë poshtë dhe grumbullohet në këto gropa. Pemët e mbjella pranë ndërtesave apo mureve, thithin dhe ruajnë nxehtësinë e reflektuar gjatë ditës dhe mund të dëmtohen më pak gjatë periudhave të ngricës.

Praktikat e mira bujqësore. Praktikat e përshtatshme bujqësore mund të luajnë një rol të rëndësishëm në pakësimin e ndikimit të ngricës. Pemët e shëndetshme, që janë të ngopura mirë me ujë janë në gjendje ta përballojnë ngricën më mirë se ato që janë dobësuar apo të ujitura në mënyrë të papërshtatshme.

Përdorimi i plehrave (sidomos i atyre azotik) nxit daljen e sythave të rinj, ashtu siç bën edhe krasitja. Për këtë arsye, agrumet dhe pemët e tjera subtropikale duhet të plehërohen dhe krasiten gjatë pranverës dhe në fillim të verës në mënyrë që, masa e re gjethore që formohet të ketë kohë të mjaftueshme të maturohet përpara fillimit të motit të ftohtë. Një masë gjethore e plotë ndihmon gjithashtu në mbrojtjen më të mirë të frutave gjatë ngricave.

Masat për mbrojtjen nga ngricat. Mbroni pemët e reja, të ndjeshme ndaj ngricave, nëpërmjet mbështjelljes së trungjeve dhe degëve me materiale izoluese siç mund të jenë kashtë të lashtash, kërcej misri, kartonë apo materiale plastike. Mbulojini trungjet duke filluar nga toka deri tek degët kryesore. Mbajeni tokën përreth pemëve të pastër nga barërat e këqija dhe të pa mulçiruar. Toka e zhveshur rrezaton më shumë nxehtësi se toka e mulciruar, ose e mbuluar me barëra dhe ky rrezatim mund të ndihmojë në mbrojtjen e pemëve nga ngricat.

Në rastet kur parashikohen ngrica të rënda, një llambë elektrike inkandeshente (rreth 100 ëat) mund të vendoset në pjesën e brendshme të pemës. Ajo emeton nxehtësi që mund të jetë e mjaftueshme për të kufizuar dëmtimin e agrumeve nga ngrica.

Sigurohuni që toka të ketë lagështirë. Nëse toka nuk ka drenim të mirë ujisni me sisteme ujitje në formë shiu gjatë natës. Uji lëshon nxehtësi dhe kjo mund të ndihmojë në mbrojtjen e pemëve nga ngricat. Gjithashtu, tokat e lagështa e mbajnë nxehtësinë më mirë se tokat e thata, duke mbrojtur rrënjët dhe duke ngrohur ajrin pranë tokës.

Kultivuesit e mëdhenj komercialë përdorin ventilatorë të mëdhenj, ose mullinj ere për të mbrojtur pemët e agrumeve nga ngricat advective (për shkak të inversionit të temperaturave). Ventilatorët përziejnë shtresat e ajrit të ngrohtë me ato të ajrit të ftohtë, duke ngritur kështu temperaturën në sipërfaqe. Sidoqoftë, këto pajisje rrallë herë janë praktike për prodhues që kanë numër të kufizuar pemësh.

Krasitja. Në qoftë se pemët e agrumeve janë dëmtuar nga ngricat, mos u ngusni ti hiqni menjëherë pjesët e tharë gjatë krasitjes, apo të zëvendësoni pemët herët në pranverë. Prisni disa javë në mënyrë që të vlerësoni masën e dëmit dhe tu jepni mundësi pemëve ta marrin veten gjatë motit të ngrohtë. Ndërkohë që masa e re gjethore nis të rritet në pranverë dhe në fillim të verës, degëzat dhe degët e thara nga ngrica do të bëhen më të dukshme dhe mund t’i krasisni pa hequr pjesët vitale të pemës. Shtyjeni krasitjen e rëndë deri në vitin pasardhës, në mënyrë që pemët të jenë në gjendje të rifitojnë kurorën e tyre të plotë./këshilluesibujqësor

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme