Search

Kur gërshetohen pasioni dhe profesioni suksesi është i garantuar

358

Mbresa nga vizita në familjen Nitaj dhe fidanishten e tyre ‘Dinamanti’

Shkruan: Demir Reshiti*

Këtë të diel isha në fshatin Drenoc të komunës së Deçanit për t’ia bërë një vizitë mikut tim të çmuar Imer Nitaj me të cilin isha njohur vitin e kaluar gjatë një interviste për emisionin “Jeta në fshat”, emision ky që transmetohet çdo të shtunë në RTK-radio.

Imeri në fshatin e tij ka ngritur fidanishten model me emrin “Dinamanti” në të cilën bashkë me familjarët e tij (bashkëshorten dhe tre fëmijë) prodhon rreth 50 lloje shumë cilësore të fidanëve të mollës dhe të pemëve tjera me një kapacitet prej 50 mijë fidanësh në vit. Imeri është edhe kryetar i shoqatës se fidan-rritësve te drufrutoreve “PlantKosova”.

Imeri zanatin e shartimit dhe kultivimit të fidanëve e ka trashëguar nga i ati i tij dhe të njëjtin e ka përforcuar dhe ngritur në nivel shkencor gjatë shkollimit në Fakultetin e Bujqësisë në UP ku ka marrë diplomën e agronomit.

Prapa këtij njeriu me duar të arta qëndron një histori shumë interesante. Imeri ishte luftëtar i devotshëm i UÇK-së i cili është plagosur gjatë luftimeve dhe është arrestuar nga serbet për t’u liruar vetëm pas përfundimit të luftës.

No description available.

Pjesëmarrjen në luftë, plagosjen dhe burgosjen e konsideronte si obligim qytetar e kombëtar andaj nuk u interesua për përfitime por iu përvesh punës duke u bërë njëri nga prodhuesit më të suksesshëm të fidanëve jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.

Njëjtë si kur i pata bërë vizitë në nëntorin e vitit të kaluar, edhe sivjet Imerin bashkë me familjarët e tij dhe disa punëtorë, i takova në njërën nga parcelat ku ishin duke e kryer procesin e nxjerrjes së fidanëve të cilat pas klasifikimit i bënin gati për treg.

No description available.

Procesin e nxjerrjes së fidanëve e kryenin me një mekanizëm të shpikur e ndërtuar nga vetë Imeri. Ky mekanizëm i ngjitur për traktor lehtësisht bënte nxjerrjen e fidanëve pa ua shkaktuar as më të voglin dëmtim në rrënjë!

Pikërisht falë këtij pasioni të gërshetuar me profesion, materiali fidanor i prodhuar nga ky agronom me duart e arta, është nga më cilësoret jo vetëm nëKosovë por edhe në rajon e më gjerë!

Krah të djathtë në këto suksese Imeri e ka bashkëshorten e tij Ajnene cila përveç punëve të përditshme në amvisëri, është e angazhuar edhe në fidanishte. Ajo e nget makinën, traktorin, kamionin dhe të gjitha makineritë tjera që përdoren në punët e bujqësisë.

No description available.

Rrugën e Imerit po e ndjek edhe i biri i tij Dini, një djalosh entuziast me të cilin ishim njohur përmes rrjeteve sociale dhe u gëzova kur e takova duke punuar në fidanishte. Dini është 25 vjeçar dhe së shpejti pritet të diplomojë në fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Ai thotë se këtë profesion e ka zgjedhur i inspiruar nga babai i tij agronom duke shtuar se kur gërshetohen pasioni dhe puna edhe sukseset nuk mungojnë.

No description available.

Krahas studimeve, Dini ka kryer specializime në botën e jashtme si në Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj., ku ka përfituar përvojë të jashtëzakonshme në lëmin e pemëtarisë me fokus të veçantë në prodhimin e fidanëve që nga parcelat e deri në paketim e distribuim. Ky i ri entuziast i flet rrjedhshëm disa gjuhë të huaja (anglisht, gjermanisht,spanjisht, turqisht, portugalisht e italisht), dhe këtë e konsideron si një aset jashtëzakonisht ndihmues në eksperiencat e arritura jashtë kufijve të Kosovës. Gjatë viteve 2017 dhe 2018 ka qenë në qytetet Stuttgart dhe Hannover të Gjermanisë ku ishte i angazhuar në pemishtet e mbjella me mollë, kumbull, dredhëz dhe rrush.

Përvojën e arritur në Gjermani e konsideron shumë të dobishme nga se për herë të parë i jepej mundësia të punojë me makineri të sofistikuar e teknologji të reja. Kjo përvojë e arritur ishte një shtytje shtesë që të vazhdonte me hulumtimin e formave më të avancuara të prodhimit të fidanëve.

Vitin e kaluar Dini ishte për specializim 13 mujor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ka arritur një eksperiencë të jashtëzakonshme. Fillimisht ishte angazhuar në sektorin e prodhimit të luleve dhe perimeve në serra si Asistent Grower (asistent rritës) ku me kalimin e kohës, nga ana e menaxherëve të kompanisë së tretë më të madhe në SHBA për prodhimin e luleve dhe perimeve (KurtWeissGreenhouses) caktohet si lider i një grupi prej mbi 25 punëtorësh e studentesh nga vendet e Amerikës latine dhe vendeve tjera. Falë aftësive të tij komunikuese dhe njohjes së profesionit, iu besuan detyra shumë të rëndësishme gjatë kohës së qëndrimit në SHBA për ç’gjë edhe merr disa oferta për punë nga shtete të ndryshme si Australi, Zelandë e re, Izrael, Kanada, Holandë, Gjermani, etj…

Interesimit tonë për të na njohur me punët që kryhen në fidanishten Dinamanti, Dini iu përgjigj me shumë dashamirësi. Mënyra se si e shpjegonte procesin e prodhimit të fidanëve nga përzgjedhja e nënshartesave dhe mbishartesave, procesi i shartimit, mbjelljes, e deri te nxjerrja e seleksionimi i fidanëve, ishte dëshmia më e mirë se ky djalosh është i përkushtuar në profesionin që ka zgjedhur…

No description available.

Kureshtjes sonë për ta zbërthyer emrin e Dinamanti të cilin e mban fidanishtja, Dini i bën një shpjegim interesant: Fjalët e fëmijëve të vegjël përveç që janë të ëmbla, në mënyrën si thuhen shpesh herë arrin të përdorën edhe më gjatë. E tillë ishte edhe me emrin e Fidanishtes tonë.Që si fëmijë, djali xhaxhait kishte vështirësi të thoshte Diamant dhe i dukej më e lehtë si Dinamant.

Gërshetonte emrat e dy djemve, edhe pse sapo kishim filluar punën qëllimet ishin që Dinamanti të bëhej simbol cilësie si guri i çmuar që reflekton dritën në të gjitha anët e të zgjerohej tek të gjitha familjet në Kosovë…

Familja Nitaj krahas angazhimit në prodhimin e fidanëve që e kanë biznes bazë, merren edhe me punë tjera bujqësore. Krahas 30 hektarëve tokë që i kanë në pronësi të vetën, ata kanë marrë edhe sipërfaqe tjera të tokës me qira të cilat i punojnë me përkushtim dhe prodhojnë ushqimin bio. “Na dhimbsen kur shohim tokat e lëna e i mbjellim ato që të mos mbesin djerrina. I kultivojmë drithërat, pemët, perimet. Rrisim edhe viçat që thithin qumësht dhe vetëm për muaj arrijnë peshën kur mund të theren dhe kanë mish jashtëzakonisht cilësor”, shprehet Dini duke shtuar se angazhimin në tërë këto punë ua lehtëson babai Imeri i cili çdo herë ka një ide dhe ndërton ndonjë pajisje të re.

Parcelat në të cilat punojnë këta njerëz të vyer ngjajnë edhe në laboratorë ku bëhen eksperimente për prodhimin e kultivarëve të reja të pemëve e drithërave që u përshtaten kushteve klimatike e gjeologjike të terrenit.

Kjo familje e vyer ka ruajtur me fanatizëm edhe traditat e mikpritjes dukagjinase. Derisa kryefamiljari Imeri bënte përzgjedhjen e fidanëve të mollës sipas kërkesës sime, Dini u shërbente disa myshterinjve tjerë që erdhën nga Drenica për të blerë fidanë, ndërsa sugaresha e familjes Denisa ua vendoste etiketat fidanëve që i nxirrnin punëtoret. Në atë moment Imerin e telefonon zonja e tij e cila i tregon se buka është gati dhe e ftonte që t’i dërgojë punëtorët në drekë. Ishte e pamundur ta refuzonim ftesën që na e bëri për drekë mua dhe stomatologut Hanefi Elmazi i cili më kishte shoqëruar në këtë vizitë. Tryeza e begatë e shtruar me prodhime tërësisht nga duart e arta të familjes Nitaj, fasulja me mish, disa lloje të turshive, djathi, kosi, buka e shtëpisë dhe mikpritja e ngrohtë e tyre, ishin befasia e radhës që na priti në këtë udhëtim. E zonja e shtëpisë derisa ne po hanim drekë, përmes vajzës së saj na lajmëroi që të mos ngutemi se po e përgatit mazën, një ushqim special që gatuhet në këto anë. Që nga larg e ndiem aromën e shijshme të mazës së gatuar me miell të kallamojtë të bluar në gurë mulliri, e cila kishte shije të veçantë…

No description available.

Pas drekës së begatë, Imeri na ftoi t’i shohim eksperimentet që kishte bërë me pemë e bimë të ndryshme në oborrin e tij ku përveç pemëve që rriten në vendin tonë, kishte arritur që me sukses të prodhojë edhe fruta si shegë, kivi, bademe, fiq, dhe disa lloje tjera të frutave me origjinë nga Afrika e kontinente tjera!

Me përshtypjet më të mira të mundshme u larguam nga konaku i kësaj familjeje model, kryefjalë e së cilës është puna, puna dhe vetëm puna. Përveç mikpritjes tradicionale, na i dhuruan disa fidanë cilësorë, si dhe na dhanë me vete miell të kallamojtë, djathë e mazë, e na përcollën me shumë dashamirësi deri në rrugën kryesore të fshatit.

*Autor i emisionit “Jeta në fshat” (RTK-radio)




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *