spot_img
HomeBUJKUKultivimi i grurit

Kultivimi i grurit

spot_img

Gruri është bimë njëvjeçare trikotiledone që bën pjesë në grupin e drithërave, fruti i tij shërben si ushqim. Për herë të parë është kultivuar në Kinë rreth vitit 2700 p.e.s. Sot përveç që përdoret si ushqim për njerëzit dhe kafshët gruri përdoret edhe për prodhimin e etanolit. Gruri është bimë e cila mbillet kryesisht gjatë vjeshtës dhe verën e ardhshme jep frytet. Kërcelli është i ndarë në nyje dhe ndërnyje dhe në brendi i zbrazët. Gjethet janë te gjata me nervure paralele. Lulesa është kalli i përbërë. Fara e grurit përmban shumë albumine. Gruri paraqet ushqimin kryesor të njeriut. Nga farat e grurit përgatitet mielli, ndërsa kërcelli i thatë (kashta) përdoret për ushqimin e kafshëve shtëpiake. Sot ekzistojnë me qindra sorta të grurit që përshtaten kushteve të ndryshme dhe mënyrave të kultivimit.

Rëndësia ekonomike e kultivimit të grurit

Gruri përveç se në shumicën e vendeve të botës konsiderohet si kulturë strategjike, si kulturë e tillë ka edhe rëndësi të madhe ekonomike, sidomos nëse kultivohet në sipërfaqe të mëdha dhe aspak nuk është për tu befasuar, se përse vendet më të pasura të botës janë prodhuesit më të mëdhenj të grurit. Nëse marrim parasysh të dy këto elemente; a) elementin strategjik dhe b) elementin ekonomik andaj mendojmë se qeveria, gjegjësisht Ministria e Bujqësisë me të drejt viteve të fundit është duk e përkrahur këtë sektor, gjegjësisht grurin dimëror dhe farën e grurit! Në praktikë dallojmë dy lloje kultivarësh: a) Kultivarët dimëror – kultivar ky i cili mbillet gjatë vjeshte, ku afati optimal i mbjelljes është nga fillimi i tetorit deri tek mesi i nëntorit. Si të tillë këta kultivarë ju rezistojnë shume mire temperaturave të ulta, pastaj japin rendimente më të larta dhe po ashtu kane një vegjetacion më të gjatë, si dhe është e rëndësishme të ceket fakti se këta kultivarë dominojnë në prodhimtarinë Kosovare. b) Kultivarët pranveror – janë kultivarë te cilët mbillen në pranverë dhe janë më rezistencë më të mirë ndaj nxehtësisë dhe thatësisë si dhe karakterizohen me kualitet më të lartë sesa kultivarët dimëror, mirëpo tek ne nuk janë dominant sa janë kultivarët dimëror. Edhe pse gruri ka qenë një ndër drithërat e parë të kultivuar nga njeriu, ai ka paraqitur vazhdimisht shumë probleme, kryesisht për shkak të gjenetikës komplekse që ndikon në krijimin e hibrideve të reja të bimës. Megjithëkëtë, marr parasysh se kultura e grurit si të gjitha kulturat tjera, varet nga mëshira ose jo mëshira e natyrës, (thatësirat, vërshimet dhe fatkeqësitë tjera natyrore do të ndikojnë në rritjen e çmimit), andaj fermerët do te duhet të fokusohen në kultivar që japin rendimente më të larta në mënyrë që të zvogëlonin çmimin dhe të rendimentin.

Kushtet agroklimatike të kultivimit të grurit

Kryesisht gruri është kulturë e klimës kontinentale, temperaturat më të favorshme për mbirje të farës janë 14-20 oC, ku mbin për 5-7 ditë. Në temperaturë 7-8oC mbin për 17-20 ditë, ndërsa në temperatura më të ulëta mugullon dhe mbin edhe më ngadalë. Uji/ujitja luan një rol të rëndësishëm ku gjatë vegjetacionit kërkohen 500-700 mm të reshura të cilat duhet të jenë të shpërndara në mënyrë të drejt. Megjithatë, vlen të theksohet fakti se kultura e grurit është e ndjeshme në mungesë të lagështisë sidomos në fazën e kallëzimit dhe në kohën e formimit dhe mbushjes së kokrrës. Shumë negativisht do të ndikoj në zhvillim dhe frytë-dhënie nëse moti i thatë do te përcillet me temperatura të larta. Tokat më të përshtatshme për kultivimin e grurit janë tokat e pëlleshme dhe të thella me reaksion të lehtë acidik si dhe me lagështi relative. Qarkullimi bimor po ashtu luan një rol të rëndësishëm në arritjen e rendimenteve të larta. Andaj në këtë drejtim fermerët duhet të marrin shumë seriozisht qarkullimin bimor të kulturave të ndryshme sepse grurit aspak nuk do t’i përshtatet prodhimtaria në monokulturë.

E gjithë kjo vije si rezultat i kërkesave pothuajse të njëjta për ushqim dhe po ashtu rreziku i rritjes dhe zhvillimit të sëmundjeve mund të jetë permanent. Në vendin tonë si parakultura më së shpeshti përdoret misri. Në rast se e përdorim misrin si parakulturë atëherë e dëshirueshme do të ishte të përdoren kultivarët e misrit të cilët kanë vegjetacion të shkurtër. Në bazë të mundësive fermerët do t’i këshillonim që si parakulturë t’i përdorin bimët leguminoze pasi që ato janë parakulturat më të mira të cilat përdoren edhe si pasurues të tokës.Për sa i përket punimit të tokës, këto operacione do të jenë në varshmëri të madhe nga parakulturat të cilat fermerët do t’i përdorin ose janë duke i përdor. Në raste se fermerët përdorin parakultura të hershme, atëherë në këto raste i këshillojmë fermerët që ta bëjnë një lëvrim të cekët ose cilindrim të thellë me qellim të futjes së mbetjeve bimore dhe ruajtjes së lagështisë, ky lavrim preferohet të jetë deri në 10 cm thellësi. Më vonë rekomandohet lëvrimi i thellë dhe futja e sasisë themelore të plehrave minerale. Thellësia e lëvrimit themelor varet nga toka dhe kushtet klimatike, në rastet më të shpeshta ky lavërim kryhet në thellësi deri në 25cm. Si rezultat i masave agro teknike do të vije deri tek krijimi i shtresës sipërfaqësore e shkrifëruar, e cila do të jetë si bazë e mirë dhe do të ofroj parakushte të volitshme për mugullim dhe mbirje homogjene të farës.

Në rast se përgatitja e tokës nuk do te jetë në nivelin e dëshirueshëm, si për shembull sipërfaqja tokësore nuk thërrmohet, nuk nivelohet dhe nuk krijohet masa e shkriftë atëherë fara mund të mbetet e pa mbuluar, do të këtë mbishmëri më të ulët, mund të dëmtohet nga shpezët dhe përveç që do të mbijë me vones mund edhe të dështoj pjesërisht apo tërësisht, sepse në këto raste edhe nëse fara mbinë, atëherë rrënjët do te depërtojnë me vështirësi në thellësi të tokës, mbirjet nuk janë uniforme, nyja e vëllazërimit formohet ceket dhe dëmtohet gjatë dimrit.

Për këtë arsye shtresa e sipërme e tokës në thellësi 10-12 cm, duhet të përgatitet me kujdes të veçantë. Përveç përgatitjes së tokës, rëndësi e veçantë duhet t’i kushtoni edhe plehërimit, metodave, mënyrave dhe dozave të plehërimit. Mënyra më e drejt e plehërimit do të gjendët në rast se fermeri do të jetë në gjendje që paraprakisht t’i bëjë analizat agrokimike të tokës. Pastaj, në bazë të rezultatit të këtyre analizave fermerët do të jenë në gjendje që ta kenë një fotografi të çartë se me cilën sasi dhe me çfarë kombinimi të elementeve kimike do ta trajtojnë sipërfaqen ku planifikojnë të mbjellin grurin!

Në vazhdim po paraqesim disa nga kombinimet e mundshme të azotit dhe fosforit që janë në qarkullim dhe në përdorim, si: N:P 16:32, 18:48, 11:52, 10:50, 20:20 etj. Për formimin e 100 kg të farës dhe sasisë së përgjegjshme të kashtës, grurit duhet ti sigurojmë: 2,5 – 3 kg N, pastaj 1,4 – 1,6 kg P2O5, si dhe 2,5 – 3,5 kg K2O.

Gjithashtu, nëse fermerët dëshirojnë që të arrijnë rendimente më të larta për njësi të sipërfaqeve atëherë fermerët mund të përdorin kombinime nga më të ndryshme. Në vijim po i paraqesim vetëm disa si: 150 – 180 kg/ha N, apo 90 – 100 kg/ha P2O5, ose 160 – 200 kg/ha K20. Nëse fermerët dëshirojnë të arrijnë rendimente sa më të larta atëherë i këshillojmë që për plehërim themelor apo nën plug të përdoren sasia të vogla të azotit nga 10 -25% dhe të përdoren sasi më të mëdha të fosforit dhe kaliumit dhe kjo sasi do të duhet të sillet nga 50–70%. Pastaj, para mbjelljes këshillohen fermerët që të përdorin plehra me përmbajtje të balancuara të materieve ushqyese në mes të azotit, fosforit dhe kaliumit. Kurse sa i përket riplehrimit i këshillojmë fermerët që të përdorin plehra me përmbajtje të azotit/urea që përban 46% të azotit të tretshëm, dhe kjo do të duhet të jepet në disa faza; ku në fazën e parë në fillim të vegjetacionit preferohen të përdoren nga 40 – 60 kg/ha, pastaj në fillim të formimit të kallirit bima trajtohet me riplehrim korrektues nga 30 – 50 kg/ha. Megjithatë, vlen të theksohet rasti se kombinimet e cekura më lart jo gjithherë janë prezente në tregun tonë!

Përveç masave të cekura më lart, vlen të theksohet fakti se nëse fermerët dëshirojnë të arrijnë rendimente sa më të larta atëherë, kujdes të veçantë do të duhet t’i kushtojnë edhe kohës së mbjelljes së grurit. Është evident fakti që në vendin tonë kryesisht dominojnë kultivarët dimëror andaj në këtë drejtim rëndësi e veçantë duhet tu kushtohen temperaturave dhe kohës së nevojshme për kryerjen e të gjitha fazave.

Gjithashtu, kujdes të veçantë fermerët duhet t’i kushtojnë edhe evitimit të mbjelljes së parakohshme, kështu që patjetër duhet të evitohen mbjelljet para afatit optimal si për shembull mbjellja në muajin shtator. Në këto raste do të paraqiten një ser pasojash si; bima do te këtë rritje të bujshme. Në këtë rast, bima në të shumtën e rasteve është mbuluar me shtresë të borës. Nën këtë shtresë të borës, varësisht nga trashësia e saj temperatura mundet të jetë shumë më e lart nga temperatura e ajrit. Nëse temperatura është rreth 0 gradë C, ndërsa bima që ka zhvillim vegjetativ të bujshëm ka frymëmarrje intensive, kështu që harxhon më shumë amidon të akumuluar. Rezervat e amidonit në ato raste shumë shpejt shpenzohen dhe bima kalon në fazën e plogështisë dhe lehtë mundet të sulmohet nga sëmundjet e ndryshme si fusariosat.

Afati optimal për mbjelljen e grurit në vendin tonë është 10-25 tetor. Për mbjellje rekomandohet që të përdoret fara me deklaracion. Mbjellja e farës kualitative dhe me deklaracion është garancion për prodhimtari të suksesshme, ndërsa rendimenti është deri në 20% më i madh në krahasim me mbjelljen e farës jo deklarative. Largësia e mbjelljes më së shpeshti sillet 12,5cm.

Thellësia e mbjelljes është 3-5 cm, varësisht nga përbërja e tokës dhe nga lagështia e tokës në momentin e mbjelljes. Gruri mbillet në bazë të numrit të kokrrave për m2, ndërsa norma e mbjelljes sillet prej 350-700 fara të mbira/m2.

Ndryshimi i shpeshtë i temperaturave në këtë stinë të dimrit, ka një ndikim negativ tek kulturat vjeshtore. Pasi që në vendin tonë si e mbjellur vjeshtore është gruri, atëherë ajo është dëmtuar në masë të madhe, sidomos në kërcellin e gjetheve. Ndërkaq, riplehrimi i grurit duhet të bëhet gjatë shkrirjes së borës së fundit.

Shumë fermer nga viti në vit mbjellin gjithmonë të njëjtën sasi të farës për njësi të sipërfaqes (norma e mbjelljes) duke mos marruar parasysh aftësitë fizike të farës dhe aftësitë e kultivarit mandej nga koha e mbjelljes, kushteve klimatike dhe kushteve të përgatitjes për mbjelljen e farës.

Në të shumtën e rasteve fermerët mbjellin sasi më të madhe të farës se sa ajo është me të vërtet e nevojshme dhe si rezultat i kësaj është ngritja pa arsye e shpenzimeve për mbjellje. Prandaj, duke marruar parasysh faktorët e cekur më lartë, sasia optimale e farës për mbjellje asnjëherë nuk është e njëjtë. Duhet të kihet parasysh fakti se norma e mbjelljes asnjëherë nuk është e njëjtë, sepse kjo varet shumë nga kushtet klimatike në atë vit, pastaj përgatitja e tokës si dhe afati i mbjelljes! Fakti që do të duhet të merret parasysh se nëse koha e mbjelljes është jashtë afatit optimale atëherë sasia e farës do të duhet të jetë më e madhe për 10 -15%. Mesatarisht sasia e farës për hektar sillet nga 240-260 kg/ha!

Marrje e rendimenteve të larta në grurë është e kushtëzuar me sigurimin e regjimit të përshtatshëm ujor në tokë nga mbirja deri në pjekje. Po që se ky regjim do të prishet nga teprica ujit në tokë, pasojat do të jenë shumë të renda: rrënjët mbesin në sipërfaqe e nuk zhvillohen në thellësi, prishet aktiviteti mikrobiologjik, ulet koeficienti i shfrytëzimit të plehrave, toka ngjishet dhe prishet struktura e saj. Përfundimisht bimët zhvillohen më dobët, janë të zverdhura dhe në rast thatësire nuk e durojnë dot atë, për pasoj rendimenti ulet. Vjeshta dhe Dimri në vendin tonë shpesh janë me reshje të shumta dhe të zgjatura kështu që bën të domosdoshëm organizimin e masave të forta për kullimin e tokave – hapjen e vijave kulluese sidomos në ultësira dhe ruajtjen e tokës dhe bimëve nga gërryerjet në zonat e pjerrëta.

Kërkesat, për të marrë rendimente të larta, e kanë kthyer grurin në një kulturë të ujitshme. Për shumicën e zonave bujqësore në vendin tonë, në të shumtën e rasteve shirat e muajve prill-maj nuk i plotësojnë nevojat e grurit për ujë. Për ujitjen e grurit momentet themelore agroteknike janë: përcaktimi i kohës së ujitjes, sasia e ujitjeve, përcaktimi i normës së ujit për çdo ujitje dhe teknikat e ujitjes. Për kushtet e vendit tonë, fazat më kritike të grurit për ujë janë ato të kallëzimit, pllenimit dhe formimit të kokrrës.

Megjithatë, gruri duhet të ujitet sa herë që paraqitet nevoja, pavarësisht nga fazat kritike të tij. Si gjendje optimale mund të merret kur lagështia në tokë është në kufijtë 65-77% të kapacitetit të saj ujëmbajtës. Sasia e ujitjeve mund të shkoj sipas rastit, nga 1 deri në 3. Norma e ujit për çdo ujitje, kushtëzohet nga gjendja e lagështisë në tokë, përbërja mekanike e tokës, thellësia e depërtimit të rrënjëve etj.

Rreth 50% të sasisë së ujit që përdor gruri e thith nga thellësia e tokës 0-30cm. 20-25 % nga thellësia 30-60 cm, 10-15% nga 60-90 cm dhe rreth 10% nga shtresat me thellësi 90-120 cm. Në tokat e lehta e më përshkueshmëri të madhe, normat e ujitjes janë më të vogla se sa në tokat e rënda. Norma ujitjes mund të llogaritet 400-700 m3/ha uji për një ujitje.

Role të rëndësishëm në arritjen e rendimenteve sa më të larta luan edhe mbrojtja e grurit nga barojat e këqija! Kështu që fermerët duhet të jenë të përgatitur për një trajtim sa me korrekt dhe në kohë të duhur të luftimit të këtyre barojave! Në vazhdim po paraqesim disa nga preparatet që përdoren më së shpeshti, qëllimi i tyre, koha e përdorimit si dhe doza e përdorimit! Përveç mbrojtjes nga barojat e këqija fermerët kujdes të veçantë duhet t’i kushtojnë edhe luftimit të sëmundjeve dhe mbrojtjes nga sëmundjet që e prekin kulturën e grurit. Kështu që në varësi nga shkaktari, intensiteti dhe shkalla e dëmtimit, mbrojtja e grurit bëhet 1-2 herë: a) në fazën e 1-2 internodieve, b) në fazën e kallëzimit para lulëzimit. Gjithashtu edhe luftimit të dëmtuesve fermerët duhet t’i kushtojnë një kujdes të veçantë. Në këtë drejtim i këshillojmë fermerët që për luftimin e dëmtuesve të përdorin preparate gjegjësisht insekticidet në përdorim si; fastac 10 SC 0,1-0,12 l / ha, dhe Karate 2,5 EC 0,2-0,3 l / ha. Në tabelën në vazhdim po paraqesim disa nga preparatet në përdorim, qëllimin e përdorimit, fazën e zhvillimit dhe dozën e përdorimit.

Korrja e grurit duhet të bëhet me kohë, kur lagështia në kokërr bie nën 20%, por në ketë rast gruri duhet të thahet, në vende të posaçme. Në këtë rast shpenzimet e tharjes janë 10% në vlerë të grurit. Me qëllim që të eliminohen këto shpenzime korrjen duhet filluar atëherë kur lagështia e kokrrës zbret nën 14%. Në vazhdim po paraqesim listën e kultivarëve të grurit të cilët janë të lejuar në Kosovë. Kjo listë është përbërë nga varietete e grurit të cilat në kushtet agroklimatike të Kosovës kanë treguar qëndrueshmëri, stabilitet dhe kanë dhënë rendimente të larta. Ne do ti paraqesim karakteristika e disa nga këta kultivar të cilët kultivohen tek ne.

Luna – Varietet i mesatarisht i vonshëm me origjinë nga Kroacia, kërcelli është mesatarisht i lartë, bima mirë vëllazërohet, është rezistent ndaj temperaturave të ulëta dhe shtrirjes, është rezistent ndaj sëmundjeve të gjethit dhe kallirit, pesha e 1000 kokrrave rreth 40 gr, afati optimal për mbjellje të këtij kultivari në Kosovë është 10-25 tetor, mbillet në dendësi prej 400-500 fara m2 me sasi të farës 220-240kg/ha. Lenta- varietet i hershëm me origjinë nga Kroacia, është varietet dimëror i përshtatshëm për kultivim në të gjitha rajonet e Kosovës, ka qëndrueshmëri mesatare ndaj sëmundjeve dhe shtrirjes, afati optimal i mbjelljes është 10-20 tetor në dendësi prej 550-600 fara m2, ka kërkesa të mëdha për plehra azotike.

Soissons – është varietet më origjinë nga Franca, varietet dimëror mesatarisht i hershëm, i përshtatshëm për kultivim në të gjitha rajonet e Kosovës, ka sistem të zhvilluar rrënjor si dhe qëndrueshmëri të mirë ndaj thatësirës, kërcelli është i lart, rezistent ndaj hirit dhe ka shkallë të lart të vëllazërimit, afati optimal i mbjelljes është 10-15 tetor në dendësi prej 500 fara/m2 ose 240-260 kg/ha. Pobeda (Sremica-Ballkan) – varietet dimëror, mesatarisht i vonshëm me origjinë nga Vojvodina, kalliri është i bardhë i lëmuar me dendësi mesatare, pa thekë me 19-21 kallëza, varietet i hershëm me qëndrueshmëri të mirë ndaj ngricave, lartësia mesatare e kërcellit është 86 cm, rezistente ndaj shtrirjes, ndryshkut dhe hirit, është varietet me potenciali gjenetik 11 t/ha. Evropa 90 – është varietet dimëror, i krijuar me kryqëzimin e varietet Talent dhe e Hershmja e Novi Sadi 2, është varietet mesatarisht i hershëm, është rezistent ndaj temperaturave të ulëta dimërore, është rezistent ndaj sëmundjeve të gjethit dhe kallirit, pesha e 1000 kokrrave rreth 40gr, gjatësia mesatare e kërcellit është rreth 89 cm, rezistent ndaj shtrirjes por deri në një masë, është varietet me potencial të lartë gjenetik mbi 11 /t/ha. Ana – është variete i seleksionuar në institutit bujqësor të Osjekut – Kroaci, varietet dimëror, i mesëm i hershëm, është rezistent ndaj shtrirjes për shkak se gjatësia e kërcellit është e ulët 71cm, masa e 1000 kokrrave është mesatarisht 37gr, është rezistent ndaj temperaturave të ulëta dimërore, është i rezistueshëm ndaj sëmundjeve të grurit, afati optimal i mbjelljes është 10-25 tetor më dendësi prej 650-700 fara /m2.

Zhitarka -varietet dimëror, mesatarisht i hershëm nga Kroacia, rezistent ndaj temperaturave të ulëta, gjatësia mesatare e kërcellit është 40cm dhe është rezistent ndaj shtrirjes, varieteti ka potencial gjenetik rreth 9 t/ha, afati optimal i mbjelljes është prej 10-20 tetor me 650-700 fara /m2. Martina (Fatimax Martonvasari 17) – është varietet me vegjetacion të mesëm të hershëm me origjinë nga Hungaria, ka qëndrueshmëri të madhe në shtrije, është rezistente ndaj temperaturave të ulëta dimërore, gjatësia e kërcellit 85-90 cm, ka vëllazërim të mirë mesatarisht 3.5 kërcej, është rezistente ndaj shkundjes dhe zogjve për arsye se kalliri përmban hala, pesha e 1000 kokrrave është rreth 40gr, mbillet në dënesi prej 500-600 fara/m2. Me poshtë po ju paraqesim listen e te gjitha variteteve te lejuara nga MBPZHR: Lista e Lejuar e Farërave të Varieteteve të Grurit të Prodhimtarisë Bujqësore për vitin 2013/14 në Republikën e Kosovës.

Fermer të nderuar para se të vendosni për mbjelljen e gruarit konsultohuni me ekspert që gjenden në zonat tuaj ku jetoni dhe veproni, si dhe mund ti drejtoheni Shërbimeve këshillimore bujqësore të Kosovës pran MBPZHR./Keshillabujqesore.com/Gazeta Bujku

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme