spot_img
HomeBUJKUKultivimi i domates 

Kultivimi i domates 

spot_img

Domatja mund të kultivohet në mënyra të ndryshme. Format dominuese të kultivimit të domates janë kultivimi në fushë të hapur dhe në mjedise të mbrojtura. Kultivimi i domates kryesisht bëhet përmes fidanit. Më rrallë mund të haset edhe kultivimi me mbjellje të drejtpërdrejtë të farës në fushë të hapur (kryesisht për nevojat e industrisë përpunuese).

Përgatitja e fidanit 

Pa marrë parasysh ambientin në të cilin kultivohet, përgatitja e fidanit është njëra nga hallkat më të rëndësishme të prodhimit të domates. Zgjedhja e farës cilësore dhe e kultivarit të përshtatshëm janë gjithashtu parakushte shumë të rëndësishme për prodhim të suksesshëm të domates për faktin se gabimet eventuale në këtë fazë nuk mund të përmirësohen në fazat e mëvonshme.

Fara e cila përdoret për mbjellje tek domatja duhet të ketë cilësi të mirë, të jetë e dezinfektuar, përkatësisht të jetë e shëndoshë. Fidanët e domates mund të prodhohen në forma të ndryshme.

Tradicionalisht shumica e fermerëve prodhojnë fidanë në lehë të nxehta. Në kushtet e prodhimit bashkëkohor të domates fidan përgatitet në module duke përdor substrate të përshtatshme për këtë qëllim. 

Masat e përkujdesjes gjatë përgatitjes së fidanit 

Nga mbjellja deri në mbirje nuk ka nevojë për dritë, por nevojitet që temperature të jetë sa më afër optimales dhe të ketë lagështi të mjaftueshme. Gjatë kësaj kohe preferohet që temperatura e dherishtes të jetë rreth 22 dhe 25ºC.

Lagështia në dherishte duhet të kontrollohet vazhdimisht, ndërsa ujitjet duhet të kryhen sipas nevojës. Pas mbirjes duhet t’i kushtohet kujdes i posaçëm ajrosjes së leheve të nxehta (shtretërve) apo objekteve të tjera në të cilat kultivohet fidani. Gjithashtu gjatë prodhimit të fidanit në shtretër duhet pasur kujdes që materiali me të cilin mbulohen shtretërit (p.sh folia e polietilenit) të jetë i pastër në mënyrë që të mos e pengojë lëshuarjën e dritës. Në çdo rast kur temperaturat e mjedisit të jashtëm janë diç më të larta (nuk janë shumë të ulëta), fidanët sa më tepër preferohet që t’i ekspozohen dritës së diellit.

Para ndërrimit të fidanëve, duhet pasur kujdes që ato t’u përshtaten kushteve në të cilat do të ndërrohen (sidomos nëse ndërrimi bëhet në fushë të hapur), përkatësisht duhet pasur parasysh kalitja e fidanit. Kalitja nënkupton përshtatjen e fidanëve me kushtet te temperaturës, ndriçimit dhe ujitjes në ambientin e ri në të cilin do të ndërrohet. Fidani i domates për ndërrim duhet të ketë 6 – 8 gjethe të formuara, dhe të ketë gjatësi 20 – 35 cm (varësisht nga kultivari).

Përgatitja e tokës për ndërrim të fidanëve 

Përgatitja sa më cilësore e tokës për ndërrimin e fidanëve është mjaft e rëndësishme për kultivimin domates. Nëpërmjet punimit të tokës duhet krijuar regjim të mirë ujorë-ajrorë, që është kusht shumë i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e mirë të domates. Përgatitja e tokës duhet të fillojë menjëherë pas largimit të parakulturës.

Në vjeshtë duhet bërë lëvrimi themelor-vjeshtor i tokës në thellësi 30 deri 35 cm. Në pranverë, sa më herët që lejojnë kushtet e ambientit të jashtëm, bëhet punimi plotësues i tokës i cili ka për qëllim shkriftësimin sa më të mirë të sipërfaqes. 

Qarkullimi bimor 

Domatja nuk duhet të kultivohet dy e më tepër vjet rresht në të njëjtën sipërfaqe. Ajo nuk e përballon kultivimin në monokulturë. Në të njëjtën sipërfaqe mund të mbillet pas 3 deri në 4 vite.

Parakulturat më të përshtatshme janë bimët leguminoze, barërat shumëvjeçare, qepa, karota, etj. Në qarkullim fushor vije në vendin e parë, andaj rëndom në prodhimtarinë e domates duhet aplikuar plehërimin me pleh organik, shpërndarja e të cilit bëhet para lëvrimit të thellë vjeshtor të tokës (në sasi 40 – 60 t/ha).

Ndërrimi i fidanëve

Ndërrimi i fidaneve në fushë të hapur bëhet atëherë kur të kalojë rreziku nga temperaturat shumë të ulëta. Në kushtet kontinentale kjo arrihet në fund të prillit dhe në fillim të majit.

Distancat në të cilat bëhet ndërrimi i fidanëve janë të ndryshme dhe ato varen nga vetitë e kultivarit. Kultivarët me rritje indeterminante ndërrohen në distance 70 – 90 cm ndërmjet rendeve dhe rreth 40 cm ndërmjet bimëve në rend, ndërsa tek kultivarët determinantë 70 x 30 cm.

Gjatë kultivimit në lloje të ndryshme të serrave distancat e mbjelljes varen edhe nga prodhimi i parashikuar dhe nga periudha kohore e planifikuar për shfrytëzim. Në bazë të këtyre parametrave numri i bimëve për 1m lëviz nga 2 – 4.

Masat e përkujdesjes gjatë vegjetacionit 

Domatja gjatë gjithë vegjetacionit kërkon kujdes mjaft intensiv. Përveç masave të zakonshme të përkujdesjes (ujitja, plehërimi, mbrojtja nga sëmundjet dhe dëmtuesit, etj.), tek domatja ndërmerren edhe disa masa specifike (sigurimi mbështetësve, largimi i sqetullorëve etj.).

Numri i ujitjeve varet nga tipi i tokës, temperaturat e ambientit të jashtëm, fazat e rritjes dhe zhvillimit të bimëve, etj. Ujitja mund të bëhet në forma të ndryshme. Në prodhimtarinë intensive të domates aplikohet pothuajse në tërësi ujitja përmes sistemit pikë-pikë. Kjo formë e ujitjes ka përparësi të mëdha në krahasim me ujitjen me brazda dhe ujitjen në formë të shiut. Në fazat e hershme ujitjet duhet të jenë më të rralla, ndërsa me fillimin e fazës së lulëzimit dhe frytifikimit ujitjet duhet të jenë më të shpeshta. Kjo ndodh për arsye se përveç rritjes së kërkesës së bimëve për lagështi, në këtë fazë zakonisht ndodh edhe ngritja e temperaturave.

Me anë të aplikimit të mbulimit të sipërfaqes ndërmjet rendeve (mulçimi) me materiale të ndryshme, kryesisht me folije të zezë, arrihen disa efekte pozitive. Arrihet racionalizim i punëve (nuk ka nevojë për prashitjet mes rendeve, nuk ka rritje të barojave, shfrytëzimi i ujit është më racional, toka është më e nxehtë, rritja e bimëve është më intensive dhe të gjitha këto ndikojnë në rritjen e rendimentit të përgjithshëm.

Riplehërimi i bimëve të domates fillon 10 – 15 ditë pas ndërrimit. Mandej riplehërimet vazhdojnë në fazën e lulëzimit dhe formimit të fryteve. Gjithashtu është e preferueshme që pas çdo vjeljeje të bëhet një riplehërim. Gjatë kultivimit në lloje të ndryshme të serrave dhe përdorimit të sistemit të ujitjes pikë-pikë, riplehërimi i bimëve bëhet kryesisht përmes këtij sistemi, duke bërë shpërndarjen e plehrave bashkë me ujin i cili përdoret për ujitje.

Në këtë rast është e mundur që të kontrollohet sasia totale e plehut të përdorur. Sasitë e rekomanduara me këtë metodë janë 2-5 kg/ha/ditë në 2-3 javët e para pas trapiantimit të bimëve dhe 10-20 kg/ha/ditë në fazën e rritjes intensive dhe të frutifikimit. Përqendrimet e rekomanduara të plehrave me këtë metodë janë 0.1- 0.2 gr/litër në javët e para pas trapiantimit dhe 0.3-0.5 gr/litër gjatë fazave të mëvonshme. Nëse plehërimi aplikohet një herë në 2 ose 3 ujitje, përqendrimi i plehrave rritet në të njëjtën masë, por duke i kushtuar vazhdimisht vëmendje shmangies së fenomeneve të kripëzimit në tokë. Gjatë gjithë kësaj kohe duhet pasur kujdes për raportin optimal ndërmjet elementeve bazë (N, P, K), në përputhje me kërkesat e domates në faza të ndryshme të rritjes dhe zhvillimit.

Largimi i sqetullorëve është masë e rregullt gjatë kultivimit të kultivarëve indeterminantë.

Largimi i tyre bëhet në mënyrë të vazhdueshme, kur ato arrijnë gjatësi 4 – 5 cm. Ato mund të largohen në forma të ndryshme, por duhet pasur kujdes që gjatë largimit të tyre mos të dëmtohen pjesët tjera të bimës. Edhe sigurimi i mbështetësve është masë e domosdoshme tek këta kultivarë. Mbështetëset mund të jenë të formave të ndryshme. Tek domatja sidomos në fazën e fundit të vegjetacionit aplikohet largimi i gjetheve të vjetra të cilat fillojnë të marrin ngjyrë të verdhë. /Gazeta Bujku

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme