spot_img
HomeBUJKUKëshilla për prodhuesit e perimeve

Këshilla për prodhuesit e perimeve

spot_img

Periudha e fundit të majit dhe fillimi i qershorit, janë edhe ditët më të ngarkuara të prodhuesve të perimeve, në serra e në fushë. Për fermerët në zonën bregdetare konsiderohet periudha pike e punëve të prodhuesve të perimeve. Punohet për kryerjen e shërbimeve dhe vjeljen e prodhimit në serra; ndërkohë që vazhdon puna për përgatitjen e ngastrave(me plugime, diskime apo frezime), plehërimin bazë e me mbjelljen e bimëve perimore në fushë(domate, spec, patëllxhan, shalqi, pjepër, kungull, barbunjë, sallatë, etj, etj). Por njëkohësisht vazhdohet dhe me kryerjen e shërbimeve të tjera si përgatitja dhe mbajtja në gatishmëri e rrjetit të kullimit dhe ujitjes, shërbimin ndaj bimëve në fushë, për rritjen e mirë e të shëndetshme të tyre, mandej me përgatitjen e mjediseve të grumbullimit, pastrimit dhe përgatitjes së produktit për shitje, etj, pse jo edhe me vjeljen e bimëve të tilla të fushës si qepë, lakër kokë, lulelakër, sallatë, spinaq, pazi, etj. Në këtë periudhë bëhen përgatitje dhe mbjellje e farave si dhe kryhen shërbimet për përgatitjen e fidanëve për domaten e mesme në fushë të hapur, të dorës së dytë të shalqinit, pjeprit, kastravecëve, fillohet me prasin e lakrën kokë, përgatitjen e qepujkave të qepëve, etj. Pra, me pak fjalë, është periudhe e ngjeshur me punë, ku sipas drejtimit të fermës shërbehet në serra, përgatiten e mbillen ngastra në fushë, vilet prodhimi në serra e fushë.

Edhe në zonën kodrinore e paramalore kjo konsiderohet periudha kur hidhen bazat e prodhimit të perimeve, periudhë që përkon me vjeljet e pak bimëve por me përgatitjet e fidanëve e të ngastrave për mbjelljet e reja.

Po cilat janë aktivitetet kryesore të kësaj periudhe në fermat e perimeve?

Në serra: Në zonën bregdetare vazhdon puna me shërbimet dhe vjeljen e bimëve kryesore të këtyre mjediseve, si domate, kastravec, spec, barbunjë, kungull i njomë dhe patëllxhan. Me rëndësi është puna për mbrojtjen e tyre nga sëmundjet e dëmtuesit (vrugu, kalbëzimi gri, fuzarioza, etj; dëmtues si afidet, tenja minuese, Tuta absoluta, etj), për të cilat lipset të merren kontakte të vazhdueshme me specialistët e të merret mendimi i tyre i kualifikuar. Të hiqet dorë nga veprimet empirike të kryerjes së trajtimeve kimike sipas asaj “se kështu po vepron edhe fqinji im”.

Parësore është hapja e serrave dhe ajrosja e vazhdueshme e tyre, veprim me dobi për rregullimin e mikroklimës në mjedisin e serrës, për rritjen dhe zhvillimin e mire të bimëve, mbrojtjen nga sëmundjet, sasinë dhe cilësinë e prodhimit. Plehërimi i bimëve në serra të mbështetet më mirë në treguesit fiziologjik dhe fazën e zhvillimit të tyre. Përgjithësisht, fermerët kanë tendencë që të përdorin doza të larta plehërimi, çka nuk shkon në dobi të bimës dhe mjedisit dhe që shoqërohet edhe me shpenzime të padobishme.

Nga vëzhgimet tona në shumë serra të zonës së ulët e bregdetare, shihet se ka tepri në të ushqyerit e bimëve me azot, çka i bënë ato me volum të madh gjethor, të prekshme nga sëmundjet dhe në dëm të sasisë dhe cilësisë së prodhimit. Këshillat e specialistit duhet të udhëheqin skedën e plehërimit.

Kujdes dhe vëmendje të veçantë merr ujitja e bimëve për sigurimin e rritjes dhe zhvillimit optimal të tyre, për sasi dhe cilësi më të mirë të prodhimit. Këshillohet përdorim i ujërave të pastër, të pa ndotur dhe pa kripëra, me pH 6.5-7.5. Hapja dhe mirëmbajtja e sistemit të kullimit mbetet detyrë e përhershme.

Në fushë: Në bimët e mbjella në vjeshtë dhe herët në pranverë, si lakra kokë, lule lakra, brokuli, karota, prasi, qepa, hudhra, sallata, spinaqi, rukola, etj, vazhdohet me vjeljen e tyre.
Në zonën e ngrohtë tashmë janë bërë mbjelljet e shalqinit, domates, specit, patëllxhanit, barbunjës, pjeprit, kungullit, sallatës, etj. Ndërkohë punohet për mbjelljen e duarve të dyta të tyre, për të siguruar vargëzim të prodhimit. Kërkohet të tregohet kujdes, që, mbi bazën e analizave kimike të tokës, të bëhen bilance të ushqyerit të bimëve me qellim që të mos shpenzohen para të tepërta me përdorim të sasive të larta të plehrave kimike, por edhe për ruajtjen e pjellorisë së tokës dhe mirëmbajtjen e saj, pa ndotur mjedisin. Krahas, të tregohet kujdes për kullimin dhe sistemin e ujitjeve.

Në ngastrat ku ato janë mbjellë, të tregohet kujdes për kryerjen e shërbimeve me qellim rritjen dhe zhvillimin normal të bimëve.

Një vëmendje e kujdes i veçantë të tregohet për kapjen në kohë të sëmundjeve e dëmtuesve të bimëve; në gjithë zonën e ulët dhe bregdetare, stimuluar nga shirat e fundit, ka pasur infeksione masive të ngastrave prej kërmillit pa guaskë(Deroceras reticulatum), por ndërkaq pritet breznia e parë e afideve, çka kërkon vëmendje dhe këshillën e specialistëve për një menaxhim më të mirë të situatës.

Në perimet e fushës këshillohet të përdoret gjerësisht mulcerimi plastik i sipërfaqes së tokës, hallkë teknologjike me mjaftë avantazhe për rritjen dhe zhvillimin e bimëve, por edhe me efekte ekonomike, që shton prodhimin dhe rrit cilësinë e tij, ul nevojat për punën e dorës duke ulur koston e prodhimit.

Në zonën kodrinore e paramalore vazhdon puna për përgatitjen e fidanëve dhe ka filluar e vazhdon me ritme të larta mbjellja e domates, specit, shalqirit, të patëllxhanit, barbunjës, etj. Edhe në këto zona, për të pasur sukses në prodhimin sasior e cilësor të perimeve, por edhe për të prodhuar me kosto sa më të ulët, në vijimësi këshillohet të merret mendimi i kualifikuar i specialistëve. /agri.al

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme