Search

IKSHPK: Kujdes në ambiente me pellgje uji afër kullotave, mund të sëmureni nga leptospiroza

171

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovë (IKSHPK) përmes një njoftimi u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes në ambiente me pellgje uji afër kullotave sepse mund të sëmureni nga leptospiroza, sëmundje bakteriale e cila bartet te njeriu kryesisht nëpërmjet lëkurës së dëmtuar.

Këtë muaj në laboratoret e Institutit Kombëtar është izoluar shkaktari i sëmundjes dhe ekziston mundësia e shfaqjes së rasteve të reja.

IKSHPK bën të ditur se burimi kryesor janë minjtë, por edhe gjedhët, qentë, etj. Leptospirat hyjnë përgjithësisht në organizmin e njeriut nëpërmjet lëkurës së dëmtuar, por si portë hyrjeje mund të shërbejnë edhe sytë, gryka, hunda dhe mushkëritë.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik infektimi ndodh shumë shpejt, sidomos kur ajo është e dëmtuar, pra ka plagë, gërvishtje, të çara, etj. Sëmundja vërehet më shumë tek punonjësit që merren me korrje-shirjet por edhe tek kampuesit në natyrë afër pellgjeve me ujë të ndotur nga urina e brejtësve dhe ushqimet që përdoren ne piknik të palara.

Më tej në njoftimin e IKSHPK theksohet se rrezikshmëri të lartë kanë edhe punëtorët që hapin kanale, punëtorët e minierave, veterinerët, personeli mjekësor (kryesisht ata që punojnë në laboratorë).

“Periudha nga moment i infektimit e deri në shfaqjen e shenjave klinike shkon afërsisht 10 ditë. Fillimi është i menjëhershëm me ethe të forta dhe temperaturë të lartë, me dhimbje koke, dhimbje prapa syve, të vjella, djersitje të shtuar.

Mjaft e shprehur është edhe dhimbja e barkut që mund të ngjasojë me një urgjencë kirurgjikale. Qysh në fillim mund të shfaqet zverdhja, por edhe fenomenet hemorragjike në lëkurë dhe në mukoza.

Java e dytë e sëmundjes është mjaft kritike. Thellohet ikteri (zverdhja) dhe fenomenet hemorragjike në lëkurë, në mushkëri, urinim me gjak, etj. Mund të ndodhin edhe meningite, encefalit (infeksione të trurit), polineurit (dëmtime të nervave të ndryshëm). Gjatë javës së tretë, shenjat e sëmundjes zbuten, fillon përmirësimi i funksionit të veshkës. Gjatë kësaj periudhe ose më vonë mund të rritet temperatura, por karakteristike është se nuk shoqërohet me rishfaqjen e shenjave klinike të mëparshme. Shërimi i plotë vjen pas 6 deri 12 javësh. Sëmundja kërkon trajtim sa më të shpejtë spitalor sepse edhe ndërlikimet e saj mund të përbëjë rrezik për jetën. Sigurisht që dëmtimin kryesor në këtë sëmundje e pëson veshka, e cila kërkon trajtim të shpejtë dhe të specializuar. Nëse merret në kohën e duhur ecuria e sëmundjes është e mirë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

“Sigurisht që ecuria klinike dhe ndërlikimet e saj varen në radhë të parë nga lloji i leptospirave infektuese andaj diagnostikimi laboratorik në Institutin Kombëtar është i domosdoshëm. Për shembull një formë e rëndë dhe me shkallë të lartë vdekshmërie është leptospiroza ikterike (sindromi Weil). Por, pas shërimit, dëmtimet e veshkave dhe të mëlçisë kthehen në normalitet”, bën me dije IKSHPK.

Masat parandaluese sipas ekspertëve të IKSHPK-së:  

Edukimi shëndetësor i popullatës, veçanërisht ata që merren me kafshët, për rreziqet që paraqesin këto infeksione.

Këshillohet që të mos notohet në pellgje me ujë që nuk rrjedh

Përdorimi i mjeteve mbrojtëse gjatë kujdesit me bagëtitë apo gjedhët si për shembull veshje, çizme, doreza, maska. Imunizimi i kafshëve mund të parandalojë sëmundjen e tyre, por jo në çdo rast.

Këshillohen kontrollet periodike nga veterinerët

Kafshët mund të jenë burim infeksioni për njeriun duke mbajtur në veshkat e tyre leptospirat që i eliminojnë me urinën, edhe pa qenë të sëmura. Për njerëzit që janë më shumë të ekspozuar, në shumë vende të botës realizohet imunizimi i tyre (Itali, Spanjë, Japoni etj).

Rastet me leptospirozë detyrimisht duhet të raportohen në Institutin Kombëtar

Duhet të kontrollohen vatrat për rreziqet e mundshme të popullatës sidomos për mundësinë e kontaminimit të ujërave. Pellgjet me ujë duhen dezinfektuar dhe drenuar (t’u sigurohet rrjedhje e mundshme), sidomos kur janë pranë zonave të kullotave.

Duhet të kontrollohen dhe të zhduken brejtësit, sa herë që shfaqen në banesat dhe në kampingjet e pushimeve. /Motilokal.com/Gazeta Bujku




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *