spot_img
HomeBUJKUGratë rurale në Kosovë krijojnë vende pune dhe jetesë më të mirë

Gratë rurale në Kosovë krijojnë vende pune dhe jetesë më të mirë

spot_img

Është një rrëfim i shpeshtë në Kosovën e pasluftës. Pasi rindërtojnë shtëpitë dhe jetët, pasi fëmijët e tyre rriten dhe bëhen të pavarur, gratë zbulojnë se ka mënyra të tjera për t’iu ndihmuar familjeve dhe komuniteteve që të lulëzojnë. Shpesh, kjo rrugë e re në jetë i shtyn të shndërrojnë në veprimtari fitimprurëse biznesi punën me të cilën kanë mbajtur familjet në kohërat më të vështira.

Afërdita Murati, është krenare për linjën e saj të produkteve nga manat e freskëta, si lëngje e reçel, dhe me të drejtë. Çka nisi vetëm pak vite më parë me një kavanoz qelqi me reçel mjedre për fëmijët e saj dhe me 10 litra të lëngut të freskët të boronicës, shtrydhur me dorë, tani është biznes që shet në mbi 500 shitore në të gjithë vendin dhe lista e produkteve sa vjen e shtohet.

Me shkollim si teknike laboratori, në fillimet e saj Afërdita nuk e pati mundësinë që njohuritë nga shkollimi apo praktikën tradicionale të përpunimit të fruta-perimeve ta vinte në shfrytëzim, pasi ishte mjaft e ngarkuar me rritjen e tre fëmijëve dhe duke ndërtuar një jetë të re në Kroaci ku kishte emigruar bashkë me burrin e saj, Shaipin.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, familja vendosi të kthehet në Llapashticë, në fshatin e lindjes në Podujevë. Në vitin 2019, ky fshat është i bukur dhe i qetë si kartolinë, por Afërdita thotë se kur u kthyen në vitin 2001, atyre iu desh të rindërtojnë gjithçka nga e para. “E gjetëm krejt të djegur, e kështu u desh ta rindërtojmë shtëpinë e familjes”. U deshën dy vjet që të zhvendoseshin nga një dhomë për të gjithë në shtëpinë e tyre të re.

Në vitin 2014, Afërdita kuptoi se në Kosovë po përhapej kultivimi i mjedrës, ndaj menjëherë u përfshi në këtë aktivitet dhe një vit më vonë, pati rendiment shumë të lartë nga 4 ha e tokës që shfrytëzoi për këtë qëllim. Por ajo hasni në disa vështirësi të gjente treg për sasinë e prodhuar, pasi edhe shumë fermerë të tjerë kishin prodhuar mjedër.

Për të shfrytëzuar tepricën e mjedrës dhe duke risjellë ndërmend traditat e trashëguara nga gratë e tjera në familje, Afërdita shpiku një recetë të thjeshtë për reçel. Në atë kohë po mbahej një panair për produkte të bëra në shtëpi nga gratë. Brenda një dite ajo shiti 10 kavanozë. Pastaj, çdo ditë për tre muaj rresht ajo ngriti një stendë në një qendër të madhe tregtare në Prishtinë ku shiste mjedra të freskëta dhe reçelin e bërë në shtëpi.

Ajo nisi të marrë pjesë në çdo panair ku mundej. “Nuk do kisha arritur asgjë pa kontaktet me të tjerë. Përveç idesë dhe gatishmërisë për biznes, rrjetëzimi është elementi që vyen për të arritur vizionin” është këshilla e Afërditës për çdo grua ndërmarrëse. Përveç biznesit, Afërdita themeloi edhe një OJQ për të nxitur rrjetëzimin ndërmjet grave në rajonin e saj dhe për t’i pajisur ato me shkathtësitë e nevojshme për të fituar jetesën.

“Afërdita është model i emancipimit; ajo ka ndihmuar shumë gra të angazhohen në aktivitete fitimprurëse” thotë Shaipi, bashkëshorti i saj, i cili punon për biznesin familjar.

Në vitin 2017, Afërdita u zgjerua në kultvimin e aronias. Kur hasi në vështirësi për të shitur sasinë e prodhuar, ajo sërish shpalosi aftësinë karakteristike të grave si ajo, të cilat në rrethana të pafavorshme dhe kohëra të vështira gjejnë forcën brenda vetes për të përmirësuar jetesën dhe për të gjetur zgjidhje. Duke përdorur si mjet duart e veta, një blender të thjeshtë dhe një garzë të pastër, ajo bëri lëng të freskët nga aronia, që tani shitet €15 litri. Teksa lista e klientëve të saj rritej, ajo punësoi familjen dhe gra të tjera nga fshati që të përballonte kërkesën.

Me përkrahjen e autoriteteve komunale dhe të donatorëve, si Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Afërdita regjistroi biznesin, bleu makineritë e para dhe nisi ndërtimin e lokalit për prodhim. Me mbështetjen e Swisscontact-it, ajo bleu një makineri automatike për mbushjen dhe mbylljen me kapak të shisheve të qelqit. “Duhej që 4 vetë të punonin gjithë ditën për të mbushur dhe mbyllur 500 shishe. Tani, me këtë makineri, procesi zgjat jo më shumë se 30 minuta” shprehet Afërdita që i gëzohet efikasitetit të procesit, i cili përkthehet në më shumë profit.

Sipas saj, përkrahja nga donatorët e sidomos për bizneset e grave, është kyçi për rritje. Në kuadër të bashkëpunimit me Swisscontact, ajo do të zhvillojë brendin e ri për produktet e saj që sa vijnë e shtohen, do të patentojë recetat e saj dhe do të zhvillojë një plan të vërtetë të marketingut. Qëllimi i saj kryesor është të ruajë karakterin artizanal të produkteve të veta që e diferencojnë nga të tjerët dhe më pas, të nisë eksportin.

Gratë janë rreth 50% e popullsisë rreth 1,78 milionë në Kosovë, por vetëm 4.9% e tyre kanë toka në pronësi. Në krahasim me burrat, gratë rurale në Kosovë janë më shumë të angazhuara në punët e shtëpisë dhe kujdesin për fëmijë e të moshuar, pa pagesë, përveç punëve pa pagesë në bujqësi. Në tërësi, vlerësohet se 13.3% e grave në Kosovë janë punësuara.

Projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat i Swisscontact-it në Kosovë është përfshirë në sektorin e ushqimit dhe përbërësve natyrorë. Rritja e përfshirjes së grave në të gjithë zinxhirin e vlerave është një nga treguesit e rezultateve të projektit. Në vitin 2018, të gjitha aktivitetet në këtë sektor kanë gjeneruar rreth 357 vende pune me orar të plotë, prej të cilëve, 45% për gra dhe rreth 1,580 mundësi shtesë për punësim fitimprurës, prej të cilëve 42% për gratë.

Bujqësia e kontraktuar është një nga fushat që gjeneron rezultatet më të mëdha në punësim dhe shitje. Donika Skeli, 43, është një nga gratë fermere që partneri i PPSE-së, qendra grumbulluese Agrocelina, e ka kontraktuar për të kultivuar tranguj.

Si pronare e një salloni bukurie në një qytezë të vogël, Donika kishte fitime të mira për vete dhe familjen e saj katër anëtarëshe. Mirëpo, prindërit dhe vëllezërit e saj në fshatin e lindjes po kalonin kohëra të vështira për shkak të papunësisë. Me përkrahjen e plotë të bashkëshortit dhe dy vajzave të saj, Donika e pezulloi punën e saj si parukiere dhe u kthye të punojë si fermere me kohë të plotë.

Pasi mori një grant nga Ministria e Bujqësisë, ajo ndërtoi një serë në tokën e familjes së vet, nënshkroi kontratën me Agrocelinën dhe punësoi dy vëllezërit dhe babain e saj. Qendra grumbulluese i siguron asaj fidanët dhe ia blen të gjithë produktin final. Ky aktivitet është në kuadër të sistemit të themeluar me përkrahje nga PPSE.

“Punët e bujqësisë i kam mësuar që e vogël nga nëna ime. Gjithnjë kemi qenë fermerë. Jam e lumtur që këto njohuri po i shfrytëzoj sërish, këtë herë për t’iu ardhur në ndihmë vëllezërve dhe familjeve të tyre që të fitojnë jetesën nga toka e vet, që të mos kenë nevojë të varen nga vendet e punës prej të tjerëve. Lumturia që shoh në fytyrën e nënës time dhe kur e di që familja ime i ka punët mirë, është shpërblimi i vetëm që dua” thotë Donika.

Rrëfimet e Afërditës dhe Donikës, ashtu si rrëfime të tjera të ngjashme nga e gjithë bota, janë dëshmi e roleve kyçe që luajnë gratë rurale brenda familjeve dhe komuniteteve të tyre. Këto rrëfime tregojnë se si të gjithë përfitojnë kur grave u jepen mundësi të barabarta dhe qasje në burime. /Gazeta Bujku

Ky artikull i dedikohet grave rurale kudo me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale që shënohet çdo vit me 15 tetor.

https://www.unwomen.org/en/news/stories/2019/9/announcer-day-of-rural-women-2019

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme