spot_img
HomeBUJKUGështenja pasuri e humbur - ëndërr e vrarë

Gështenja pasuri e humbur – ëndërr e vrarë

spot_img

Nga Shpend Nikoçi

Gështenja ka dëshmuar historikisht zhvillim ekonomik, përparimit social, qytetërim  lokal, mbartë kapacitete dhe potenciale eko-turistike e rekreative dhe ka mundësi reale përhapje.

Gështenja është një specie ekonomikisht shumë e rëndësishme që ndikon në ekuilibrin ekonomik të afro 3000 familjeve në rrethin e Tropojës. Ky komunitet me fare pak tokë për frymë, me mundësi të kufizuara për mbarështimin e blegtorisë , pa asnjë mundësi punësimi , prodhimet pyjore dhe veçanërisht gështenja ka mbuluar t’ardhurat kryesore të vitit për familjet fermerë. Këto familje me t’ardhurat që sigurojnë nga shitja e frutit të gështenjës përballojnë shpenzimet kryesore vjetore për ushqim , veshmbathje dhe shkollimin e fëmijëve të tyre.

Gështenja në të shkuarën dhe sot

Në të shkuarën e largët historike, deri në vitet e shtetëzimit të pronave nga pushteti  popullor, kashnjetet e gështenjës ishin pronë private e fshatrave të zonës.   Me shtetëzimin e ekosistemit në  vitin 1945, fermerët humbën përveç  pronësisë mbi kashnjetet edhe përvojën e trashëguar nga paraardhësit e tyre për menaxhimin e kashnjeteve.

Gjatë këtyre viteve si prone shteti, është administruar nga “Ndërmarrja shtetërore e Gështenjave” me një administrate dhe një personel të specializuar inxhiniero-teknik, me fuqi punëtore që kryenin përmirësime rrënjësore dhe mirëmbajtëse, shërbime kulturore, pastrime higjeno-sanitare shoqëruar me luftimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve.

Me ndryshimin e sistemit politik, pushoj së funksionari kjo ndërmarrje dhe fshataret morën pronat e tyre në kufijtë e vjetër. Ky veprim nuk u shoqërua nga shteti me transferimin e pronave tek fshataret , prone që mbeti  informale dhe pa status  dhe pa administrator që nga viti 1990 duke ndërprerë përkujdesjen edhe shërbimet kulturore.

Sot asnjë fermer nuk zotëron aftësi për menaxhimin e kashnjetit. Nuk dine si kryhen përmirësimet, rrallimet, pastrimet, ripërtëritja natyrore, ruajtja e trashëgimisë gjenetike, sa pemë duhen për një ha, si luftohet sëmundja e kancerit, nuk i njohin format e shfaqjes dhe fazat e zhvillimit të sëmundjes, nuk kanë informacion për degradimin, regresin,  konvertimin që po u ndodhë në kashnjetet e tyre. Nuk kanë një specialist që ti trajnojë, t’i këshillojë dhe t’i orientojë për menaxhimin e kashnjetit dhe kryerjen e shërbimeve kulturore dhe luftimin e sëmundjeve, dëmtuesve dhe bimëve parazitare.

Gjendja bio-patologjike e ekosistemit

Pemët që përbëjnë masivin e Tropojës ndodhen ne gjendje shume të rënduar biologjike dhe patologjike për arsyet e mëposhtëm:

  1. Për shkak të sëmundjes së kancerit të lëvores, sëmundjeve dhe dëmtuesve të tjerë dhe bimëve parazitare dhe gjysmën parazitare.
  2. Për shkak te dëmtimeve nga faktorët natyror të motit, si akulli, bora, stuhitë etj
  3. Nga degradimi biologjik natyror për shkak të moshës .
  4. Nga agresiviteti dhe sjelljet e pa kontrolluara dhe aspak miqësore të njeriut , si dhe zjarret e vazhdueshme.

Penalitetet që ka pësuar ekosistemi nga informaliteti

Duke qenë në vakum ligjor tash 28 vjet, pa status, në informalitet, ekosistemi dhe pronaret e tije nuk mund të përfitojnë:

  1. Subvencione nga shteti për mbështetjen me fonde për fermerin.
  2. Fonde investimesh nga donator vendor dhe ndërkombëtar, nga organizata, individë vendor dhe qeveri te vendeve te ndryshme.
  3. Nuk përfiton administrim, drejtim teknik, nuk i kryhen shërbime kulturor, luftim sëmundjesh, mbrojtje nga dëmtimet dhe zjarret  hartimin e dokumentacionit hartografik dhe planeve të menaxhimit etj.

Gjendja administrative dhe juridike e ekosistemit 

  1. Ky ekosistem është prone informale. Nuk është i riregjistruar në regjistrin e pronave të pa luajtshme te qeverise Shqiptare në asnjërën nga format e pronës .
  2. Nuk ka të zgjidhur statusin e pronës! Historikisht ka qenë prone private, duke përjashtuar 40 vitet e sistemit monist që u shtetëzua.
  3. Nuk ka një strukturë të përgjegjshëm administrimi dhe drejtimit teknik të ekosistemit.
  4. Nuk ka një plan menaxhimi, dokument teknik dhe hartografik dhe plan zhvillimi që menaxhon dhe zhvillon  masivin në mënyrë të integruar.
  5. Nuk ka një një ligji të personalizuar që drejton, zhvillon, planifikon ekosistemin dhe rregullon marrëdhëniet mes tij dhe komunitetit. 

Kërcënimet dhe rreziqet për gështenjën! 

Sëmundja e kancerit të lëvores shkaktuar nga Cryphonectria parasitica, si dhe dëmtues të tjerë dhe bimët parazitare dhe gjysëm parazitare.

Gjendja biologjike dhe fito-patologjike e pemëve të vjetra që përfaqësojnë vlerat gjenetike të kultivarit autokton gjendet e rënduar aq sa ka arritur nivelin kritikë të tolerancës përtej të cilit, po vazhdoj degradimi me këtë ritëm, brenda një periudhe te shkurtër dëmi bëhet i pakthyeshëm dhe pasojat të pa rikuperueshme.

Ka evoluar me përparësi konvertimi në cungishte duke ndryshuar klasifikimin silvikulturor të ekosistemit nga TRUNGISHTE  Kashnjet – Pemishte natyrore e kultivuar) – në CUNGISHTE  që po humbet statusin e prodhimit të frutave dhe njëkohësisht edhe trashëgiminë gjenetike të kultivarit vendor.

Pse kërkohet mbrojtja e veçantë për gështenjën.

1. Për ta ruajtur si rezervë biologjike riprodhuese për të siguruar vijimësinë e trashëgimisë gjenetike të kultivarëve vendor.

2. Për të ndërprerë konvertimin në cungishte për të ruajtur parametrat silvo-teknik te ekosistemit.

Gështenja është në listën e kuqe të specieve të kërcënuara nga IUCN “Bashkimi Ndërkombëtar Për Mbrojtjen e Natyrës” dhe për këtë arsye në të gjitha vendet ku ajo kultivohet ju ka kushtuar vëmendje e veçantë, është shpallur “Specie në Mbrojtje” dhe po menaxhohet me shumë kujdes për të ruajtur trashëgiminë natyrore të sajë pasi në disa vende janë humbur kultivarët tradicional. Për shkak të sëmundjes, gështenjat e Evropës janë në karantinë dhe për pasojë rregullat karantinore, diktojnë që të gjitha aktivitetet që kryhen në gështenja , si prodhim e transport fidanësh të kryhen nga persona të licencuar, kryerja e shërbimeve kulturore e sanitare dhe trajtimet teknike, nga persona të licencuar dhe të pa pajisur me “Librezë Sanitare” si dhe lëvizje nga kashnjeti dhe transporti i materialit drusor i jetë i shoqëruar me “Certifikatën e Origjinës dhe të pastërtisë patologjike “. 

A kanë mundësi të gjithë fermerët t’i kryejnë shërbimet e nevojshme gështenjës?

Fermerët sot nuk janë në gjendje ta kuptojnë se kashnjetet e tyre po konvertohen ne cungishte , Ata nuk e kuptojnë se cungishtja është  dekadencë , regres , degjenerim i trungishtes dhe humbë statusin e prodhimit të frutave . Ata sot nuk i kanë njohuritë teknike që ta kuptojnë se kashnjetet e tyre nuk do te jenë më siç ua kanë lanë baballarët e tyre. 

Kush mund ta realizojë këtë shërbim për gështenjën? 

Për të siguruar trashëgiminë gjenetike të kultivarit tradicional detyrimisht duhet të rehabilitojmë pemët e vjetra në të cilat gjendet materiali biologjik riprodhues për rikthimin e kultivarit tradicional .

Subjekti që pretendon zbatimin e projektit merr përgjegjësinë afatgjatë të rikthimit te kultivarit tradicional, vlerësimi përfundimtar i të cilit bëhet pas dy dekadash. Ky operacion duhet të udhëhiqet nga një organizëm me një personel inxhiniero – teknik me kualifikimin dhe përvojën e duhur , që i njeh kompetencat teknike dhe përgjegjësitë ligjore për ta zbatuar këtë projekt rehabilitimi, i cili  parashikon ripërtëritjen e pemëve të vjetra për të siguruar materialin riprodhues, për të vijuar trashëgiminë gjenetike të kultivarëve tradicional, duke ju kryer shërbimet kulturore dhe higjenike si dhe luftimin e sëmundjeve dhe bimëve parazitare.

Shoqata “Gështenja e Tropojës” bazuar në metodat e njohura tekniko-shkencore, në përvojën e vendeve Evropiane dhe në gjendjen reale të ekosistemit, ka përzgjedhur alternativen e moderuar dhe me koston më të ulët dhe ka hartuar projektin e reabilitimit të ekosistemit që konsiston në:

  1. Hartimin e planit te zhvillimit perspektiv për rikthimin e kultivarit tradicional.
  2. Hartimi i studimit biomorfologjik e hartografik dhe propozimi për dhënien e statusit të mbrojtjes së këtij ekosistemi, shoqëruar me draft ligjin e personalizuar për ekosistemin e gështenjës Tropojë.

Realizimi i këtij projekti kërkon detyrimisht kryerjen e operacioneve dendro-kirurgjikale dhe fito-sanitare me hypjen në lartësi të pemëve për kryerjen e këtyre punimeve që teknikisht janë të klasifikuara si:

  1. Operacioni dendrokirurgjikal me shkallen me të lartë të vështirësisë fizike; pasi detyrimisht duhet të operohet në kurora në lartësi të pemëve dhe vetën një numër i kufizuar mund ta realizojnë këtë operacion.
  2. Operacioni me shkallen më të lartë të rrezikshmërisë për shëndetin dhe jetën e punëtorëve që marrin pjese ne operacion;
  3. Operacioni që kërkon trajnim sublementar dhe monitorim rigoroz për standardin teknik dhe zbatimin e kushteve te sigurimit teknik dhe të mbrojtjes nga aksidentet në punë.

A mund t’i kryejnë të gjithë fermerët këto operacione? 

Jo – dhe jo për faj të tyre. Më shume se 80 për qind e fermerëve nuk i kanë aftësitë fizike dhe mundësitë teknike për ta kryer këtë shërbim. Vetëm një strukture kompakte e drejtuar nga një personel inxhiniero-teknik i motivuar dhe i përgjegjshëm mund të realizojë këtë operacion që kërkon organizim, trajnim teknik, menaxhim, përgatitje fizike, pajisjen me vegla pune, medikamentet e nevojshme dhe mjete te sigurimit teknik.

1. Projekti parashikon identifikimin e prejardhjes së pemëve, vlerësimin e përbërjes gjenetike të tyre për të rikthyer kultivarin tradicional dhe operacionin silvikulturor të konvertimit në trungishte. Ky objektiv kërkon specialist me përvojë dhe trajnimin e nevojshëm.

2. Projekti parashikon një menaxhim te integruar të orientuar drejt përmirësimit gjenetik që kërkon njohjen e sakte të fazave që kalon projekti duke ruajtur treguesit agro-silvikulturor dukei dhënë prioritet rendimentit te prodhimit , ruajtjen e kurorë-dendësisë dhe tregues të tjerë teknik.

Bazuar në këto  kritere shoqata ka hartuar këtë projekt rehabilitimi të ekosistemit agro-pyjor të gështenjës dhe rikthimi e kultivarit tradicional.

Një drejtori e shërbimit teknik te ekosistemit me një personel inxhiniero-teknik me kualifikimin e plote dhe përvojën e nevojshme zotëron kapacitetet teknike, organizative, drejtuese, menaxhuese, është kompetente, e përgjegjshme dhe e motivuar për zbatimin e këtij projekti si dhe e projekteve te ngjashme të personalizuara për gështenjën.

Shoqata “Gështenja e Tropojës”, e bindur në nevojën e domosdoshme për rehabilitimin e pemëve të ekosistemit, i mbështetur ne rekomandimet tekniko-shkencore të trashëgimisë natyrore të specieve te rrezikuara dhe bazuar në përvojën e vendeve evropiane, ka hartuar projektin rehabilitues te ekosistemit që konsiston ne formalizmin e ekosistemit dhe zgjidhjen e statusit të pronësisë duke e regjistruar si prone private në administrim bashkiak, dhënien e statusit te mbrojtjes dhe drejtimin teknik të diktuar nga gjendja e rëndë bio-gjenetike dhe fito-patologjike në të cilën ndodhet.

Shoqata “Gështenja e Tropojës”, fton, inkurajon dhe nxitë organizatat e shoqërisë civile, mjedisore dhe institucionet shtetërore si Bashkia Tropojë , Ministria Mjedisit, AKZM, AKM, Fakultetin e shkencave Pyjore, si dhe organizatat e shoqërisë civile që zotërojnë njohjet e nevojshme si Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave, Shoqata e Specialistëve të Pyjeve, shoqatat pyjore dhe mjedisore e të tjera, të hartojnë projekte rehabilituese për ekosistemin, të aplikojnë duke konkurruar për tu  përzgjedhur ai me i miri, ai që siguron mbrojtjen, menaxhimin e integruar, rikthimin e kultivarëve tradicional dhe ripërtëritjen e ekosistemit./Gazeta Bujku

 

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme