spot_img

Fiku

spot_img

(Fikus carica L.) 

Historiku dhe përhapja 

Është bimë me origjinë nga Azia e Vogël. Në Evropë, sidomos në zonën mesdhetare kultivohet qysh në kohërat prehistorike (para 4000 vjetësh). Për herë të parë është kultivuar nga Fenikasit, Egjiptianët, Grekët dhe Ilirët. Në vendin tonë gjendet në gjendje të egër e të butë dhe është kultivuar si në kopshtin e fermerit ashtu edhe në blloqe masive (Berat, Lushnje, Fier, Tiranë,

Shkodër, Lezhë, etj.).

Vlerat

Fiku konsumohet i freskët, i thatë e mund të përdoret për prodhimin e reçelrave, marmelatës, etj. Në gjendje të freskët fiku përmban 10-12% sheqer, kurse i thatë 50- 60% sheqer.

Klasifikimi botanik

Futet në rendin Morales, në familjen Moraceae, gjininë dhe specien Ficus carica L.

Njihen mbi 1000 specie. Ndërtimi gjenetik (2x=26 kromozome), specia F.carica fiori (sativa) ose fiku i butë dhe F.carica caprificus R. ose fiku i egër.

Përshkrimi i pemës dhe veçoritë biologjike

Pema. Rritet në lartësinë 6-12 m, por mund të rritet edhe si shkurre 3-5 m. Trungu dhe degët kanë ngjyrë të hirtë dhe druri është palcor në qendër.

Sistemi rrënjor i bimës është i zhvilluar e mund të depërtojë deri 10 m thellësi.

Gjethet janë të mëdha, pëllëmbore, të ashpra me ngjyrë të gjelbër të errët nga sipër dhe push në sipërfaqen e poshtme.

Sythat vendosen në sqetullat e gjetheve 2-3 së bashku ku i mesit është vegjetativ dhe anësorët frutorë. Sythat vegjetativë anësorë zakonisht nuk aktivizohen brenda vitit me pasojë formimin e degëve të gjata në sajë të zhvillimit vegjetativ në majë.

Lulet. Lulesat (sikonet) dalin në sqetullat e gjetheve dhe përmbajnë 800-1500 lule secila. Bima është dioike dhe pjalmimi i kryqëzuar. Në pemët femër (fiku i egër ose kaprifiku) lulet mashkullore janë krezëshkurtëra dhe me shtyllëza të gjata thekësh. Në anën e kundërt të bishtit ndodhet një vrimë e vogël ku mund të futet e dalë insekti. Lulet femërore tek fiqtë e butë janë krezëgjata duke lehtësuar kështu pjalmimin e kryqëzuar. Fiku i egër ka edhe lule mashkullore edhe lule femërore, kurse fiku i but ka vetëm lule femërore.

Fruti është i përbërë (taksikarpik) me madhësi, formë e ngjyrë të ndryshme që rrjedh nga lulet dhe shtrati i lulesës. Fiku prodhon një lëng qumështor (Latex) që përmban ritinë, rrëshira të ndryshme, qeri, yndyra, enzima protolitike (diastaza, lipaza) dhe që shkakton ngacmim ose edhe alergji në lëkurën e njeriut.

Lulëzimi – lidhja – zhvillimi i frutit

Fiqtë e butë ndahen në dy grupe të mëdha:

a) fiqtë njëherësh prodhojnë një herë në vit. Frutat formohen në lastarët e vitit (lastarët e rinj) në nyjet 3-5, kurse sythat e vitit të kaluar rrëzohen. Frutat piqen në Gusht- Shtator dhe mund të kenë ose jo nevojë (sipas kultivarit) për pjalmim-pllenim të kryqëzuar nga fiku i egër. b) fiqtë dyherësh prodhojnë dy herë në vit. Frutat e prodhimit të parë dalin nga sythe të lastarëve të vitit të kaluar, zhvillohen në mënyrë partenokarpike, pra nuk kanë nevojë për pjalmim të kryqëzuar dhe piqen në Qershor-Korrik. Frutat e prodhimit të dytë dalin në lastarë të vitit në vazhdim, zakonisht kanë nevojë për pjalmim të kryqëzuar dhe piqen në Gusht-Shtator. Nga pjalmimi dhe pllenimi i kryqëzuar rrjedhin frutat e fikut njëherësh dhe frutat e prodhimit të dytë të fikut dyherësh.

Transporti i pjalmit bëhet me insektin Blastophaga grossorum. Insekti dimëron në stadin e pronimfës në fiqtë e egër të ngelur në pemë dhe që quhen “mbajtës”. Në pranverë në pemët e fiqve të egër formohen frutat e rinj. Insekti i cili e plotësoi ciklin e vet, del nga dimërimi dhe i vendos vezët në frutat e rinj të egër që quhen “profiqtë”.

Profiqtë kanë 200-300 lule mashkullore në fillim dhe 1000-1500 lule femërore krezëshkurtëra në thellësi afër bishtit.

Blastophaga futet në frutë dhe depoziton vezët në lulet femërore. Vezët japin pronimfat dhe më vonë insekt të rritur i cili duke dalë nga fiku i egër, merr pjalmin e luleve mashkullore. Insekti futet në frutat e fikut të butë dhe në përpjekje për të lëshuar vezët transporton pjalm në lulet femërore krezëgjata dhe realizon kështu pjalmimin e kryqëzuar.

Për realizimin e pjalmimit të kryqëzuar tek fiqtë e butë është e nevojshme që në pemëtore të ketë disa pemë të fikut të egër ose të kryhet “martesa” e fikut duke vendosur vargje me fiq të egër (para daljes së mizës) në pemën e fikut të butë. Ky proces mund të përsëritet 3-4 herë. Në disa vende bëhet edhe rritje artificiale e mizës dhe lëshim i tyre në pemëtore.

Klima dhe toka

Fiku është bimë subtropikale gjethe rënëse ndaj shkon mirë në zonën e ullirit me klimë të butë. Temperaturat e ulëta (nën 0ºC) dëmtojnë vegjetacionin e bimës kurse, temperaturat nën -10ºC dëmtojnë edhe pjesët drunore dhe sistemin rrënjor. Fiku jep prodhim me cilësi kur temperatura mesatare e verës është 30ºC, ndërsa temperaturat e larta të kësaj stine (40ºC) janë të dëmshme pasi fiqtë bëhen lëkurorë të fortë. Shirat në kohën e pjekjes janë të dëmshëm pasi dëmtojnë frutin duke shkaktuar plasaritje dhe kalbëzime të tij.

Fiku prodhon edhe në toka të thata, ranore, gurishtore mjafton që rrënjët të mund të depërtojnë në tokë. Duron përqindjen e lartë të kalciumit dhe të kripërave në tokë.

Natyrisht prodhon mirë e me cilësi në toka të pasura dhe të kulluara.

Shtimi i fikut

Shtimi i fikut bëhet me copa të drunjëzuara që merren me gjithë majë nga lastarët një vjeçar. Copat me gjatësi 30-40 cm mbillen në vjeshtë ose herët në pranverë duke lënë sythin e majës të zbuluar. Mënyra të tjera shtimi janë: me copa të gjelbërta në sistem mjegullimi, me farë dhe shartim me syth në formë “T” të përmbysur dhe me kamza ose fundakë të rrënjëzuar.

Ngritja e pemëtores dhe forma e kurorës

Për ngritjen e pemëtores bëhet zgjedhja e kultivarit dhe bimëve pjalmuese të egra. Në vazhdim kryhet përgatitja e pemëtores (pastrime, punime, sistemime, etj.). Distancat e mbjelljes janë 5-10 X 5-10 m. Preferohen distanca të mëdha kur pemëtorja është e ujitshme dhe distanca të vogla kur

nuk aplikohen ujitje. Pemët mbillen në dimër kur nuk ka rrezik ngricash dhe në pranverë në zonat me ngrica.

Fiku mund të kultivohet si pemë ose si shkurre në varësi të dëshirës së prodhuesit. Zakonisht kultivohet si pemë duke i dhënë formë kupore të lirë me 5-6 degë skeletore dhe shumë degë të dyta e të treta. Mund t’i jepet edhe formë e lirë sferike.

Krasitja prodhuese

Krasitja prodhuese realizon kryesisht rrallim të lastarëve në mënyrë që të sigurohen kushte të mira ajrimi e dritëzimi, prodhim i kënaqshëm si dhe vegjetacion për vitin e ardhshëm. Shkurtimet kryhen një herë në 2- 3 vjet në degë të zhvilluara me synim formimin e degëzimeve anësore dhe evitimin e vendosjes së prodhimit larg në periferi të kurorës. Shkurtimet duhet të jenë tepër të kujdesshme pasi mund të shkaktojnë vonesë në pjekjen e frutave.

Vjelja dhe ruajtja e frutit

Frutat duhet të mblidhen në stadin e duhur të pjekurisë kur shkëputen me lehtësi nga pema. Frutat mblidhen në mëngjes duke përdorur doreza pasi lëngu latex i fikut shkakton eksitime të lëkurës. Frutat e vjelë vendosen në tellaro njështresore me kujdes që të mos goditen e shtypen. Fiqtë e freskët mund të ruhen në frigorifer në temperaturën 0ºC dhe lagështinë 85-90% për 10 ditë. Fiqtë për tharje mblidhen të tejpjekur, vendosen në tellaro dhe thahen në diell. Fiqtë e thatë vargëzohen ose paketohen, ruhen dhe tregtohen për një kohë të gjatë.

Dëmtuesit e fikut

Dëmtuesit kryesorë të fikut janë breshkëzat, miza mesdhetare, nematodet dhe insekte të tjera si lepidopterë të vegjël Phodia dhe Ephestia.

Kultivarët

Kultivarët e fikut ndahen sipas prodhimit: në ata njëherësh dhe dyherësh; sipas ngjyrës së lëkurës: në fiq të bardhë e të zinj; sipas përdorimit: në fiq për konsum të freskët, tharje dhe të dyja së bashku. Kultivarët kryesorë të fikut janë:

Krec i zi

Origjina: kultivar autentik i Tiranës dhe shtrihet në zonën e Shqipërisë së mesme.

Fruti: është mesatarisht i madh (45-50 gr) në formë rrumbullake dhe plloçak në anë të kundërt të bishtit i cili është i shkurtër. Fruti ka ngjyrë të zezë në patlixhan dhe plasaritje të lehtë. Tuli është i kuq në rozë, i ëmbël, i shijshëm dhe ka 20 % lëndë të thatë.

Koha e pjekjes: fundi i Qershorit

Përdorimi: për konsum të freskët dhe industri

Veçori biologjike: është kultivar që prodhon 2 herë në vit dhe ka nevojë për kaprifikim.

Krec i bardhë

Origjina: kultivar autentik i Tiranës dhe shtrihet në zonën e Shqipërisë së mesme.

Fruti: është mesatar, i zgjatur dhe plloçak në majë. Fruti ka ngjyrë të bardhë dhe plasaritje të lëkurës. Tuli është i kuq në rozë, i ëmbël, i shijshëm dhe ka 20 % lëndë të thatë.

Koha e pjekjes: Gusht

Përdorimi: për konsum të freskët dhe industri.

Veçori biologjike: është kultivar që prodhon 1 herë në vit dhe ka nevojë për kaprifikim.

Fiku i Lezhës

Origjina: kultivar autentik i Lezhës.

Fruti: është i madh (80-90 gr) në formë të rrumbullakët me bisht të gjatë. Fruti ka ngjyrë të hirtë me pika gri dhe plasaritje të lëkurës. Tuli është i kuq në rozë, i ëmbël, i shijshëm dhe ka 21 % lëndë të thatë.

Koha e pjekjes: 20 Gusht

Përdorimi: për konsum të freskët.

Veçori biologjike: është kultivar që prodhon 1 herë në vit.

Bradashesh (Fiku i lashtë)

Origjina: kultivar autokton Elbasani dhe shtrihet në zonën e Shqipërisë së mesme, Tiranë, Shkodër, etj.

Fruti: është i madh (45-50 gr) në formë të rrumbullakët pak i zgjatur dhe plloçak në majë. Fruti ka ngjyrë vjollcë në blu dhe plasaritje të lehtë. Tuli është i kuq në rozë, i ëmbël, i shijshëm.

Koha e pjekjes: fundi i Qershorit

Përdorimi: për konsum të freskët dhe industri.

Veçori biologjike: është kultivar që prodhon 2 herë në vit.

Patlixhan

Origjina: kultivar Shkodran por shtrihet edhe në zona të tjera si Tiranë, Përmet, Elbasan, etj.

Fruti: është i mesatar (45-60gr) në formë të zgjatur. Fruti ka ngjyrë të zezë në patlixhan dhe plasaritje të lehtë kur piqet. Tuli është i kuq në rozë, i ëmbël, i shijshëm dhe ka 19 % lëndë të thatë.

Koha e pjekjes: Gusht-Shtator

Përdorimi: për konsum të freskët dhe industri.

Veçori biologjike: është kultivar që prodhon 1 herë në vit dhe ka nevojë për kaprifikim.

Kultivarët për tharje

Bajun

Origjina: kultivar që shtihet në zonën e Tiranës, Lezhës, Shkodër, etj.

Fruti: është mesatar (50-60 gr) në formë të rrumbullakët dhe plloçak në anë të kundërt të bishtit i cili është i shkurtër. Fruti ka ngjyrë të gjelbër në të verdhë, me pika gri dhe plasaritje të lehtë. Tuli është i kuq në rozë, i ëmbël, i shijshëm dhe ka 23 % lëndë të thatë.

Koha e pjekjes: fundi Gushti-fillim Shtatori

Përdorimi: për konsum të freskët, tharje dhe industri

Veçori biologjike: është kultivar që prodhon 1 herë në vit dhe ka nevojë për kaprifikim.

Kallamata

Origjina: kultivar grek që shtrihet në zonën e Shqipërisë së jugut, etj.

Fruti: është mesatar i madh në formë të rrumbullakët dhe plloçak. Fruti ka ngjyrë të gjelbër në të verdhë dhe plasaritje të lehtë. Tuli është i kuq në rozë, i ëmbël, i shijshëm dhe ka 20 % lëndë të thatë.

Koha e pjekjes: fundi i Gushtit – fillimi i Shtatorit

Përdorimi: për konsum të freskët, tharje dhe industri.

Veçori biologjike: është kultivar që prodhon 1 herë në vit dhe ka nevojë për kaprifikim.

Perdhikul

Origjina: kultivar që shtrihet në zonën bregdetare.

Fruti: është i vogël, me ngjyrë të bardhë në të gjelbër dhe me plasaritje të lehtë. Tuli është i trëndafiltë, i ëmbël, i shijshëm dhe ka 24-25 % lëndë të thatë.

Koha e pjekjes: Gusht

Përdorimi: tipik për tharje, konsum të freskët dhe industri.

Veçori biologjike: është kultivar që prodhon 1 herë në vit dhe ka nevojë për kaprifikim.

Tivaras

Origjina: kultivar që shtrihet në zonën Mirditë, Pukë, Shkodër, Lezhë, etj.

Fruti: është mesatar në formë këmbane me ngjyrë të bardhë në të verdhë dhe plasaritje të lehtë. Tuli është i trëndafiltë, i ëmbël, i shijshëm dhe ka 20-23 % lëndë të thatë.

Koha e pjekjes: Gusht -Shtator

Përdorimi: për konsum të freskët, tharje dhe industri.

Veçori biologjike: është kultivar që prodhon 1 herë në vit dhe nuk ka nevojë për kaprifikim.

Stambolli

Origjina: kultivar që shtrihet në zonën e Beratit, Lushnjës, etj.

Fruti: është mesatar (50-60 gr) në formë të rrumbullakët, me ngjyrë të bardhë në të verdhë dhe plasaritje të lehtë. Tuli është i trëndafiltë, i ëmbël, i shijshëm dhe ka 21 % lëndë të thatë.

Koha e pjekjes: Gusht -Shtator

Përdorimi: për konsum të freskët, tharje dhe industri.

Veçori biologjike: është kultivar që prodhon 1 herë në vit dhe nuk ka nevojë për kaprifikim.

Roshnikas

Origjina: kultivar i përhapur në Berat.

Fruti: është mesatar (40-60 gr) në formë të rrumbullakët e plloçak, me ngjyrë të bardhë në të verdhë, me bisht të shkurtër dhe plasaritje të lehtë. Tuli është i bardhë në të trëndafiltë, i ëmbël, i shijshëm dhe ka 24-28 % lëndë të thatë.

Koha e pjekjes: Gusht -Shtator

Përdorimi: për konsum të freskët, tharje dhe industri.

Veçori biologjike: është kultivar që prodhon 1 herë në vit.

Kraps i zi

Origjina: kultivar në Shqipërinë e mesme si Tiranë, Elbasan, etj.

Fruti: është i madh në formë të zgjatur e plloçak, me ngjyrë të zezë dhe plasaritje të lehtë kur piqet. Tuli është i kuq në rozë, i ëmbël dhe i shijshëm.

Koha e pjekjes: fundi i Qershorit.

Përdorimi: për konsum të freskët dhe industri.

Veçori biologjike: është kultivar që prodhon 2 herë në vit dhe ka nevojë për kaprifikim.

Kultivarë të tjerë fiku janë: Celeste, Brown Turkey, Mission, Lemon, Rimpson, Magnolia, Kadota, Hunt, etj. /Gazeta Bujku

Pemëtaria Speciale / Zyra bashkëpunuese MASHT/DANIDA

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme