spot_img
HomeBUJKUFëstëku 

Fëstëku 

spot_img

Historiku dhe përhapja

Fëstëku (Pistacia vera L.) është bimë gjetherënëse, autoktone e Indisë, Sirisë, Palestinës, Persisë dhe Azisë së Mesme. Ka qenë i njohur qysh në kohën e Teofrastit (300 vjet p.K.). Romakët e përhapën në Itali, Spanjë, Francë, Algjeri dhe Tunizi. Në Kaliforni u përhap me 1854.

Sot kultivohet në shumë shtete të botës për vlerat e larta që paraqet.

Vlerat ushqyese

Pjesa e konsumueshme (farat ose thelbi) ka vlera të larta ushqyese pasi përmbajnë, 55% yndyra, 22.5% proteina, 19% karbohidrate, 5.15% ujë dhe 1.9% kripëra minerale të K, P, Ca, Mg, Fe, etj. Rëndësi të madhe ka edhe përpunimi i tyre në industrinë ushqimore, kozmetike dhe farmaceutike. Gjithashtu rrëshira e tij gjen përdorim në industrinë ushqimore dhe atë kimike.

Klasifikimi botanik

Fëstëku bën pjesë ne familjen Anacardiaceae, në gjininë dhe specien Pistacia vera me 2n =30 kromozome. Specie të tjera të kësaj gjinie janë:

terebinthus: Shkurre me lartësi 2-5 m, me gjethe të përbëra (7-13 gjethëza) me frutë të kuq. Nuk përdoret shumë si nënshartesë pasi ka afinitet të dobët me kultivarët.

palestina: Pemë me lartësi 10-20m, me gjethe të përbëra, me frutë të kuq që kur piqet merr ngjyrë të gjelbër. Përdoret shumë si nënshartesë, pasi ka afinitet të mirë me kultivarët.

lentiscus: Shkurre gjethembajtëse, me frutë të kuq ndaj dhe përdoret si bimë dekorative. Kultivari P.lentiscus cv. Chia përdoret për prodhimin e mastikës.

P.atlantica Desf: Pemë gjetherënëse me lartësi 20 m, me gjethe të përbëra. Përdoret si nënshartesë në Afrikë dhe USA pasi ka afinitet të mirë me kultivarët dhe i duron kripërave në tokë.

chinensis: Pemë gjetherënëse me degë të trasha, me lartësi 20 m dhe gjethe të përbëra (5-7 gjethëza). Gjendet kryesisht në Kinë dhe nuk përdoret si nënshartesë pasi ka afinitet të dobët me kultivarët.

Përshkrimi i pemës dhe veçoritë biologjike

Pema e fëstëkut është gjetherënëse, dioike, mesatarisht e zhvilluar me lartësi që shkon 5-8 m si dhe sistem rrënjor të pasur. Forma e kurorës është kupore natyrale. Trungu dhe degët kane ngjyrë të hirtë dhe lëvore të lëmuar në pemët femër, kurse në ato mashkull të errët me plasaritje.

Sythat Sythat janë të thjeshtë. Sythi i majës është vegjetativ dhe shoqërohet me 2-3 sytha të tjerë po vegjetativë. Sythat lulorë janë më të fryrë sidomos në pemët mashkull.

Gjethet janë të mëdha, të përbëra nga 3-5 gjethëza të rrumbullakëta në bimët femër, kurse në ato mashkull dallohen 3 klone (A,B,C), në bazë të morfologjisë së gjetheve. Kështu gjethet A kanë 5-9 gjethëza, ato B 3-7 gjethëza dhe ato C 3-5 gjethëza. Ky i fundit ka më shumë ngjashmëri me bimët femër.

Lulet – Fëstëku është bimë dioike. Lulet dalin nga degëzat e vitit të kaluar (1-vjeçare) në lulesë (botri) dhe kanë 5 sepale, pistil të shkurtër me vezore të thjeshtë (1 karpofile) dhe nuk kanë petale. Pemët femër lulëzojnë në fillim të Prillit dhe presin pjalmin gjatë 3- 5 ditëve. Pemët mashkull lulëzojnë më herët (fenomeni i protandrisë).

Fruti i fëstëkut është bërthokël me perikarp të gjelbër që skuqet në pjekje dhe endokarp (guacka që përmban thelbin) të fortë, por që hapet gjatë pjekjes. Piqet në fillim të Shtatorit. Pjesa e ngrënshme është fara e zhvilluar (thelbi) me dy kotiledone të gjelbërta. Frutifikimi i fistikut fillon në vitin e 5-12-të (bimët me prejardhje farore) dhe më herët (bimët me shartim). Pema jeton 200-300 vjet. Një rendiment prej 10-15 kg/pemë konsiderohet i kënaqshëm, por ai arrin edhe 20kg. Lastarët frutorë paraqesin rënie të sythave që fillon me rritjen e embrionit. Arsye e mundshme është ajo hormonale, por rezultati është shfaqja e periodicitetit parcial të prodhimit të pemës.

Fëstëku është bimë dioike, anemofile, dhe për sigurimin e prodhimit të dëshiruar në pemëtore vendosen pjalmuesit (bimët mashkull) dhe gjithashtu kryhet pjalmimi artificial.

Klima dhe toka

Fëstëku kultivohet në zona me klimë të ngrohtë dhe të thatë. Shirat e pranverës pengojnë pjalmimin e luleve. Pema i duron temperaturat e ulëta njësoj si pjeshka dhe ka kërkesa të pakta për temperatura nën 7°C për ndërprerjen e letargjisë. Gjithashtu temperaturat e larta të verës dhe fillimit të Shtatorit (22-28°C) ndihmojnë pjekjen dhe vjeljen e frutit. Fëstëku mund të kultivohet në shumë lloje tokash duke shfrytëzuar akoma edhe toka me 50% CaC03, toka acide, të varfra, bazike ose të kripura, por jo toka të rënda. Rendimente të larta merren në toka të lehta, të pasura, të kulluara dhe që ujiten e plehërohen në bazë të nevojave të bimës.

Shtimi i fëstëkut

Shtimi i fëstëkut bëhet me farë dhe shartim. Fara, që të mbijë, shtresohet për ndërprerjen e qetësisë letërgjike në temperaturën 4°C ose mbillet direkt në fidanishte në Janar- Shkurt. Gjithashtu mund të trajtohet kimikisht me H2S04 (lorë) në proporcion 1:2 ose me 1 % NaOH (24orë) dhe mbjellja në Mars. Farat e shtresuara ose të trajtuara mbijnë për 2 javë, kurse ato të  patrajtuara për 2 muaj. Filizit i kryhen shërbimet e nevojshme agroteknike dhe në Gusht pasi ka arritur trashësinë 8-10 mm kryhet shartimi në formën e germës “T”. Fidanët e prodhuar në fidanishte shkulen me bukë dheu dhe jo më sistem rrënjor të zhveshur pasi ka dështime në zënien e fidanit.

Sistemi i mbjelljes

Sistemi i mbjelljes së fëstëkut është ai në rreshta, katror ose rombik i kombinuar me formën kupore të kurorës me distanca 6-7 x 6-7 m, në varësi të kultivarit, nënshartesës, tokës, etj. Mbjelljet e dendura nuk rekomandohen pasi hijezimi i kurorës nxit zhvillimin e sëmundjeve dhe pengon dritëzimin si dhe shërbimet agroteknike. Pjalmuesit vendosen në skema të ndryshme, por skema më e përshtatshme është 8-12 pemë femër me 1 pemë mashkull. Vendosja e pjalmuesve në rresht bëhet në drejtimin që fryn era. Kohët e fundit prodhuesit aplikojnë sistematikisht pjalmimin artificial të bimëve.

Krasitja

Krasitja në pemët e reja synon në formimin e kurorës. Krasitja prodhuese është e lehtë dhe konsiston në rrallimin e lastarëve dhe pak shkurtime në mënyrë që të krijohen kushte të mira ajrimi e dritëzimi të kurorës. Gjithashtu largohen degë të dëmtuara ose të infektuara. Prerjet e rënda duhet të evitohen pasi plagët që shkaktojnë epulohen me vështirësi. Me krasitjen prodhuese nuk duhet të largohet më shumë se 10% e lastarëve të kurorës. Gjithashtu largohen fundakët që pengojnë kryerjen e shërbimeve agroteknike. Pemët mashkull lejohen të zhvillohen më shumë se ato femër duke lehtësuar kështu transportimin e pjalmit me anë të erës (fëstëku është bimë anemofile).

Zhvillimi i frutit

Pas pllenimit të vezores fillon zhvillimi i frutit. Gjithashtu mund të zhvillohet edhe një përqindje frutash të pafekonduar ose me embrion të dështuar (parthenokarpia). Zhvillimi i frutit tek fëstëkut ndjek një kurbë sigmoide të dyfishtë si tek bërthamorët. Fillimisht ndodh zhvillimi i shpejtë i ekzokarpit dhe i endokarpit. Pasi futi ka arritur madhësinë e tij fillon rritja e farës (rreth 60 ditë pas lulëzimit). Forcimi i endokarpit fillon 50-60 ditë pas lulëzimit dhe plotësohet me pjekjen e frutit. Perikarpi fillon të ndahet nga endokarpi i fortë rreth 30 ditë para pjekjes. Me pjekjen e frutit endokarpi hapet në majë dhe kjo është e dëshirueshme për cilësinë e frutit. Frutat e mbyllura kanë vlerë më të ulët tregtare se ato të hapura. Në kohën e pjekjes perikarpi merr ngjyrë të verdhë në të kuqe. Frutat piqen Gusht-Shtator në mënyrë stadiale që zgjat rreth 25 ditë.

Vjelja e frutave

Vjelja e frutave bëhet në 2-3 duar me goditje të lehta të degëve me shufër ose me tundësa mekanike pasi të jetë shtruar poshtë pemës rrjetë ose plastmasë. Frutat e vjelë transportohen dhe futen në makina të ndarjes së lëvores (sepse ndryshe endokarpi nxihet), zbardhen (me sulfit natriumi) thahen dhe ambalazhohen.

Ujitja dhe plehërimi.

Në shumë raste fëstëku prodhon mirë pa ujitje duke u mjaftuar në shirat e dimrit dhe lagështinë e tokës me që se ka sistem të zhvilluar rrënjor. Vetëm në toka të lehta e të kulluara dhe sipas nevojës së bimëve mund të kryhen me kujdes ujitje gjatë verës. Ujitjet e shumta e drejtojnë pemën ne zhvillim të vegjetacionit të fuqishëm dhe në rënie të prodhimit. Kërkesat e fëstëkut për elemente ushqyes vlerësohen kryesisht nga analizat gjethore. Plehërimi me azot kryhet në dy doza: 1/2 e sasisë në pranverë herët (sulfat amoni) dhe 1/2 (nitrat amoni) në kohën e zhvillimit të farës.

Potasi shton rezistencën e bimës ndaj sëmundjeve, ndihmon në formimin e thelbit, shpejton pjekjen dhe zvogëlon pasojat e tepricës së azotit. Përdorimi i K2S04 3 kg/pemë njëherë në dy vjet, eviton shfaqjen e simptomave dhe pasojat e tyre. Fosfori ndihmon në zhvillimin e indit drunor dhe thith 15-20% në vit nga toka. Teprica e tij mund të shkaktojë antagonizëm me Zn, Fe

dhe Ca.

Në pemët e reja 1-3 vjeçare aplikohet plehërimi me skemë 12-12-12 (100-300 g/bimë), kurse në ato në prodhim të plotë 80-120 kg/dynym, gjatë vjeshtës dhe me 30 kg nitrat amoni gjatë periudhës së vegjetacionit.

Dëmtuesit kryesorë të fëstëkut janë: Eurytoma, afidet, nematodet, thripet, etj.

Sëmundjet kryesore janë: Camarosporium, Septoria, Sacharomyches, Armillaria, Verticillium, Fusarium, Roselinia, etj.

Kultivarët e fëstëkut

Kultivarët e fëstëkut në vende të ndryshme janë të ndryshme. Më poshtë jepen disa prej tyre sipas rëndësisë në secilin vend:

Italia: Napoletana, Natarola, Agostara

USA: Kerman, Bronte, Trabonella, Red Aleppo

Iran: Mondaz, Ibrahimi, Shasti, Vahedi, Imperiale

Turqia: Uzun, Kirmiz

Greqi: Egini, Funtukati, Nikati, Kilarati

Siria: Batturi, Aschoari. /Gazeta Bujku

Pemëtaria Speciale / Zyra bashkëpunuese MASHT/DANIDA

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme