spot_img
HomeBUJKUBleta dhe plastika

Bleta dhe plastika

spot_img

Nga Dr. Agim Nelaj

Bleta vjen nga një jetë natyrale mijravjeçare. Njeriu futet në skenë, por jo aq dashamirës me bletën. I shkakton asaj stres. Një ndër faktorët negativ në mbarshtimine e bletëve është dhe shtimi i përdorimit të pajisjeve plastike. Sistemi i mbarështimit ka sjellë edhe situata të tjera të vështira për bletët: i ka ekspozuar ato ndaj ndikimeve të dëmtuesve, ndaj dimrave të egër, nxehtësive të shkretëtirës apo pesticideve. Në këtë skenar të krijuar nga njeriu, shfaqen disa dukuri:

-Familjet e bletëve i nënshtrohen stresit shumë më tepër se në kushte natyrore.
-Bletëve u zvogëlohet kapaciteti gjenetik.
-Sjell trashëgiminë e geneve të padëshiruar.
Para disa vjetësh më shkruante një bletar:
“Çudia nuk është se familjet e bletëve eliminohen për një arsye apo një tjetër, por që shumë prej tyre mbijetojnë pavarësisht nga trajtimi i keq që u bëjmë ne…”.

Bletët, njëlloj si insektet e tjerë, si gjitarët, madje edhe si njerëzit, kanë kujtesë të largët e të afërt, e cila mund të prishet në rast se ndërhyjnë faktorë të tjerë, jo të favorshëm. Ato ndjejnë dhe i përgjigjen ndryshimit të mjedisit me reagime të forta, që lënë pasoja në “kujtesën” e tyre
Stresi tek bletët ende nuk njihet mirë. Që të vlerësohen më mirë ndikimet e elementëve stresues, kemi nevojë të dimë akoma më tepër rreth biologjisë së bletëve, nga jeta e tyre e panjohur.

Sistemet e mbarështimit të bletëve ndikojnë negativisht në proceset biologjikë normalë të vetë bletëve. Bleta, që të mbijetojë, ka nevojë për një mjedis sa më të përshtatshëm në zgjua. Para ndërhyrjes së njeriut, bletët e egra mjaltëse ishin tepër të përshtatura në habitatin e tyre. Si “zgjoje”, këto bletë përdornin trungje, zgavra druri dhe të çara toke. Nuk ka banesë më të mirë për bletët sesa ky “zgjua” natyror, ku ato u përshtatën me shekuj.

Mbijetesa lidhet me mekanizma të fituar në miliona vjet evolucion, për të përballuar vështirësitë.
Efekti biologjik i mjedisit.

Efekti biologjik, përkufizohet si përgjigje biologjike e organizmit ndaj një stimuluesi të caktuar ose reagim ndaj një ndryshimi të mjedisit përreth.

Një efekt biologjik tipik mund të shkaktojnë faktorë të zakonshëm si: nxehtësia, ftohtësia, lagështira, drita, temperatura, ngjyra, por dhe pajisjet dhe kryesisht ato plastike. Këta faktorë kanë ndikim mbi organizmin, ndonëse për momentin mund të mos kenë efekt të dëmshëm mbi shëndetin. Trupi i bletës ka mekanizma të stërholluar dhe të ndërlikuar për t’u përshtatur ndaj ndikimeve të shumtë e të larmishëm që has në mjedisin rrethues. Ndryshimet e vazhdueshme të këtyre faktorëve përbëjnë një dukuri gjatë veprimtarisë së përditshme. Gjithsesi organizmi i bletës nuk ka mekanizma të tillë, që t’i bëjnë ballë të gjithë efekteve të shtuar. Kur faktorë të ndryshëm nxisin në organizëm ndryshime që dëmtojnë strukturat indore ose funksionimin normal të tyre, atëherë bëhet fjalë, jo më për një “efekt biologjik”, por për një “efekt dëmtues mbi shëndetin”. Dallimi ndërmjet dy koncepteve është i rëndësishëm. Pothuajse në të gjitha fushat, ka faktorë të niveleve të ndryshëm që shkaktojnë efekte biologjikë mbi organizmin, por vetëm një numër i vogël prej tyre shkaktojnë edhe dëmtime mbi shëndetin. Nga ana tjetër, i njëjti faktor, në varësi të intensitetit të tij dhe kohëzgjatjes së veprimit, mund të ketë mbi organizmin një efekt biologjik të thjeshtë ose mund të shoqërohet me dëmtime të rënda, herë-herë të pariparueshme.

Sistemet e sotme të mbarështimit nuk i plotësojnë kushtet, nuk janë në gjendje t’u bëjnë ballë ndryshimeve të klimës, sëmundjeve, rriqrave, madje edhe sulmeve nga grabitqarë. Duke i futur bletët në zgjua modern (të sajuar nga njeriu), ne u kemi shkaktuar atyre një stres tepër të madh.

Çështë Plastmasi?

Lënda e parë për prodhimin e tij është polikloruri i vinilit. Ky është një polimer sintetik, shumë i përhapur dhe termoplastik.Lënda e parë për prodhimin e poliklorur vinilit shërben acetileni (C2H2) dhe gazi klorhidrik .Rruga për përfitimin e acetilenit është: Nga karburi i kalciumit ose gazi metan.
Bleta si qënie me mbindjeshmëri,stresohet, e ndjen menjëherë efektin e kontaktit me lloje të ndryshme të plastikës që përdoren sot në bletari, si shirita plastikë,enë ushqimi, diafragma, cupa për mbretëresha, për qumështin etj. Firmat prodhuese u bëjnë reklamë prodhimeve të ndryshme plastike për bletë. Sot flitet për zgjoi plastikë,pite, korniza etj.
Pyetja është e thjeshtë: pajisjet plastike që përdoren sot në bletari nga çfarë lënde të parë janë prodhuar? /Gazeta Bujku

spot_img
spot_img
Na Ndiqni
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Lexo
spot_img
Lajme të Ngjashme